SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI
Jozefi shpjegon ëndrrat e kupëmbajtësit dhe të bukëpjekësit të Faraonit
40:1 Mbas këtyre gjërave, ndodhi që kupëmbajtësi dhe bukëpjekësi i mbretit të Egjiptit fyen zotërinë e tyre, mbretin e Egjiptit.
40:2 Dhe Faraoni u zemërua me të dy oficerët e tij, kryekupëmbajtësin dhe kryebukëpjekësin,
40:3 dhe i futi në burg, në shtëpinë e kreut të rojeve, në po atë burg ku ishte mbyllur Jozefi.
40:4 Dhe kapiteni i rojeve i la nën mbikqyrjen e Jozefit, i cili i ndihmonte. Kështu ata qëndruan në burg për një farë kohe.
40:5 Po atë natë, kupëmbajtësi dhe bukëpjekësi i mbretit të Egjiptit, që ishin të mbyllur në burg, panë që të dy një ëndërr, secili ëndrrën e tij, me një kuptim të veçantë.
40:6 Dhe të nesërmen në mëngjes Jozefi erdhi tek ata dhe vuri re se ishin të shqetësuar.
40:7 Atëherë ai pyeti oficerët e Faraonit, që ishin me të në burg, në shtëpinë e zotërisë së tij dhe u tha: "Pse keni sot një fytyrë kaq të trishtuar?".
40:8 Ata iu përgjegjën: "Kemi parë një ëndërr dhe askush nuk është në gjëndje ta interpretojë". Atëherë Jozefi u tha atyre: "Interpretimet nuk i përkasin vallë Perëndisë? Më tregoni ëndrrat, ju lutem".
40:9 Kështu kryekupëmbajtësi i tregoi Jozefit ëndrrën e tij dhe i tha: "Në ëndrrën time kisha përpara një hardhi;
40:10 dhe në atë hardhi kishte tri degë, të cilat sa vunë lastarë, lulëzuan dhe dhanë vile rrushi të pjekur.
40:11 Tani unë kisha në dorë kupën e Faraonit; mora rrushin, e shtrydha në kupën e Faraonit dhe e vura kupën në dorë të Faraonit".
40:12 Jozefi i tha: "Ky është interpretimi i ëndrrës: tri degët janë tri ditë;
40:13 në krye të tri ditëve Faraoni do të të bëjë të ngresh përsëri kokën lart, do të të rivendosë në detyrën tënde dhe ti do t`i japësh në dorë kupën Faraonit, siç bëje më parë, kur ishe kupëmbajtësi i tij.
40:14 Por më kujto mua kur të jesh i lumtur; të lutem, trego dashamirësi ndaj meje, duke i folur për mua Faraonit, dhe më nxirr nga kjo shtëpi;
40:15 sepse mua më sollën fshehurazi nga vendi i hebrejve, dhe këtu s`kam bërë gjë për t`u futur në këtë burg të nëndheshëm".
40:16 kryebukëpjekësi, duke parë se interpretimi ishte i favorshëm, i tha Jozefit: "Edhe unë në ëndrrën time kisha tri shporta me bukë të bardhë mbi krye;
40:17 dhe në shportën më të lartë kishte çdo lloj gjellësh të pjekura në furrë për Faraonin; dhe zogjtë i hanin nga shporta që kisha mbi krye".
40:18 Atëherë Jozefi u përgjegj dhe tha: "Ky është interpretimi i ëndrrës: tri shportat janë tri ditë;
40:19 në krye të tri ditëve Faraoni do të të heqë kokën nga shpatullat, do të varë në një pemë, dhe zogjtë do të hanë mishrat e trupit tënd".
40:20 Tani ditën e tretë, ditën e përvjetorit të Faraonit, ndodhi që ai shtroi një banket për të gjithë shërbëtorët e tij; dhe bëri që të ngrinin kokën lartë si kryekupëmbajtësi dhe kryebukëpjekësi, në mes të shërbëtorëve të tij.
40:21 Kështu e rivendosi kryekupëmbajtësin në detyrën e tij si kupëmbajtës që t`i jepte kupën në dorë Faraonit,
40:22 por bëri që ta varnin kryebukëpjekësin simbas interpretimit që Jozefi u kishte dhënë.
40:23 Por kryekupëmbajtësi nuk u kujtua për Jozefin, por e harroi.