SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI
Jakobi bekon bijtë e tij
49:1 Pastaj Jakobi thirri bijtë e tij dhe tha: "Mblidhuni që unë t`ju njoftoj çfarë do t`ju ndodhë në ditët e ardhshme.
49:2 Mblidhuni dhe dëgjoni, o bijtë e Jakobit! Dëgjoni Izraelin, atin tuaj!
49:3 Ruben, ti je i parëlinduri im, forca ime, filli i fuqisë sime, i dalluar për dinjitet dhe për forcë.
49:4 I rrëmbyer si uji, ti nuk do të kesh epërsinë, sepse hipe mbi shtratin e atit tënd dhe e përdhose. Ai hipi mbi shtratin tim.
49:5 Simeoni dhe Levi janë vëllezër: shpatat e tyre janë vegla dhune.
49:6 Mos hyftë shpirti im në mendjen e tyre, lavdia ime mos u bashkoftë me kuvendin e tyre! Sepse në mërinë e tyre kanë vrarë njerëz, në kryeneçësinë e tyre u kanë prerë leqet e këmbëve demave.
49:7 Mallkuar qoftë mëria e tyre, sepse ka qënë e egër, dhe tërbimi i tyre sepse ka qënë mizor! Unë do t`i ndaj te Jakobi dhe do t`i shpërndaj te Izraeli.
49:8 Judë, vëllezërit e tu do të të lavdërojnë; dora jote do të jetë mbi zverkun e armiqve të tu; bijtë e atit tënd do të përkulen para teje.
49:9 Juda është një luan i ri; ti zë fill nga preja, biri im; ai përkulet, struket si një luan, si një luaneshë; kush guxon ta zgjojë?
49:10 Skeptri nuk do t`i hiqet Judës, as bastuni i komandimit nga këmbët e tij, deri sa të vijë Shilohu; dhe atij do t`i binden popujt.
49:11 Ai e lidh gomarin e tij të vogël në pjergull dhe kërriçin e gomaricës së tij në pjergullën më të mirë; i lan rrobat e tij në verë dhe mantelin e tij në gjakun e rrushit.
49:12 Ai i ka sytë të ndritura nga vera dhe dhëmbët e bardha nga qumështi.
49:13 Zabuloni do të banojë në breg të deteve; dhe do të përbëjë një vendstrehim për anijet; kufiri i tij do të zgjatet drejt Sidonit.
49:14 Isakari është një gomar i fuqishëm, i shtrirë nëpër vathë.
49:15 Ai e pa që çlodhja është e mirë dhe që vendi është i këndshëm; ai përkuli kurrizin për të mbajtur peshën dhe u bë një shërbëtor i punës së detyruar.
49:16 Dani do ta gjykojë popullin e tij, si një nga fiset e Izraelit.
49:17 Dani do të jetë një gjarpër në rrugë, një nepërkë nëpër shteg, që kafshon thembrat e kalit, kështu që kalorësi rrëzohet së prapthi.
49:18 Unë pres shpëtimin tënd, o Zot!
49:19 Një bandë grabitësish do të sulmojë Gadin, por edhe ai do t`i sulmojë këmba këmbës.
49:20 Nga Asheri do të vijë buka e shijshme dhe ai do të japë kënaqësira reale.
49:21 Neftali është një drenushe e lënë e lirë, ai thotë fjalë të bukura.
49:22 Jozefi është një degë e një druri frytdhënës; një degë e një druri frytdhënës që ndodhet pranë një burimi; degët e tij shtrihen mbi murin.
49:23 Harkëtarët e kanë provokuar, i kanë hedhur shigjeta, e kanë ndjekur;
49:24 por harku i tij ka mbetur i fortë; krahët e tij janë përforcuar nga duart e të Fuqishmit të Jakobit (e atij që është bariu dhe shkëmbi i Izraelit),
49:25 nga Perëndia e atit tënd që do të të ndihmojë dhe nga Shumë i Larti që do të të bekojë me bekimet e qiellit nga lart, me bekimet e humnerës që ndodhet poshtë, me bekimet e sisëve dhe gjirit të nënës.
49:26 Bekimet e atit tënd ua kalojnë bekimeve të të parëve të mi, deri në majat e kodrave të përjetshme. Ata do të jenë mbi kryet e Jozefit dhe mbi kurorën e atij që u nda nga vëllezërit e tij.
49:27 Beniamini është një ujk grabitqar; në mëngjes ha gjahun dhe në mbrëmje ndan prenë.
49:28 Tërë këta janë dymbëdhjetë fiset e Izraelit; dhe pikërisht këtë u tha ati i tyre kur i bekoi. I bekoi duke i dhënë secilit një bekim të veçantë.
Vdekja e Jakobit
49:29 Pastaj Jakobi i urdhëroi duke thënë: "Unë jam duke u ribashkuar me popullin tim; më varrosni pranë etërve të mi në shpellën që ndodhet në arën e Efron Hiteut,
49:30 në shpellën që është në fushën e Makpelahut përballë Mamres, në vendin e Kanaanit, atë që Abrahami bleu në arën nga Efron Hiteu, si vendvarrim, pronë e tij.
49:31 Atje u varrosën Abrahami dhe Sara, gruaja e tij, aty u varrosën Isaku dhe Rebeka, e shoqja, dhe aty unë varrosa Lean.
49:32 Ara dhe shpella që ndodhet aty u blenë nga bijtë e Hethit".
49:33 Kur Jakobi mbaroi së dhëni këto urdhëra bijve të tij, mblodhi këmbët në shtrat dhe vdiq; dhe u bashkua me popullin e tij.