BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
22:1 Një nam i mirë është më i pëlqyeshëm se pasuritë e mëdha, dhe hiri është më i pëlqyeshëm se argjendi dhe ari.
22:2 I pasuri dhe i varfëri kanë këtë të përbashkët: të dy i ka bërë Zoti.
22:3 Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.
22:4 Çmimi i përvujtërisë është frika e Zotit, pasuria, lavdia dhe jeta.
22:5 Ferra dhe leqe gjenden në udhën e të çoroditurit; kush kujdeset për jetën e vet rri larg tyre.
22:6 Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.
22:7 I pasuri sundon mbi të varfërit, dhe huamarrësi është skllav i huadhënësit.
22:8 Kush mbjell padrejtësi ka për të korrur telashe dhe shufra e zemërimit të tij do të asgjesohet.
22:9 Njeriu me sy dashamirës do të bekohet, sepse i jep bukë të varfërit.
22:10 Përzëre tallësin dhe grindjet do të ikin bashkë me të; po, grindjet dhe fyerjet do të pushojnë.
22:11 Kush e do pastërtinë e zemrës dhe ka hir mbi buzët do ta ketë shok mbretin.
22:12 Sytë e Zotit ruajnë dijen, por ai i bën të kota fjalët e të pabesit.
22:13 Përtaci thotë: “Jashtë ka një luan; do të vritem rrugës”.
22:14 Goja e gruas që shkel kurorën është një gropë e thellë; ai që ka zemëruar Zotin do të bjerë në të.
22:15 Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës, por shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj.
22:16 Ai që shtyp të varfërin për t`u pasuruar dhe ai që i jep të pasurit, me siguri do të varfërohet.
Fjalë të urta që kanë të bëjnë me situata të ndyshme
22:17 Vëru veshin dhe dëgjo fjalët e të urtëve, dhe jepja zemrën dijes sime.
22:18 sepse për ty do të jetë e këndshme t`i ruash në intimitetin tënd dhe t`i kesh të gjitha gati mbi buzët e tua.
22:19 Me qëllim që besimin tënd ta kesh te Zoti, sot të kam mësuar, po, pikërisht ty.
22:20 A nuk të kam shkruar në të kaluarën aforizma që kanë të bëjnë me këshillimin dhe diturinë,
22:21 në mënyrë që të njohësh sigurinë e fjalëve të së vërtetës, me qëllim që t`u përgjigjesh me fjalë të vërteta atyre që të dërgojnë?
22:22 Mos e vidh të varfërin, sepse është i varfër, dhe mos e shtyp të mjerin te porta,
22:23 sepse Zoti do të mbrojë çështjen e tyre dhe do t`u heqë jetën atyre që i kanë zhveshur.
22:24 Mos lidh miqësi me njeriun zemërak dhe mos u shoqëro me njeriun idhnak,
22:25 që të mos mësosh rrugët e tij dhe të mos gjesh një kurth për shpirtin tënd.
22:26 Mos u bëj si ata që japin dorën si garanci, që bëhen garant për borxhet e të tjerëve.
22:27 Në qoftë se nuk ke asgjë me se të paguash, pse duhet të të heqë shtratin poshtë vetes?
22:28 Mos e luaj kufirin e vjetër, të vendosur nga etërit e tu.
22:29 A ke parë një njeri të papërtueshëm në punën e tij? Ai do të paraqitet në prani të mbretit dhe nuk do të qëndrojë para njerëzve të humbur.