BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Kremtimi i Pashkës në shkretëtirën e Sinait
9:1 Zoti i foli akoma Moisiut, në shkretëtirën e Sinait, muajin e parë të vitit të dytë që kur kishin dalë nga vendi i Egjiptit, duke i thënë:
9:2 "Bijtë e Izraelit do ta festojnë Pashkën në kohën e caktuar.
9:3 Do ta kremtoni në kohën e caktuar, ditën e katërmbëdhjetë të këtij muaji, në të ngrysur; do ta kremtoni simbas të gjitha statuteve dhe dekreteve të saj".
9:4 Kështu Moisiu u foli bijve të Izraelit me qëllim që të kremtonin Pashkën
9:5 ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë në të ngrysur, në shkretëtirën e Sinait; bijtë e Izraelit vepruan simbas urdhrave të dhëna Moisiut nga Zoti.
9:6 Por kishte disa njerëz që ishin të papastër sepse kishin prekur trupin e vdekur të një personi dhe nuk mund ta kremtonin Pashkën atë ditë. Por këta njerëz u paraqitën po atë ditë përpara Moisiut dhe Aaronit,
9:7 dhe i thanë Moisiut: "Ne jemi të papastër sepse kemi prekur trupin e vdekur të një personi; pse vallë na pengohet të paraqesim ofertën e Zotit në kohën e duhur, në mes të bijve të Izraelit?".
9:8 Moisiu iu përgjegj atyre: "Prisni që të dëgjoj çfarë do të urdhërojë Zoti lidhur me ju".
9:9 Dhe Zoti i foli Moisiut, duke thënë:
9:10 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Në rast se dikush nga ju ose nga trashëgimtarët tuaj është i papastër për shkak të një trupi të vdekur, apo gjendet larg në udhëtim, do ta kremtojë njëlloj Pashkën për nder Zotit.
9:11 Do ta kremtojnë ditën e katërmbëdhjetë të muajit të dytë në të ngrysur; do të hanë bukë të ndorme dhe barishte të hidhura;
9:12 nuk do të lënë asnjë tepricë deri në mëngjes dhe nuk do të thyejnë asnjë kockë. Do ta kremtojnë simbas të gjitha statuteve të Pashkës.
9:13 Por ai që është i pastër dhe nuk është në udhëtim, në rast se nuk e kremton Pashkën, do të shfaroset në mes të popullit të tij, sepse nuk i paraqiti ofertën në kohën e duhur Zotit; ky njeri do të mbajë dënimin e mëkatit të tij.
9:14 Në rast se një i huaj që banon në mes jush kremton Pashkën e Zotit, ai duhet ta bëjë mbas statuteve dhe dekreteve të Pashkës. Ju do të keni një statut të vetëm për të huajin dhe për atë që ka lindur në vend".
Udhërrëfimi i resë
9:15 Por ditën në të cilën tabernakulli u ngrit, reja mbuloi tabernakullin, perden e dëshmisë; dhe që nga mbrëmja deri në mëngjes reja mbi tabernakullin kishte marrë një pamje zjarri.
9:16 Kështu ndodhte gjithnjë: reja e mbulonte tabernakullin gjatë ditës dhe natën kishte pamjen e një zjarri.
9:17 Sa herë që reja ngrihej mbi çadrën, bijtë e Izraelit niseshin për rrugë pas kësaj; dhe aty ku ndalej reja, aty bijtë e Izraelit vendosnin kampin e tyre.
9:18 Me urdhër të Zotit bijtë e Izraelit nisnin ecjen e tyre dhe me urdhër të tij fushonin; rrinin në kampin e tyre aq kohë sa qëndronte reja mbi tabernakull.
9:19 Kur reja qëndronte për shumë ditë mbi tabernakullin, bijtë e Izraelit respektonin urdhrin e Zotit dhe nuk lëviznin.
9:20 Por në rast se reja ndalej vetëm pak ditë mbi tabernakullin, me urdhër të Zotit ata qëndronin në kampin e tyre dhe me urdhër të Zotit niseshin për rrugë.
9:21 Në rast se reja ndalej vetëm nga mbrëmja deri në mëngjes, kur ajo ngrihej në mëngjes, ata niseshin për rrugë; si ditën ashtu dhe natën, kur reja ngrihej, ata viheshin në lëvizje.
9:22 Në qoftë se reja qëndronte e palëvizshme mbi tabernakullin dy ditë, një muaj apo një vit, bijtë e Izraelit qëndronin në kampin e tyre dhe nuk lëviznin; por kur ajo ngrihej, ata nisnin udhëtimin.
9:23 Me urdhër të Zotit fushonin dhe me urdhër të tij viheshin në lëvizje; respektonin urdhrin e Zotit, simbas asaj që ai kishte urdhëruar me anë të Moisiut.