BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
14:1 Gruaja e urtë ndërton shtëpinë e saj, por budallaqja e shkatërron me duart e veta.
14:2 Kush ecën në drejtësinë e tij ka frikë nga Zoti, por ai që çoroditet në rrugët e tij e përçmon atë.
14:3 Në gojën e budallait gjejmë farën e kryelartësisë, por të urtët e ruajnë gojën e tyre.
14:4 Aty ku nuk ka qe grazhdi është bosh, por bollëku i korrjes qëndron në forcën e kaut.
14:5 Dëshmitari i ndershëm nuk gënjen, por dëshmitari i rremë thotë gënjeshtra.
14:6 Tallësi kërkon diturinë dhe nuk e gjen, por dija është një gjë e lehtë për atë që ka mend.
14:7 Largohu nga njeriu budalla sepse nuk do të gjesh dituri mbi buzët e tij.
14:8 Dituria e njeriut të matur qëndron në të dalluarit e rrugës së tij, por marrëzia e budallenjve është mashtrim.
14:9 Budallenjtë qeshin me mëkatin, por midis njerëzve të drejtë është falja.
14:10 Zemra njeh trishtimin e vet, por një i huaj nuk mund të marrë pjesë në gëzimin e saj.
14:11 Shtëpia e të pabesëve do të shkatërrohet, por çadra e njerëzve të drejtë do të lulëzojë.
14:12 Éshtë një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes.
14:13 Edhe kur qesh, zemra mund të jetë e pikëlluar, dhe vetë gëzimi mund të përfundojë në vuajtje.
14:14 Zemërpërdali do të ngopet me rrugët e tij, dhe njeriu i mirë do të ngopet me frytet e tij.
14:15 Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.
14:16 Njeriu i urtë i trëmbet së keqes dhe largohet prej saj, por budallai zemërohet dhe është fodull.
14:17 Ai që zemërohet me lehtësi kryen marrëzi dhe njeriu që ka qëllime të këqija është i urryer.
14:18 Teveqelit e trashëgojnë budallallëkun, por njerëzit e matur kurorëzohen me dije.
14:19 Njerëzit e këqij do të përkulen përpara njerëzve të mirë dhe të pabesët në portat e të drejtëve.
14:20 Të varfërin e urren vetë miku i tij, por i pasuri ka shumë miklues.
14:21 Kush përçmon të afërmin e vet, mëkaton, por ai që ka mëshirë për të varfërit është i lumtur.
14:22 A nuk devijojnë, vallë nga rruga e drejtë ata që kurdisin të keqen? Por ata që mendojnë të mirën kanë për të gjetur mirësi dhe të vërtetën.
14:23 Në çdo mundim ka një fitim, por fjalët e kota çojnë vetëm në varfëri.
14:24 Kurora e njerëzve të urtë është pasuria e tyre, por marrëzia e budallenjve është marrëzi.
14:25 Një dëshmitar që thotë të vërtetën shpëton jetën e njerëzve, por një dëshmitar i rremë thotë gënjeshtra.
14:26 Në frikën e Zotit gjendet një siguri e madhe, dhe bijtë e tij do të kenë një vend strehimi.
14:27 Frika e Zotit është një burim jete, që i shmang leqet e vdekjes.
14:28 Lavdia e mbretit qëndron në turmën e popullit, por shkatërrimi i princit qëndron në mungesën e njerëzve.
14:29 Kush është i ngadalshëm në zemërim është shumë i matur, por ai që rrëmbehet me lehtësi vë në dukje marrëzinë e tij.
14:30 Një zemër e shëndoshë është jetë për trupin, por lakmia është krimbi brejtës i kockave.
14:31 Kush shtyp të varfërin fyen rëndë atë që e ka bërë, por ai që ka mëshirë për nevojtarin e nderon atë.
14:32 I pabesi përmbyset nga vetë ligësia e tij, por i drejti ka shpresë në vetë vdekjen e tij.
14:33 Dituria prehet në zemrën e atij që ka mend, por ajo që është në zemrën e budallenjve merret vesh.
14:34 Drejtësia e larton një komb, por mëkati është turpi i popujve.
14:35 Dashamirësia e mbretit është për shërbëtorin që vepron me urtësi, por zemërimi i tij është kundër atij që sillet me paturpësi.
[previous][next]