Zanafilla 8

SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI

Ujërat e përmbytjes tërhiqen

8:1 Pastaj Perëndisë iu kujtua Noeu, të gjitha gjallesat dhe tërë bagëtia që ishte me të në arkë; dhe Perëndia bëri që të fryjë një erë mbi tokë dhe ujërat e ulën lartësinë e tyre.

8:2 Burimet e humnerës dhe kataraktet e qiellit u mbyllën dhe shiu nga qielli pushoi.

8:3 Dhe ujërat vazhduan të tërhiqeshin nga toka; dhe mbas njëqind e pesëdhjetë ditësh ishin pakësuar.

8:4 Në muajin e shtatë, ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, arka u ndal në malet e Araratit.

8:5 Dhe ujërat vazhduan të pakësohen deri në muajin e dhjetë. Në muajin e dhjetë, ditën e parë të muajit, u dukën majat e maleve.

8:6 Kështu, mbas dyzet ditësh, ndodhi që Noeu hapi dritaren që kishte bërë në arkë,

8:7 dhe nisi jashtë korbin, që vazhdoi të shkojë para dhe prapa, deri sa u thanë ujërat mbi tokë.

8:8 Pastaj lëshoi pëllumbin për të parë në se ujërat ishin pakësuar mbi sipërfaqen e tokës.

8:9 Por pëllumbi nuk gjeti dot vendin ku të mbështeste këmbën e tij dhe u kthye përsëri në arkë, sepse kishte ende ujëra mbi sipërfaqen e tërë tokës; dhe ai shtriu dorën, e kapi dhe e tërhoqi brenda arkës.

8:10 Priti atëherë shtatë ditë të tjera, pastaj e dërgoi përsëri pëllumbin jashtë arkës.

8:11 Dhe pëllumbi u kthye tek ai aty nga mbrëmja; dhe ja, ai kishte në sqep një gjethe ulliri të këputur, të njomë; kështu Noeu kuptoi se ujërat ishin tërhequr nga toka.

8:12 Atëherë priti shtatë ditë të tjera, pastaj e lëshoi jashtë pëllumbin, por ky nuk u kthye më tek ai.

8:13 Në vitin e gjashtëqindenjëtë të Noeut, gjatë muajit të parë, në ditën e parë të muajit, ujërat ishin tharë mbi tokë; dhe Noeu e zbuloi arkën, vështroi dhe ja që sipërfaqja e tokës ishte e thatë.

8:14 Dhe kështu në muajin e dytë, në ditën e njëzet e shtatë të tij, toka ishte e thatë.

Noeu del nga arka dhe adhuron Perëndinë

8:15 Atëherë Perëndia i foli Noeut, duke thënë:

8:16 "Dil nga arka ti, gruaja jote, bijtë e tu dhe gratë e bijve të tu bashkë me ty.

8:17 Nxirr me vete tërë kafshët që janë bashkë me ty, të çdo mishi që të jenë: zogj, bagëti dhe tërë rrëshqanorët që zvarriten mbi tokë, me qëllim që të rriten shumë mbi tokë dhe të jenë pjellorë e të shumohen mbi tokë".

8:18 Kështu Noeu doli me bijtë e tij, me gruan e tij dhe me gratë e bijve të tij.

8:19 Të gjitha kafshët, të gjithë rrëshqanorët, të gjithë zogjtë, gjthçka lëviz mbi tokë, simbas familjeve të tyre, dolën nga arka.

8:20 Atëherë Noeu ndërtoi një altar për Zotin, mori nga çdo lloj kafshësh dhe zogjsh të pastër dhe ofroi fli mbi altarin.

8:21 Dhe Zoti ndjeu një erë të këndshme dhe ai tha në zemër të vet: "Unë nuk do ta mallkoj më tokën për shkak të njeriut, sepse synimet e zemrës së njeriut janë të këqija qysh në fëmijërinë e tij; dhe nuk do të godas më çdo gjallesë, siç kam bërë.

8:22 Deri sa të jetë toka, nuk do të pushojnë kurrë së ekzistuari mbjellja dhe korrja, të ftohtit dhe të nxehtit, vera dhe dimri, dita dhe nata.

[previous][next]