SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI
Jakobi përgatitet të takohet me Esaun
32:1 Ndërsa Jakobi vazhdonte rrugën e tij, i dolën përpara engjëj të Perëndisë.
32:2 Mbasi i pa Jakobi, tha: "Ky është fushimi i Perëndisë"; dhe e quajti atë vend Mahanaim.
32:3 Pastaj Jakobi dërgoi para tij disa lajmëtarë vëllait të tij Esau, në vendin e Seirit, në fushën e Edomit.
32:4 Dhe u dha atyre këtë urdhër duke thënë: "Do t`i thoni kështu Esaut, zotërisë tim: "Kështu thotë shërbyesi yt Jakobi: Unë kam banuar pranë Labanos dhe kam qëndruar aty deri tani;
32:5 kam qe, gomarë, kope, shërbyes dhe shërbyese; dhe këtë po ja tregoj zotërisë tim, për të gjetur hir në sytë e tu"".
32:6 Lajmëtarët u kthyen pastaj te Jakobi, duke i thënë: "Vajtëm te vëllai yt Esau; dhe tani ai po vjen vetë që të takohet me ty dhe ka me vete katërqind burra".
32:7 Atëherë Jakobin e zuri një frikë e madhe dhe një ankth dhe ndau dysh njerëzit që ishin me të, kopetë, bagëtinë e trashë dhe devetë, dhe tha:
32:8 "Në qoftë se Esau vjen kundër njerit grup dhe e sulmon, grupi që mbetet do të mund të shpëtojë".
32:9 Pastaj Jakobi tha: "O Perëndi i atit tim Abraham, Perëndi i atit tim Isak, o Zot, që më ke thënë: "Ktheu në vendin tënd dhe pranë fisit tënd dhe unë do të bëj të mirë",
32:10 unë nuk jam i denjë i të gjitha mirësive dhe i gjithë besnikërisë që ke treguar ndaj shërbyesit tënd, sepse unë e kalova këtë Jordan vetëm me shkopin tim dhe tani janë bërë dy grupe.
32:11 Çliromë, të lutem, nga duart e vëllait tim, nga duart e Esaut, sepse unë kam frikë nga ai dhe druaj që ai të vijë për të më sulmuar, pa kursyer as nënat as fëmijët.
32:12 Dhe ti the: "Pa tjetër, unë do të të bëj mirë dhe do t`i bëj pasardhësit e tu si rëra e detit, që nuk mund të llogaritet se është shumë e madhe"".
32:13 Kështu Jakobi e kaloi natën në atë vend, dhe nga ato që kishte nëpër duar ai zgjodhi një dhuratë për vëllanë e tij Esau:
32:14 dyqind dhi, njëzet cjep, dyqind dele dhe njëzet desh,
32:15 tridhjetë deve qumështore me të vegjëlit e tyre, dyzet lopë dhe dhjetë dema, njëzet gomarica dhe dhjetë mëza.
32:16 Pastaj ua dorëzoi shërbyesve të tij, çdo kope për llogari të vet, dhe u tha shërbëtorëve të tij: "Kaloni para meje dhe lini një farë hapësire midis një kopeje dhe tjetrës".
32:17 Dhe i dha urdhër të parit: "Kur vëllai im Esau do të të takojë dhe do të të pyesë: "I kujt je ti dhe ku shkon? Të kujt janë këto kafshë para teje?",
32:18 ti do të përgjigjesh: "Janë të shërbëtorit tënd Jakobit; është një dhuratë e dërguar zotërisë tim Esau; dhe ja, ai vetë po vjen mbas nesh"".
32:19 Ai i dha të njëjtin urdhër të dytit, të tretit dhe gjithë atyre që ndiqnin kopetë, duke u thënë: "Në këtë mënyrë do t`i flisni Esaut kur do ta takoni;
32:20 dhe do t`i thoni: "Ja, shërbëtori yt Jakobi është duke ardhur vetë pas nesh"". Sepse thoshte: "Unë do ta qetësoj me dhuratën që më paraprin e pastaj do të shikoj fytyrën e tij; ndofta do të më presë mirë".
32:21 Kështu dhurata shkoi para tij, por ai e kaloi natën në fushim.
32:22 Por atë natë ai u ngrit, mori dy gratë e tij, dy shërbëtoret dhe të njëmbëdhjetë fëmijët e tij dhe e kaloi vaun e lumit Jabbok.
32:23 I mori me vete dhe bëri që të kalonin përruan të gjitha gjërat që zotëronte.
Jakobi lufton me engjëllin në Peniel
32:24 Kështu Jakobi mbeti vetëm dhe një burrë luftoi me të deri në agim.
32:25 Kur ky burrë e pa se nuk mund ta mundte, i preku zgavrën e ijës; dhe zgavra e ijes së Jakobit u përdrodh, ndërsa ai luftonte kundër tij.
32:26 Dhe ai tha: "Lërmë të shkoj, se po lind agimi". Por Jakobi iu përgjegj: "Nuk do të të lë të shkosh, në rast se nuk më bekon më parë!".
32:27 Tjetri i tha: "Cili është emri yt?". Ai u përgjegj: "Jakob".
32:28 Atëherë ai i tha: "Emri yt nuk do të jetë më Jakob, por Israel, sepse ti ke luftuar bashkë me Perëndinë dhe me njerëzit, dhe ke fituar".
32:29 Jakobi i tha: "Të lutem, tregomë emrin tënd". Por ai iu përgjegj: "Pse e do emrin tim?".
32:30 Dhe kështu ai e bekoi. Atëherë Jakobi e quajti këtë vend Peniel, sepse tha: "E pashë Perëndinë ballë për ballë dhe jeta ime u fal".
32:31 Mbasi ai kaloi Penielin, dielli po ngrihej; dhe Jakobi çalonte për shkak të ijës.
32:32 Për këtë arësye, deri në ditën e sotme, bijtë e Izraelit nuk e hanë gilcën e kofshës që kalon nëpër zgavrën e ijës, sepse ai njeri kishte prekur zgavrën e ijës së Jakobit në pikën e gilcës së kofshës.