BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
23:1 Kur ulesh të hash me një mbret, shiko me kujdes atë që ke përpara;
23:2 dhe vër një thikë në grykë, po të jetë se ke oreks të madh.
23:3 Mos dëshiro gjellët e tij të mrekullueshme, sepse janë një ushqim mashtrues.
23:4 Mos u lodh për t`u pasuruar, hiq dorë nga qëllimi yt.
23:5 A do t`i fiksosh sytë e tu mbi atë që po zhduket? Sepse pasuria me siguri do të vërë fletë si një shqiponjë që fluturon drejt qiellit.
23:6 Mos ha bukën e atij që ka syrin e keq dhe mos dëshiro ushqimet e tij të shijshme;
23:7 sepse, ashtu si mendon në zemër të tij, ashtu është ai; “Ha dhe pi”!, do të thotë, por zemra e tij nuk është me ty.
23:8 Do të vjellësh kafshatën që ke ngrënë dhe do të harxhosh kot fjalët e tua të ëmbla.
23:9 Mos i drejto fjalën budallait, sepse ai do të përçmojë mençurinë e ligjëratës sate.
23:10 Mos e luaj kufirin e vjetër dhe mos hyr në arat e jetimëve,
23:11 sepse Hakmarrësi i tyre është i fuqishëm; ai do të mbrojë çështjen e tyre kundër teje.
23:12 Kushtoja zemrën tënde mësimeve dhe veshët e tu fjalëve të diturisë.
23:13 Mos ia kurse korrigjimin fëmijës; edhe sikur ta rrahësh me thupër, ai nuk do të vdesë;
23:14 do ta rrahësh me thupër, por do të shpëtosh shpirtin e tij nga Sheoli.
23:15 Biri im, në se zemra jote është e urtë, edhe zemra ime do të ngazëllojë;
23:16 zemra ime do të ngazëllojë, kur buzët e tua do të thonë gjëra të drejta.
23:17 Zemra jote mos i pastë zili mëkatarët, por vazhdoftë gjithnjë në frikën e Zotit;
23:18 sepse ka një të ardhme, dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.
23:19 Dëgjo, biri im, ji i urtë, dhe drejtoje zemrën në rrugën e drejtë.
23:20 Mos rri me ata që pijnë verë as me grykësit dhe mishngrënësit;
23:21 sepse pijaneci dhe grykësi do të varfërohen dhe gjumashi do të vishet me lecka.
23:22 Dëgjo atin tënd që të ka pjellë dhe mos e përçmo nënën tënde kur të jetë plakë.
23:23 Bli të vërtetën dhe mos e shit, fito dituri, njohuri dhe gjykim.
23:24 Babai i të drejtit do të gëzohet shumë; kush ka lindur një të urtë do t`ia ndjejë gëzimin.
23:25 Le të gëzohet ati yt dhe nëna jote dhe le të gëzohet ajo që të ka lindur.
23:26 Biri im, më jep zemrën tënde, dhe sytë e tu gjetshin gëzim në rrugët e mia.
23:27 Sepse prostituta është një gropë e thellë dhe gruaja e tjetërkujt një pus i ngushtë.
23:28 Edhe ajo rri në pritë si një vjedhës dhe rrit midis njerëzve numrin e atyre që janë jo besnikë.
23:29 Për cilin janë “ah-ët”, për cilin “obobo-të”? Për cilin grindjet, për cilin vajtimet? Për cilin plagët pa shkak? Për cilin sytë e skuqur?
23:30 Për ata që ndalen gjatë pranë verës, për ata që kërkojnë verë të droguar.
23:31 Mos e shiko verën kur kuqëlon, kur rrëzëllen në kupë dhe shkon poshtë aq lehtë!
23:32 Në fund ajo kafshon si një gjarpër dhe shpon si një kuçedër.
23:33 Sytë e tu kanë për të parë gjëra të çuditshme dhe zemra jote do të thotë gjëra të çoroditura.
23:34 Do të jesh si ai që gjendet në mes të detit, si ai që bie të flerë në majë të direkut të anijes.
23:35 Do të thuash: “Më kanë rrahur, por nuk më kanë bërë keq; më kanë goditur, por nuk e kam vënë re. Kur të zgjohem, do të kthehem t`i kërkoj përsëri!”.
[previous][next]