SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI
Jakobi pranon me dhimbje nisjen e Beniaminit
 43:1  Por zija ishte e madhe në vend;
 43:2  dhe kur mbaruan së ngrëni grurin që kishin sjellë nga Egjipti, i ati u tha atyre: "Kthehuni për të na blerë pak ushqime".
 43:3  Por Juda iu përgjegj duke thënë: "Ai njeri na ka paralajmëruar haptas duke thënë: "Nuk keni për ta parë fytyrën time, në qoftë se vëllai juaj nuk do të jetë me ju".
 43:4  Në qoftë se ti e nis vëllanë tonë me ne, ne do të zbresim dhe do të të blejmë ushqime;
 43:5  por në rast se nuk e nis, ne nuk kemi për të zbritur, sepse ai njeri na tha: "Nuk keni për ta parë fytyrën time, në rast se vëllai juaj nuk do të jetë me ju"".
 43:6  Atëherë Izraeli tha: "Pse më dhatë këtë dhembje duke i thënë atij njeriu që kishit edhe një vëlla?".
 43:7  Ata iu përgjigjën: "Ai njeri na pyeti me shumë kujdes për ne dhe farefisin tonë, duke thënë: "Gjallë është ende ati juaj? Keni ndonjë vëlla tjetër?". Dhe ne u përgjigjëm në bazë të këtyre pyetjeve  të tij. Ku të na shkonte nga mendja që ai do  të na thoshte: "Silleni këtu vëllanë tuaj"?".
 43:8  Pastaj Juda i tha Izraelit, atit të tij: "Lëre fëmijën të vijë me mua, dhe do të çohemi dhe do të shkojmë në mënyrë që të rrojmë dhe jo të vdesim, si ne ashtu dhe ti e të vegjëlit tanë.
 43:9  Unë bëhem garant për të; do t`i kërkosh llogari dorës sime për atë. Në rast se nuk e rikthej dhe nuk e vë para teje, do të jem fajtor para teje për gjithnjë.
 43:10  Po të mos ishim vonuar, në këtë orë do të ishim kthyer për të dytën herë".
 43:11  Atëherë Izraeli, ati i tyre, u tha atyre: "Po të jetë ashtu, veproni në këtë mënyrë: merrni në trastat tuaja disa nga prodhimet më të mira të vendit dhe i çoni atij njeriu një dhuratë: pak balsam,
 43:12  Merrni me vete dyfishin e parave dhe kthejani paratë që ju vunë në grykën e trastave tuaja, ndofta ka qenë një gabim.
 43:13  Merrni edhe vëllanë tuaj, dhe çohuni dhe kthehuni tek ai njeri;
 43:14  dhe Perëndia i plotfuqishëm t`ju bëjë të gjeni hir para atij njeriu, kështu që ai të lirojë vëllanë tjetër tuajin dhe Beniaminin. Sa për mua, po të jetë se duhet të mbetem pa bijtë e mi, ashtu qoftë!".
Pritja që Jozefi i bëri Beniaminit
 43:15  Ata, pra, morën me vete dhuratën si dhe dyfishin e parave dhe Beniaminin; u ngritën dhe zbritën në Egjipt dhe u paraqitën para Jozefit.
 43:16  Kur Jozefi pa Beniaminin bashkë me ta, i tha kryeshërbëtorit të shtëpisë së tij: "Çoji këta njerëz në shtëpi, ther një kafshë dhe përgatit një banket, sepse ata do të hanë drekë bashkë me mua".
 43:17  Dhe ai bëri ashtu siç e urdhëroi Jozefi dhe i çoi në shtëpinë e Jozefit.
 43:18  Por ata u trembën, për shkak se i kishin çuar në shtëpi të Jozefit dhe thanë: "Na sollën këtu për shkak të atyre parave që na u vunë në trastat të parën herë, për të gjetur një shkas kundër nesh,  për t`u sulur mbi ne dhe për të na zënë skllevër  bashkë me gomarët tonë".
 43:19  Pasi iu afruan kryeshërbëtorit të shtëpisë së Jozefit, folën me të te dera e shtëpisë dhe thanë:
 43:20  "Zotëria im, ne zbritëm në të vërtetë herën e parë këtu për të blerë ushqime;
 43:21  dhe ndodhi që, kur arritëm në vendin ku kaluam natën, hapëm trastat dhe, ja, paratë e secilit prej nesh ndodheshin në grykë të trastës së vet; paratë tona me peshën e tyre të saktë; tani i kemi risjellë me vete.
 43:22  Dhe kemi sjellë me vete para të tjera për të blerë ushqime; ne nuk e dimë kush mund t`i ketë vënë paratë tona në trastat tona".
 43:23  Por ai tha: "Qetësohuni, mos u trembni: Perëndia juaj dhe Perëndia e atit tuaj ka vënë një thesar në trastat tuaja. Unë i pata paratë tuaja". Pastaj u solli Simeonin.
 43:24  Ai njeri i futi në shtëpinë e Jozefit, u dha ujë që të lanin këmbët dhe ushqim për gomarët e tyre.
43:25  Atëherë ata përgatitën dhuratën, duke pritur që Jozefi të vinte në mesditë, sepse kishin dëgjuar që do të rrinin për të ngrënë në atë vend.
43:26  Kur Jozefi arriti në shtëpi, ata i paraqitën dhuratën që kishin sjellë me vete në shtëpi, dhe u përkulën para tij deri në tokë.
43:27  Ai i pyeti si ishin dhe tha: "Ati juaj, për të cilin më keni folur, a është mirë? Éshtë ende gjallë?".
43:28  Ata u përgjegjën: "Shërbëtori yt, ati ynë, është mirë; jeton ende". Dhe e nderuan duke u përkulur.
43:29  Pastaj Jozefi ngriti sytë, pa vëllanë e tij Beniaminin, bir i nënës së tij, dhe tha: "Ky është vëllai juaj më i vogël për të cilin më folët?". Dhe shtoi: "Perëndia të ndihmoftë, biri im!".
43:30  Atëherë Jozefi nxitoi të dalë jashtë, sepse ishte mallëngjyer thellë për shkak të vëllait të tij, dhe kërkonte vend ku të qante. Hyri kështu në dhomën e tij dhe aty qau.
43:31  Pastaj lau fytyrën dhe doli; dhe duke i dhënë zemër vetes, tha: "Shtrojeni drekën".
43:32  Dreka u shtrua veçmas për të, veçmas për ata dhe për Egjiptasit që hanin veçmas nga ai, sepse Egjiptasit nuk mund të hanin bashkë me Hebrejtë; kjo do të ishte një gjë e neveritshme për Egjiptasit.
43:33  Kështu ata u ulën përpara tij: i parëlinduri simbas së drejtës së tij të parëbirnisë dhe më i riu simbas moshës së tij; dhe e shikonin njëri-tjetrin me habi.
43:34  Dhe Jozefi urdhëroi që t`u sillnin racione nga tryeza e vet; por racioni i Beniaminit ishte pesë herë më i madh nga ai i secilit prej tyre. Dhe pinë dhe u gëzuan me të.
