SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI
Bijtë e Jakobit, të dërguar në Egjipt, njihen nga Jozefi
42:1 Por Jakobi, pasi mësoi se në Egjipt kishte grurë, u tha bijve të tij: "Pse shikoni njëri-tjetrin?".
42:2 Pastaj tha: "Ja, dëgjova se në Egjipt ka grurë; shkoni atje poshtë për të blerë grurë për ne, që të mundim të jetojmë dhe të mos vdesim".
42:3 Kështu dhjetë vëllezërit e Jozefit zbritën në Egjipt për të blerë grurë.
42:4 Por Jakobi nuk e dërgoi Beniaminin, vëllanë e Jozefit, me vëllezërit e tij, sepse thoshte: "Të mos i ngjasë ndonjë fatkeqësi".
42:5 Bijtë e Izraelit arritën aty, pra, për të blerë grurë, në mes të të ardhurve të tjerë, sepse në vendin e Kanaanëve mbretëronte zija.
42:6 Jozefi ishte qeveritari i vendit; ai u shiste grurë tërë njerëzve të vendit; dhe vëllezërit e Jozefit erdhën dhe u përulën para tij me fytyrën për tokë.
42:7 Jozefi pa vëllezërit e tij dhe i njohu, por u suall me ta si një i huaj dhe përdori fjalë të ashpra me ta, duke u thënë: "Nga vini?". Ata u përgjigjën: "Nga vendi i Kanaanit për të blerë ushqime".
42:8 Kështu Jozefi njohu vëllezërit e tij, por ata nuk e njohën atë.
42:9 Atëherë Jozefit iu kujtuan ëndrrat që kishte parë rreth tyre dhe tha: "Ju jeni spiunë! Keni ardhur këtu për të parë pikat e pambrojtura të vendit!".
42:10 Ata iu përgjegjën: "Jo, zotëria im; shërbëtorët e tu kanë ardhur për të blerë ushqime.
42:11 Jemi të gjithë bijtë e të njejtit njeri, jemi njerëz të ndershëm; shërbëtorët e tu nuk janë spiunë".
42:12 Por ai u tha atyre: "Jo, ju keni ardhur për të parë pikat e pambrojtura të vendit!".
42:13 Atëherë ata thanë: "Ne, shërbëtorët e tu, jemi dymbëdhjetë vëllezër, bij të të njëjtit njeri nga vendi i Kanaanit. Dhe ja, pra, më i riu është sot me atin tonë, dhe njeri prej tyre nuk është më".
42:14 Por Jozefi u tha atyre: "Çështja qëndron ashtu siç ju thashë: ju jeni spiunë!
42:15 Ja si do të viheni në provë: ashtu siç është e vërteta që Faraoni jeton, nuk do të dilni këtej para se vëllai juaj më i vogël të vijë këtu.
42:16 Dërgoni njerin prej jush të marrë vëllanë tuaj; dhe ju do të qëndroni këtu në burg, që fjalët tuaja të provohen dhe të shihet nëse thoni të vërtetën; për ndryshe, ashtu siç është e vërtetë që Faraoni jeton, ju jeni spiunë!".
42:17 Kështu i futi bashkë në burg për tri ditë.
Jozefi kërkon që t’i sjellin Beniaminin
42:18 Ditën e tretë, Jozefi u tha atyre: "Bëni këtë dhe do të jetoni; unë kam frikë nga Perëndia!
42:19 Në rast se jeni njerëz të ndershëm, njeri nga ju vëllezërit të rrijë i lidhur me zinxhir në burgun tonë, dhe ju shkoni t`u çoni grurë familjeve tuaja që vdesin urie;
42:20 pastaj më sillni vëllanë tuaj më të vogël; kështu do të vërtetohen fjalët tuaja dhe ju nuk keni për të vdekur". Dhe ata vepruan kështu.
42:21 Atëherë i thonin njëri-tjetrit: "Ne jemi me të vërtetë fajtorë ndaj vëllait tonë, sepse e pamë ankthin e shpirtit të tij kur ai na lutej, por nuk ia vumë veshin! Ja pse na ra kjo fatkeqësi".
42:22 Rubeni iu përgjegj atyre duke thënë: "A nuk ju thoja unë: "Mos kryeni këtë mëkat kundër fëmijës!"? Por ju nuk më dëgjuat. Prandaj tani na kërkohet llogari për gjakun e tij".
42:23 Ata nuk e dinin që Jozefi i kuptonte, sepse midis tij dhe atyre kishte një përkthyes.
42:24 Atëherë ai u largua nga ata dhe qau. Pastaj u kthye pranë tyre dhe u foli; mori Simeonin dhe vuri ta lidhnin me zinxhir para syve të tyre.
42:25 Pastaj Jozefi urdhëroi të mbushnin me grurë thasët e tyre, të vendosnin paratë e secilit në trastën e tij dhe t`u jepnin ushqime për udhëtimin. Dhe kështu u bë.
42:26 Ata ngarkuan, pra, grurin mbi gomarët e tyre dhe u larguan.
42:27 Tani, në vendin ku po kalonin natën, njëri prej tyre hapi trastën e vet për t`i dhënë ushqim gomarit të tij dhe pa aty brenda paratë e veta, që ishin në grykë të trastës;
42:28 kështu iu drejtua vëllezërve të tij: "Paratë e mia m`u rikthyen; ja ku janë në trastën time". Atëherë, zemërvrarë dhe të trembur, i thonin njëri-tjetrit: "Ç`është vallë kjo që na bëri Perëndia?".
Jakobi refuzon të dërgojë Beniaminin
42:29 Kështu arritën te Jakobi, ati i tyre, në vendin e Kanaanit dhe i treguan të gjitha ato që kishin ndodhur, duke thënë:
42:30 "Njeriu, që është zot i vendit, na foli ashpër dhe na trajtoi si spiunë të vendit.
42:31 Dhe ne i thamë: "Jemi njerëz të ndershëm, nuk jemi spiunë;
42:32 jemi dymbëdhjetë vëllezër, bij të atit tonë; njëri nuk është më dhe më i riu ndodhet sot me atin tonë në vendin e Kanaanit".
42:33 Por ai njeri, zoti i vendit, na tha: "Nga kjo do të provoj nëse jeni njerëz të ndershëm: lini pranë meje një prej vëllezërve tuaj, merrni me vete ushqime për familjen tuaj që po vdes nga uria dhe shkoni;
42:34 pastaj më sillni vëllanë tuaj më të vogël. Kështu do të provoj që nuk jeni spiunë, por njerëz të ndershëm; unë do t`ju kthej vëllanë tuaj dhe ju do të keni mundësi të bëni tregëti këtu"".
42:35 Ndërsa ata po zbraznin trastat e tyre, ja që pakot e parave të secilit ishin në trastën e secilit; kështu ata dhe ati i tyre i panë pakot e parave të tyre dhe i zuri frika.
42:36 Atëherë Jakobi, ati i tyre, tha: "Ju më keni lënë pa bijtë e mi! Jozefi nuk është më, Simeoni nuk është më, dhe doni të më hiqni edhe Beniaminin! E tërë kjo rëndon mbi mua!".
42:37 Rubeni i tha të atit: "Po nuk ta ktheva, urdhëro të vriten dy bijtë e mi. Besoma mua, unë do të ta kthej".
42:38 Por Jakobi u përgjigj: "Biri im nuk ka për të zbritur me ju, sepse vëllai i tij vdiq dhe mbeti vetëm ky: po t`i ndodhte ndonjë fatkeqësi gjatë udhëtimit, do të kallnit në varr pleqërinë time të dhembshme".