BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
4. FJALËT E AGURIT
30:1 Fjalët e Agurit, birit të Jahehut; mesazhi profetik që ky njeri shpalli në Ithiel, në Ithiel dhe në Ukal.
30:2 Po, unë jam më budalla se gjithë të tjerët dhe nuk kam mendje njeriu.
30:3 Nuk kam mësuar diturinë dhe nuk kam dijen e Shenjtorit.
30:4 Kush u ngjit në qiell dhe zbriti prej tij? Kush e ka mbledhur erën në duart e tij? Kush i ka mbyllur ujërat në rroben e tij? Kush i ka vendosur të gjithë kufijtë e tokës? Cili është emri i tij dhe emri i të birit, po qe se ti e di?
30:5 Çdo fjalë e Perëndisë është rafinuar me zjarr. Ai është një mburojë për atë që gjen strehë tek ai.
30:6 Mos u shto asgjë fjalëve të tij që të mos të të qortojë dhe të dalësh gënjeshtar.
30:7 Unë të kërkova dy gjëra; mos m`i moho para se të vdes:
30:8 largo nga unë falsitetin dhe gënjeshtrën; mos më jep as varfëri as pasuri, më ushqe me bukën e nevojshme,
30:9 me qëllim që, pasi të jem ngopur, të mos të të mohoj dhe të them: “Kush është Zoti?”, ose, pasi të jem bërë i varfër, të mos vjedh dhe të përdhos emrin e Perëndisë tim.
30:10 Mos shpif kundër shërbëtorit para të zotit, me qëllim që ai të mos të të mallkojë dhe ti të gjendesh fajtor.
30:11 Ka një kategori njerëzish që mallkojnë atin e tyre dhe nuk bekojnë nënen e tyre.
30:12 Ka një kategori njerëzish që e mbajnë veten për të pastër, por nuk janë të larë nga papastërtia e vet.
30:13 Ka një kategori njerëzish që i ka sytë shumë kryelartë dhe qepallat krenare.
30:14 Ka një kategori njerëzish dhëmbët e të cilëve janë si shpata dhe dhëmballët e tyre janë si thika, për të gëlltitur të varfërit mbi faqen e dheut dhe nevojtarët në mes të njerëzve.
30:15 Shushunja ka dy bija, që thonë: “Më jep, më jep!”. Ka tri gjëra që nuk ngopen kurrë, madje katër nuk thonë kurrë: “Mjaft!”.
30:16 Sheoli, barku shterp, toka që nuk ngopet me ujë dhe zjarri që nuk thotë kurrë: “Mjaft!”.
30:17 Syrin që tallet me babanë dhe nuk pranon me përbuzje t`i bindet nënës, do ta nxjerrin korbat e përroit, do ta hanë të vegjëlit e shqiponjës.
30:18 Ka tri gjëra tepër të mrekullueshme për mua, madje katër, që unë nuk i marr vesh:
30:19 gjurma e shqiponjës në ajër, gjurma e gjarpërit mbi shkëmb, gjurma e anijes në mes të detit dhe gjurma e burrit me një vajzë.
30:20 Kjo është sjellja e gruas që ka shkelur kurorën: ha, fshin gojën dhe thotë: “Nuk kam bërë asnjë të keqe!”.
30:21 Tri gjëra e turbullojnë tokën, madje katër janë gjërat që ajo nuk mund të durojë:
30:22 një shërbëtor kur bëhet mbret, një budalla që ka bukë me bollëk,
30:23 një grua të urryer që gjen burrë dhe një shërbëtore që i zë vendin zonjës.
30:24 Ka katër kafshë të vogla mbi tokë, por janë jashtëzakonisht të urta:
30:25 mizat e dheut, që janë një popull pa forcë, por që e mbledhin ushqimin e tyre në verë;
30:26 lepujt, që janë një popull i dobët, por që e vendosin banesën e tyre në shkëmbinjtë;
30:27 karkalecat, që nuk kanë mbret, por që shkojnë mbarë në grupe;
30:28 hardhuca që mund ta zësh me duart, por që gjendet në pallatet e mbretërve.
30:29 Tri qënie kanë një paraqitje të bukur, madje katër kanë një ecje madhështore;
30:30 luani, kafsha më e fortë, që nuk zmprapset para askujt,
30:31 kali i luftës që ecën i ngrefosur, cjapi dhe mbreti kur është me ushtrinë e tij.
30:32 Në rast se ke vepruar si budalla duke lartësuar veten tënde ose të ka shkuar mendja, vëre dorën mbi gojë,
30:33 sepse, duke rrahur qumështin prodhohet gjalpi, duke përdredhur hundën del gjak prej saj dhe duke shtrydhur mërinë prej saj del grindja.
[previous][next]