BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
28:1 I pabesi ikën me vrap edhe në se askush nuk e ndjek, por i drejti është i sigurt si një luan.
28:2 Për shkak të mëkatit të një vendi, shumë janë të parët e tij, por me një njeri me mend që ka dituri qëndrueshmëria e tij vazhdon gjatë.
28:3 Një i varfër që shtyp të mjerët është si një shi me shtamba që nuk jep bukë.
28:4 Ata që braktisin ligjin lëvdojnë të pabesët; por ata që zbatojnë ligjin i luftojnë ata.
28:5 Njerëzit e këqij nuk e kuptojnë drejtësinë, por ata që e kërkojnë Zotin kuptojnë çdo gjë.
28:6 Më i mirë është i varfëri që ecën në ndershmëri nga njeriu i paqëndrueshëm që ndjek rrugën dredha-dredha, edhe kur është i pasur.
28:7 Kush zbaton ligjin është një bir me mend, por shoku i grykësve turpëron atin e tij.
28:8 Kush i shton pasuritë e tij me fajde dhe me fitime të padrejta, i mbledh për atë që i vjen keq për të varfërit.
28:9 Në rast se dikush e kthen veshin gjetiu për të mos dëgjuar ligjin, vetë lutja e tij do të jetë një gjë e neveritshme.
28:10 Kush i fut njerëzit e drejtë në një rrugë të keqe, do të bjerë vetë në gropën e tij; por njerëzit e ndershëm do të trashëgojnë të mirën.
28:11 I pasuri mendon se është i matur, por i varfëri që është i zgjuar e kqyr fund e krye.
28:12 Kur të drejtët triumfojnë, ka lavdi të madhe, por kur mbizotërojnë të pabesët njerëzit fshihen.
28:13 Kush i fsheh shkeljet e tij nuk do të ketë mbarësi; por ai që i rrëfen dhe i braktis ato, ka për të fituar mëshirën.
28:14 Lum ai njeri që ka frikë vazhdimisht nga Zoti, por ai që e fortëson zemrën e tij do të bjerë në fatkeqësi.
28:15 Një i pabesë që sundon mbi një popull të varfër është si një luan që ulërin dhe një ari i uritur.
28:16 Një princ pa mend zhvat shumë, por ai që urren fitimin e pandershëm ka për t`i zgjatur ditët e tij.
28:17 Njeriu mbi të cilin rëndon një vrasje do të turret deri në varr; asnjë të mos e ndihmojë!
28:18 Ai që ecën me ndershmëri do të shpëtohet, por njeriu i paqëndrueshëm që ndjek rrugë dredha-dredha do të rrëzohet befas.
28:19 Kush punon tokën e tij do të ketë bukë me bollëk, por kush jepet pas kotësive do të ketë varfëri të madhe.
28:20 Njeriu besnik do të mbushet me bekime, por ai që nxiton të pasurohet nuk do të jetë pa faj.
28:21 Nuk është mirë të kesh preferenca vetiake; njeriu kryen mëkat për një copë bukë.
28:22 Njeriu me sy të keq dëshiron të pasurohet shpejt, por nuk e kupton se do ta pllakosë varfëria.
28:23 Kush qorton dikë ka për të gjetur pastaj favor më të madh se ai që i bën lajka me fjalë.
28:24 Kush vjedh atin e tij dhe nënën e tij dhe thotë: “Nuk është mëkat”, është shok i atij që shkatërron.
28:25 Kush e ka zemrën të fryrë nga krenaria nxit grindje, por ai që ka besim te Zoti do të ketë mbarësi.
28:26 Kush i beson zemrës së tij është budalla, por ai që ecën me urtësi do të shpëtojë.
28:27 Ai që i jep të varfërit nuk do të ketë kurrë nevojë, por ai që i mbyll sytë e vet do të ketë shumë mallkime.
28:28 Kur të pabesët lartohen, njerëzit fshihen; por kur vdesin, të drejtët shumohen.
[previous][next]