Zanafilla 5

SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI

Pasardhësit e Adamit nëpër vijën e Sethit deri te Noeu

5:1 Ky është libri i prejardhjes së Adamit. Ditën që Perëndia krijoi njeriun e bëri të ngjashëm me Perëndinë.

5:2 Ai i krijoi mashkull dhe femër, i bekoi dhe u dha emrin njeri, ditën që u krijuan.

5:3 Adami jetoi njëqind e tridhjetë vjet dhe i lindi një djalë që i përngjiste, një lloj në shëmbëlltyrë të tij dhe e quajti Seth.

5:4 Mbas lindjes së Sethit, Adami jetoi tetëqind vjet dhe pati bij dhe bija.

5:5 Kështu Adami jetoi gjithsej nëntëqind e tridhjetë vjet; pastaj vdiq.

5:6 Sethi jetoi njëqind e pesë vjet dhe i lindi Enoshi.

5:7 Pas lindjes së Enoshit, Sethi jetoi tetëqind e shtatë vjet dhe pati bij e bija të tjerë.

5:8 Kështu tërë koha që Sethi jetoi qe nëntëqind e dymbëdhjetë vjet; pastaj vdiq.

5:9 Enoshi jetoi nëntëdhjetë vjet dhe i lindi Kenani.

5:10 Mbas lindjes së Kenanit, Enoshi jetoi tetëqind e pesëmbëdhjetë vjet dhe pati bij e bija të tjerë.

5:11 Kështu Enoshi jetoi gjithsej nëntëqind e pesë vjet; pastaj vdiq.

5:12 Kenani jetoi shtatëdhjetë vjet dhe i lindi Mahalaleeli.

5:13 Mbas lindjes së Mahalaleelit, Kenani jetoi tetëqind e dyzet vjet dhe pati bij e bija të tjerë.

5:14 Kështu Kenani jetoi gjithsej nëntëqind e dhjetë vjet; pastaj vdiq.

5:15 Mahalaleeli jetoi gjashtëdhjetë e pesë vjet dhe i lindi Jaredi.

5:16 Mbas lindjes së Jaredit, Mahalaleeli jetoi tetëqind e tridhjetë vjet dhe pati bij e bija të tjerë.

5:17 Kështu Mahalaleeli jetoi gjithsej tetëqind e nëntëdhjetë e pesë vjet; pastaj vdiq.

5:18 Jaredi jetoi njëqind e gjashtëdhjetë e dy vjet dhe i lindi Enoku.

5:19 Mbas lindjes së Enokut, Jaredi jetoi tetëqind vjet dhe pati bij dhe bija të tjerë.

5:20 Kështu Jaredi jetoi gjithsej nëntëqind e gjashtëdhjetë e dy vjet; pastaj vdiq.

5:21 Enoku jetoi gjashtëdhjetë e pesë vjet dhe i lindi Methuselahu.

5:22 Mbas lindjes të Methuselahut, Enoku eci me Perëndinë treqind vjet dhe pati bij e bija të tjerë.

5:23 Kështu Enoku jetoi gjithsej treqind e gjashtëdhjetë e pesë vjet.

5:24 Pra Enoku eci me Perëndinë, por nuk u gjend më, sepse Perëndia e mori me vete.

5:25 Metuselahu jetoi njëqind e tetëdhjetë e shtatë vjet dhe i lindi Lameku.

5:26 Mbas lindjes së Lamekut, Metuselahu jetoi shtatëqind e tetëdhjetë e dy vjet dhe i lindën bij e bija.

5:27 Kështu Metuselahu jetoi gjithsej nëntëqind e gjashtëdhjetë e nëntë vjet; pastaj ai vdiq.

5:28 Lameku jetoi njëqind e tetëdhjetë e dy vjet dhe i lindi një bir;

5:29 dhe i vuri emrin Noe, duke thënë: "Ky do të na ngushëllojë për punën tonë dhe për mundin e duarve tona, për shkak të tokës që Zoti e ka mallkuar".

5:30 Pasi solli në këtë botë Noeun, Lameku jetoi pesëqind e nëntëdhjetë e pesë vjet dhe i lindën bij e bija të tjerë.

5:31 Kështu Lameku jetoi gjithsej shtatëqind e shtatëdhjetë e shtatë vjet, pastaj ai vdiq.

5:32 Noeut, në moshën pesëqind vjeç, i lindi Semi, Kami dhe Jafeti.

[previous][next]