BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
24:1 Mos i ki zili njerëzit e këqij dhe mos dëshiro të rrish me ta,
24:2 sepse zemra e tyre mendon për grabitje dhe buzët e tyre thonë se do të bëjnë të keqen.
24:3 Shtëpia ndërtohet me dituri dhe bëhet e qëndrueshme me maturi.
24:4 Me dijen mbushen dhomat me lloj-lloj të mirash të çmueshme dhe të pëlqyeshme.
24:5 Njeriu i urtë është plot forcë, dhe njeriu që ka dituri e rrit fuqinë e tij.
24:6 Sepse me këshilla të urta do të mund të bësh luftën tënde, dhe në numrin e madh të këshilltarëve është fitorja.
24:7 Dituria është shumë e lartë për budallanë; ai nuk e hap kurrë gojën te porta e qytetit.
24:8 Kush mendon të bëjë keq do të quhet mjeshtër intrigash.
24:9 Synimi i pamend është mëkat dhe tallësi është një neveri për njerëzit.
24:10 Po të mos kesh guxim ditën e fatkeqësisë, forca jote është shumë e pakët.
24:11 Çliro ata që i tërheqin drejt vdekjes dhe mbaji ata që po i çojnë në thertore.
24:12 Po të thuash: “Ja, ne nuk e dinim”, ai që peshon zemrat a nuk e shikon? Ai që ruan shpirtin tënd nuk e di vallë? Ai do t`i japë secilit simbas veprave të tij.
24:13 Biri im, ha mjaltin sepse është i mirë; një huall mjalti do të jetë i ëmbël për shijen tënde.
24:14 Kështu do të jetë njohja e diturisë për shpirtin tënd. Në rast se e gjen, do të ketë një të ardhme dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.
24:15 O i pabesë, mos ngre kurthe kundër banesës së njeriut të drejtë, mos shkatërro vendin ku ai pushon,
24:16 sepse i drejti bie shtatë herë dhe ngrihet, kurse të pabesët përmbysen në fatkeqësi.
24:17 Kur armiku yt bie, mos u gëzo; kur është shtrirë për tokë, zemra jote të mos gëzohet,
24:18 me qëllim që Zoti të mos shikojë dhe të mos i vijë keq, dhe të mos largojë prej tij zemërimin e vet.
24:19 Mos u zemëro për shkak të atyre që bëjnë të keqen dhe mos i ki smirë të pabesët,
24:20 sepse nuk do të ketë të ardhme për të keqin; llamba e të pabesëve do të fiket.
24:21 Biri im, ki frikë nga Zoti dhe nga mbreti; mos u bashko me ata që duan të ndryshojnë;
24:22 mjerimi i tyre do të vijë papritmas, dhe shkatërrimin e të dy palëve kush e njeh?
24:23 Edhe këto gjëra janë për të urtit. Nuk është mirë të kesh preferenca personale në gjykim.
24:24 Ai që i thotë të pabesit: “Ti je i drejtë”, do të mallkohet nga popujt dhe kombet do ta nëmin.
24:25 Por ata që e qortojnë të pabesin do të gjejnë kënaqësi dhe mbi ta do të zbresin bekimet më të mira.
24:26 Ai që jep një përgjigje të drejtë jep një të puthur mbi buzët.
24:27 Vër në vijë punët e tua të jashtme, vër në rregull arat e tua dhe pastaj ndërto shtëpinë tënde.
24:28 Mos dëshmo pa arsye kundër të afërmit tënd dhe mos gënje me buzët e tua.
24:29 Mos thuaj: “Ashtu si ma bëri mua, kështu do t`ia bëj edhe unë; do t`ia kthej simbas sjelljes së tij”.
24:30 Kalova pranë arës së përtacit dhe pranë vreshtit të njeriut që s`ka mend;
24:31 dhe ja, kudo rriteshin ferrat, ferrishtet e zinin tokën dhe muri prej gurësh ishte shembur.
24:32 Duke parë këtë, u mendova me kujdes; nga sa pashë nxora një mësim:
24:33 të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish pak me duar në ije për të pushuar;
24:34 kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës dhe skamja jote si një njeri i armatosur.
[previous][next]