BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
21:1 Zemra e mbretit në duart e Zotit është si rrjedhat e ujit; atë e drejton ngado që do ai.
21:2 Çdo rrugë e njeriut është e drejtë në sytë e tij, por Zoti i peshon zemrat.
21:3 Të zbatosh drejtësinë dhe paanësinë është një gjë që i pëlqen Zotit më shumë se flijimi.
21:4 Sytë krenarë dhe një zemër kryelartë, që janë llamba e të pabesëve, janë mëkat.
21:5 Synimet e njeriut të kujdesshëm çojnë me siguri në bollëk, por ai që ngutet do të bjerë me siguri në varfëri.
21:6 Të përftosh thesare me një gjuhë gënjeshtare është një kotësi kalimtare e atij që kërkon vdekjen.
21:7 Dhuna e të pabesëve merr tutje, sepse ata nuk pranojnë të zbatojnë drejtësinë.
21:8 Rruga e njeriut të fajshëm është dredha-dredha, por njeriu i drejtë vepron ndershmërisht.
21:9 Éshtë më mirë të banosh mbi qoshen e një çatie se sa në një shtëpi bashkë me një grua grindavece.
21:10 Shpirti i të pabesit dëshiron të keqen; as shoku i tij nuk gjen mëshirë në sytë e tij.
21:11 Kur tallësi ndëshkohet, i thjeshti bëhet i urtë; por kur i urti mësohet ai fiton dije.
21:12 I drejti vëren me kujdes shtëpinë e të pabesit dhe përmbys të pabesët, sepse janë të këqij.
21:13 Kush mbyll veshin ndaj britmës së të varfërit, do të bërtasë edhe ai, por nuk do të ketë përgjigje.
21:14 Një dhuratë që bëhet fshehtas e fashit zemërimin dhe një dhuratë që jepet nën dorë qetëson zemërimin e fortë.
21:15 Të bësh atë që është e drejtë është një gëzim për të drejtin, por është një rrënim për ata që kryejnë paudhësi.
21:16 Njeriu që largohet nga rruga e maturisë ka për të banuar në kuvendin e të vdekurve.
21:17 Ai që i do qejfet do të jetë në varfëri, ai që e do verën dhe vajin nuk do të pasurohet.
21:18 I pabesi do t`i shërbejë si shpërblim të drejtit; dhe i paudhi në vend të njerëzve të drejtë.
21:19 Éshtë më mirë të banosh në një shkretëtirë se sa me një grua grindavece dhe ngacmuese.
21:20 Në shtëpinë e të urtit ka një thesar të çmuar dhe vaj, por njeriu budalla i bën të gjitha rrush e kumbulla.
21:21 Kush ndjek drejtësinë dhe dhembshurinë ka për të gjetur jetën, drejtësinë dhe lavdinë.
21:22 I urti ngjitet në qytetin e njerëzve të fortë dhe rrëzon forcën në të cilën kishte besim.
21:23 Kush ruan gojën dhe gjuhën e tij mbron jetën e tij nga fatkeqësitë.
21:24 Emri i krenarit pa cipë është: “tallës”; ai çdo gjë e bën me një mburrje të tepruar.
21:25 Dëshirat e përtacit e vrasin atë, sepse duart e tij nuk pranojnë të punojnë.
21:26 Ai dëshiron me zjarr tërë ditën, por i drejti dhuron duke mos refuzuar kurrë.
21:27 Flijimi i të pabesit është gjë e neveritshme, aq më tepër në rast se e ofron me qëllim të keq.
21:28 Dëshmitari i rremë do të vdesë, por njeriu që e dëgjon do të mund të flasë gjithnjë.
21:29 I pabesi e fortëson fytyrën e tij, por njeriu i drejtë e bën të qëndrueshme rrugën e tij.
21:30 Nuk ka as dituri, as zgjuarësi dhe as këshillë kundër Zotit.
21:31 Kali është gati për ditën e betejës, por fitorja i përket Zotit.
[previous][next]