Zanafilla 48

SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI

Jakobi bekon Efraimin dhe Manasin

48:1 Mbas këtyre gjërave, ndodhi që i thanë Jozefit: "Ja, ati yt është i sëmurë". Kështu ai mori me vete dy bijtë e tij, Manasin dhe Efraimin.

48:2 Kur i thanë Jakobit: "Ja, biri yt Jozefi po vjen te ti", Izraeli mblodhi tërë forcat dhe u ul mbi shtratin e tij.

48:3 Atëherë Jakobi i tha Jozefit: "Perëndia i plotfuqishëm m`u shfaq në Luc, në vendin e Kanaanit, më bekoi

48:4 dhe më tha: "Ja, unë do të të bëj frytdhënës, do të të shumoj, do të bëj prej teje një shumicë popujsh dhe do t`u jap këtë vend pasardhësve të tu pas teje, si pronë përjetë".

48:5 Tani dy bijtë e tu, që të kanë lindur në vendin e Egjiptit para se unë të vija tek ti në Egjipt, janë të mitë. Efraimi dhe Manasi janë të mitë, ashtu si Rubeni dhe Simeoni.

48:6 Por bijtë që ke lindur mbas tyre do të jenë të tutë; në territorin e trashëgimisë së tyre do të thirren me emrin e vëllezërve të tyre.

48:7 Sa për mua, ndërsa po kthehesha nga Padani, Rakela vdiq pranë meje gjatë udhëtimit, në vendin e Kanaanit, aty afër Efratës; dhe e varrosa atje, në rrugën e Efratës, që është Betlemi".

48:8 Kur Izraeli pa bijtë e Jozefit, tha: "Kush janë këta?".

48:9 Jozefi iu përgjegj të atit: "Janë fëmijët e mi që Perëndia më ka dhënë këtu". Atëherë ai tha: "M`i afro dhe unë do t`i bekoj".

48:10 Tani sytë e Izraelit ishin venitur për shkak të moshës dhe nuk shihte fare. Jozefi i afroi ata dhe ai i puthi dhe i përqafoi.

48:11 Pastaj Izraeli i tha Jozefit: "Unë nuk mendoja të shikoja përsëri fytyrën tënde, por tani Perëndia më dha mundësinë të shikoj edhe pasardhësit e tu".

48:12 Jozefi i tërhoqi nga gjunjët e të atit dhe u përul me fytyrën në tokë.

48:13 Pastaj Jozefi i mori që të dy: Efraimin në të djathtë të tij dhe në të majtë të Izraelit, Manasin në të majtë të tij dhe në të djathtë të Izraelit, dhe i afroi pranë atij.

48:14 Atëherë Izraeli zgjati dorën e tij të djathtë dhe e vuri mbi kryet e Efraimit që ishte më i riu, dhe vuri dorën e tij të majtë mbi kryet e Manasit duke kryqëzuar duart, ndonëse Manasi ishte i parëlinduri.

48:15 Kështu bekoi Jozefi dhe tha: "Perëndia, para të cilit ecën etërit e mi Abrahami dhe Isaku, Perëndia që më ka ushqyer qysh prej lindjes sime deri më sot,

48:16 Engjëlli që më ka çliruar nga çdo e keqe, le t`i bekojë këta fëmijë! Le të quhen me emrin tim dhe me emrin e etërve të mi Abraham dhe Isak, dhe të shumohen fort mbi tokë!".

48:17 Kur Jozefi pa që i ati kishte vënë dorën e djathtë mbi kokën e Efraimit, kjo nuk i pëlqeu; prandaj ai kapi dorën e atit të tij për ta hequr nga kryet e Efraimit dhe për ta vënë mbi kryet e Manasit.

48:18 Pastaj Jozefi i tha atit të tij: "Jo kështu, ati im, sepse i parëlinduri është ky këtu; vëre dorën tënde të djathtë mbi kryet e tij".

48:19 Por i ati refuzoi dhe tha: "E di, biri im, e di; edhe ai do të bëhet një popull, edhe ai do të jetë i madh; megjithatë, vëllai yt më i vogël do të bëhet më i madh se ai, dhe pasardhësit e tij do të bëhen një mori kombesh".

48:20 Dhe atë ditë i bekoi duke thënë: "Për ty Izraeli ka për të bekuar, duke thënë: "Perëndia të të bëj si Efraimi dhe si Manasi!"". Kështu ai e vuri Efraimin para Manasit.

48:21 Pastaj Izraeli i tha Jozefit: "Ja, unë kam për të vdekur pas pak, por Perëndia do të jetë me ju dhe do t`ju çojë përsëri në vendin e etërve tuaj.

48:22 Veç kësaj, ty po të jap një pjesë më të madhe në krahasim me vëllezërit e tu, atë që fitova nga Amorejtë me shpatën dhe harkun tim".