SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI
Jozefi u shfaqet vëllezërve të tij
45:1 Atëherë Jozefi nuk e përmbajti dot më veten para tërë të pranishmëve dhe briti: "Nxirrini jashtë të gjithë nga prania ime!". Kështu nuk mbeti asnjëri me Jozefin kur ai u tregoi vëllezërve të tij se kush ishte.
45:2 Dhe qau aq fort sa që e dëgjuan edhe vet Egjiptasit, dhe ky lajm arriti edhe në shtëpinë e Faraonit.
45:3 Pastaj Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Unë jam Jozefi, a është ende gjallë ati im?". Por vëllezërit e tij nuk mund t`i përgjigjeshin, sepse ishin të tronditur thellë në praninë e tij.
45:4 Atëherë Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Afrohuni, pra, tek unë!". Ata iu afruan dhe ai u tha: "Unë jam Jozefi, vëllai juaj, që ju e shitët që ta çonin në Egjipt.
45:5 Por tani mos u trishtoni dhe mos t`ju vijë keq që më shitët me qëllim që të çohesha këtu poshtë, sepse Perëndia më ka dërguar para jush për të ruajtur jetën tuaj.
45:6 Në fakt u bënë dy vjet që ra zija e bukës në vend; dhe do të ketë pesë vjet të tjera gjatë të cilave as do të lërohet, as do të korret.
45:7 Por Perëndia më ka dërguar para jush, me qëllim që të ruhet diçka mbi tokë dhe për t`ju shpëtuar jetën me një çlirim të madh.
45:8 Nuk jeni ju, pra, që më dërguat këtu, por është Perëndia; ai më caktoi si atë i Faraonit, si zot i krejt shtëpisë së tij dhe si qeveritar i tërë vendit të Egjiptit.
45:9 Nxitoni të riktheheni tek ati im dhe i thoni: "Kështu thotë biri yt Jozefi: Perëndia më ka caktuar si zot i gjithë Egjiptit; zbrit tek unë, mos u vono;
45:10 ti do të banosh në vendin e Goshenit dhe do jesh afër meje; ti dhe bijtë e tu, bijtë e bijve të tu, kopetë e bagëtive të imta e të trasha dhe gjithçka ti zotëron.
45:11 Dhe atje unë do të të ushqej, sepse do të ketë edhe pesë vjet të tjera zije, me qëllim që ti të mos katandisesh në mjerim: ti, familja jote dhe gjithçka zotëron".
45:12 Dhe ja, sytë tuaja dhe sytë e vëllait tim Beniaminit shohin që është goja ime që ju flet.
45:13 Tregojani, pra, atit tim tërë lavdinë time këtu në Egjipt dhe gjithçka patë, shpejtoni ta sillni atin tim këtu".
45:14 Pastaj iu hodh në qafë vëllait të tij Beniamin dhe qau, dhe Beniamini qau i shtrënguar në qafën e tij.
45:15 Ai puthi gjithashtu tërë vëllezërit e tij dhe qau i shtrënguar me ta. Pastaj vëllezërit e tij filluan të flasin me të.
Faraoni përkrah planet e Jozefit
45:16 Jehona e kësaj ngjarjeje u përhap në shtëpinë e Faraonit dhe njerëzit thanë: "Kanë ardhur vëllezërit e Jozefit". Kjo i pëlqeu Faraonit dhe shërbëtorëve të tij.
45:17 Atëherë Faraoni i tha Jozefit: "Thuaju vëllezërve të tu: "Bëni këtë: Ngarkoni kafshët tuaja dhe shkoni; kthehuni në vendin e Kanaanit.
45:18 Pastaj merrni atin tuaj dhe familjet tuaja, dhe ejani tek unë; unë do t`ju jap më të mirat e vendit të Egjiptit dhe do të hani prodhimet më të zgjedhura të vendit".
45:19 Ti ke urdhërin t`u thuash atyre: "Bëni këtë: Merrni me vete nga vendi i Egjiptit qerre për të vegjëlit tuaj dhe për gratë tuaja; merrni atin tuaj dha ejani.
45:20 Dhe mos u shqetësoni për orenditë shtëpiake, sepse sendet më të mira që ka Egjipti do të jenë tuajat"".
45:21 Bijtë e Izraelit vepruan kështu, dhe Jozefi u dha atyre qerre, simbas urdhërit të Faraonit, si edhe ushqime për udhëtimin.
45:22 Të gjithëve u dha një palë rroba për ndërresë për secilin, por Beniaminit i dha treqind sikla argjendi dhe pesë ndërresa veshmbathje;
45:23 atit të tij i dërgoi: dhjetë gomarë të ngarkuar me gjërat më të mira të Egjiptit, dhjetë gomarica të ngarkuara me grurë, bukë dhe ushqime për atin e tij gjatë udhëtimit.
45:24 Kështu i nisi vëllezërit e tij dhe, ndërsa ata po iknin, u tha: "Mos u grindni rrugës".
45:25 Atëherë ata u ngjitën përsëri nga Egjipti dhe arritën në vendin e Kanaanit te Jakobi, ati i tyre.
45:26 Dhe i kallëzuan gjithçka, duke thënë: "Jozefi është ende gjallë dhe është qeveritari i gjithë shtetit të Egjiptit". Por zemra e atij nuk iu ngroh, sepse nuk u besonte atyre.
45:27 Po kur ata i treguan tërë fjalët që u kishte thënë Jozefi dhe kur pa qerret që Jozefi kishte dërguar për ta marrë atë, atëherë shpirti i Jakobit atit të tyre, u ringjall
45:28 dhe Izraeli tha: "Mjaft; djali im Jozefi është ende gjallë; unë do të shkoj ta shoh para se të vdes".