Fjalët e Urta 5

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Rri larg gruas që shkel kurorën

5:1 Biri im, ki kujdes për diturinë time, vëri veshin arsyetimit tim,

5:2 me qëllim që ti të ruash gjykimin dhe buzët e tua të fiksojnë diturinë.

5:3 Sepse buzët e gruas që shkel kurorën nxjerrin mjaltë dhe goja e saj është më e butë se vaji;

5:4 por në fund ajo është e hidhur si pelini, e mprehtë si një shpatë me dy presa.

5:5 Këmbët e saj zbresin drejt vdekjes, hapat e saj çojnë drejtpërdrejt në Sheol.

5:6 Ajo nuk ecën në shtegun e jetës, por ti nuk i jep rëndësi kësaj gjëje; rrugët e saj janë të gabuara, por ti nuk e kupton.

5:7 Prandaj tani, bij të mi, më dëgjoni dhe mos u largoni nga fjalët e gojës sime.

5:8 Mbaje larg prej saj rrugën tënde dhe mos iu afro portës së shtëpisë së saj,

5:9 për të mos ua dhënë të tjerëve fuqinë tënde dhe vitet e tua dikujt që nuk ka mëshirë.

5:10 Me qëllim që të huajt të mos ngopen me pasurinë tënde, dhe mundi yt të mos shkojë në shtëpinë e një të huaji,

5:11 dhe të mos rënkosh kur do të të vijë fundi, kur mishi dhe trupi yt do të jenë të konsumuar,

5:12 dhe të thuash: “Vallë si urreva mësimin, dhe si e ka përçmuar qortimin zemra ime?

5:13 Nuk dëgjova zërin e atyre që më mësonin dhe nuk ua vura veshin atyre që më udhëzonin.

5:14 U ndodha pothuajse në një të keqe të plotë në mes të turmës dhe të kuvendit”.

Qëndroji besnik gruas sate dhe gjej në të gëzimin tënd.

5:15 Pi ujin e sternës sate dhe ujin e rrjedhshëm të pusit tënd.

5:16 A duhet burimet e tua të derdhen jashtë, si rrëke uji nëpër rrugë?

5:17 Qofshin vetëm për ty dhe jo për të huajtë bashkë me ty.

5:18 Qoftë i bekuar burimi yt dhe gëzohu me nusen e rinisë sate.

5:19 Drenushë e dashur dhe gazelë hirplotë, sisët e saj le të të kënaqin kurdoherë, dhe qofsh vazhdimisht i dhënë pas dashurisë që ke për të.

5:20 Pse vallë, biri im, të biesh në dashuri me një grua që ka shkelur kurorën dhe të rrokësh gjirin e një të huaje?

5:21 Sepse rrugët e njeriut janë gjithnjë përpara syve të Zotit, dhe ai vëzhgon të gjitha shtigjet e tij.

5:22 I pabesi zihet nga vetë paudhësitë e tij dhe mbahet nga litarët e mëkatit të tij.

5:23 Ai ka për të vdekur sepse nuk korrigjohet dhe do të zhduket për shkak të marrëzisë së tij.

[previous][next]