BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
26:1 Ashtu si bora nuk i shkon verës as shiu të korrave, kështu nuk i shkon lavdia budallait.
26:2 Ashtu si harabeli fluturon andej e këtej dhe dallëndyshja fluturon, kështu mallkimi pa arsye nuk ka efekt.
26:3 Kamxhiku për kalin, kapistra për gomarin dhe shkopi për kurrizin e budallenjve.
26:4 Mos iu përgjegj budallait simbas budallallëkut të tij, që të mos bëhesh edhe ti si ai.
26:5 Përgjigjju budallait simbas budallallëkut të tij, që ai të mos mendojë se është i urtë.
26:6 Kush dërgon një mesazh me anë të një budallai pret këmbët e tij dhe pi dhunë.
26:7 Ashtu si këmbët e çalamanit janë pak të qëndrueshme, kështu është një fjalë e urtë në gojën e budallenjve.
26:8 Kush i jep lavdi një budallai është si ai që lidh një gur te hobeja.
26:9 Një fjalë e urtë në gojën e budallenjve është si një gjemb që hyn në dorën e një të dehuri.
26:10 Perëndia i madh që ka krijuar të gjitha gjërat është ai që i jep shpërblimin budallait dhe shkelësve.
26:11 Ashtu si një qen kthehet në të vjellat e tij, kështu budallai e përsërit budallallëkun e tij.
26:12 A ke parë një njeri që e pandeh veten të urtë? Ka më tepër shpresë për një budalla se sa për të.
26:13 Përtaci thotë: “Ka një luan në rrugë, ka një luan nëpër rrugë!”.
26:14 Ashtu si lëviz porta në menteshat e saj, kështu sillet përtaci në shtrat të tij.
26:15 Përtaci e fut dorën në pjatën e tij, por lodhet edhe ta çojë te goja.
26:16 Përtaci pandeh se është më i urtë se shtatë persona që japin përgjigje me mend.
26:17 Kalimtari që përzihet në një grindje që nuk i përket, është si ai që kap nga veshët një qen.
26:18 Ashtu si një i marrë që gjuan me ura zjarri, me shigjeta dhe me vdekje,
26:19 kështu është ai që mashtron të afërmin dhe thotë: “E bëra për shaka!”.
26:20 Kur mungojnë drutë, zjarri shuhet; dhe kur nuk ka një gojë të keqe, grindja merr fund.
26:21 Ashtu si qymyri jep shpuzën dhe drutë zjarrin, kështu njeriu grindavec i nxit grindjet.
26:22 Fjalët e gojëkeqit janë si ushqime shumë të shijshme dhe depërtojnë deri në thellësi të zorrëve.
26:23 Buzët e zjarrta dhe zemra e keqe janë si zgjyra të argjendit të vendosura mbi një enë balte.
26:24 Ai që urren shtiret me buzët e tij, por në zemër të vet përgatit mashtrimin.
26:25 Kur ai flet në mënyrë të sjellshme mos i ki besim, sepse ka shtatë gjëra të neveritshme në zemër.
26:26 Edhe sikur urrejtja e tij të jetë fshehur me tinëzi; ligësia e tij do të dalë hapur në kuvend.
26:27 Kush hap një gropë do të bjerë brenda dhe kush rrokullis një gur do të bjerë përsëri mbi të.
26:28 Gjuha gënjeshtare urren ata që ka plagosur, dhe goja lajkatare sjell shkatërrimin.
[previous][next]