BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
2. FJALËT E URTA TË SALOMONIT
Të drejtët e të pabesët kundërvihen
10:1 Fjalët e urta të Salomonit. Një fëmijë e urtë e gëzon të atin, por një fëmijë budalla i shkakton vuajtje nënes së vet.
10:2 Thesaret e padrejtësisë nuk japin dobi, por drejtësia të çliron nga vdekja.
10:3 Zoti nuk do të lejojë që i drejti të vuajë nga uria, por hedh poshtë dëshirën e të pabesëve.
10:4 Kush punon me dorë përtace varfërohet, por dora e njerëzve të zellshëm të bën të pasurohesh.
10:5 Ai që mbledh gjatë verës është një bir i matur, por ai që fle në kohën e korrjeve është një bir që të mbulon me turp.
10:6 Ka bekime mbi kokën e të drejtit, por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve.
10:7 Kujtimi i të drejtit është në bekim, por emri i të pabesit do të kalbet.
10:8 Zemërurti i pranon urdhërimet, por fjalamani budalla do të rrëzohet.
10:9 Ai që ecën në ndershmëri ecën i sigurt, por ai që ndjek rrugë dredharake ka për t`u zbuluar.
10:10 Kush e shkel syrin shkakton vuajtje, por fjalamani budalla do të rrëzohet.
10:11 Goja e të drejtit është një burim jete, por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve.
10:12 Urrejtja shkakton grindje, por dashuria mbulon të gjitha fajet.
10:13 Dituria gjendet mbi buzët e atyre që kanë mendje, por shkopi është për kurrizin e atyre që nuk kanë mend.
10:14 Të urtët grumbullojnë njohuri, por goja e budallait është një shkatërrim i shpejtë.
10:15 Begatia e të pasurit është qyteti i tij i fortë; shkatërrimi i të varfërit është varfëria e tyre.
10:16 Puna e të drejtit i shërben jetës, fitimi i të pabesit mëkatit.
10:17 Kush ruan mësimet është në rrugën e jetës; por kush nuk pranon kritikën humb.
10:18 Kush e maskon urrejtjen ka buzë gënjeshtare dhe ai që përhap shpifje është budalla.
10:19 Në fjalët e shumta faji nuk mungon, por ai që i frenon buzët e tij është i urtë.
10:20 Gjuha e të drejtit është argjend i zgjedhur, por zemra e të pabesëve vlen pak.
10:21 Buzët e të drejtit ushqejnë mjaft njerëz, por budallenjtë vdesin sepse nuk kanë mend.
10:22 Bekimi i Zotit pasuron dhe ai nuk shton asnjë vuajtje.
10:23 Kryerja e një kobi për budallanë është si një zbavitje; kështu është dituria për njeriun që ka mend.
10:24 Të pabesit i ndodh ajo nga e cila trembet, por njerëzve të drejtë u jepet ajo që dëshirojnë.
10:25 Kur kalon furtuna, i pabesi nuk është më, por i drejti ka një themel të përjetshëm.
10:26 Ashtu si uthulla për dhëmbët dhe tymi për sytë, kështu është dembeli për ata që e dërgojnë.
10:27 Frika e Zotit i zgjat ditët, por vitet e të pabesit do të shkurtohen.
10:28 Shpresa e të drejtëve është gëzimi, por pritja e të pabesëve do të zhduket.
10:29 Rruga e Zotit është një kala për njeriun e ndershëm, por është shkatërrim për ata që kryejnë padrejtësi.
10:30 I drejti nuk do të lëvizet kurrë, por të pabesët nuk do të banojnë në tokë.
10:31 Goja e të drejtit prodhon dituri, por gjuha e çoroditur do të pritet.
10:32 Buzët e të drejtit njohin atë që është e pranueshme; por goja e të pabesëve njeh vetëm gjëra të çoroditura.