BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Dhelpëritë e gruas që shkel kurorën dhe pasojat e saj vdekjeprurëse.
7:1 Biri im, ruaji fjalët e mia dhe urdhërimet e mia në veten tënde,
7:2 Ruaji urdhërimet e mia dhe ke për të jetuar; ruaji mësimet e mia si bebja e syve të tu.
7:3 Lidhi ndër gishta, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate.
7:4 Thuaji diturisë: “Ti je motra ime” dhe quaje “shok” gjykimin,
7:5 me qëllim që të të ruajnë nga gruaja e tjetrit nga gruaja e huaj që përdor fjalë lajkatare.
7:6 Nga dritarja e shtëpisë sime shikoja nëpër parmakët prej hekuri
7:7 dhe pashë midis budallenjve; dallova midis të rinjve një djalë të ri që s`kishte gjykim,
7:8 që kalonte nëpër rrugë pranë qoshes të gruas së huaj dhe drejtohej nga shtëpia e saj,
7:9 në muzg, kur po ngryste dita, ndërsa zbriste nata e zezë dhe e errët.
7:10 I doli para një grua e veshur si prostitutë dhe dinake;
7:11 ajo është turbulluese dhe provokuese, dhe nuk di t`i mbajë këmbët në shtëpinë e saj;
7:12 herë mbi rrugë, herë në sheshet qëndron në pritë në çdo qoshe.
7:13 Kështu e zuri dhe e puthi, pastaj me paturpësi tha:
7:14 “Duhet të bëja flijimet e falenderimit; pikërisht sot i plotësova zotimet e mia;
7:15 prandaj të dola para që të të kërkoj dhe të gjeta.
7:16 E zbukurova shtratin tim me një mbulesë si sixhade, me li të ngjyrosur nga Egjipti;
7:17 e parfumova shtratin tim me mirrë, me aloe dhe me kanellë.
7:18 Eja, të dehemi me dashuri deri në mëngjes, të kënaqemi në qejfe dashurie,
7:19 sepse burri im nuk është në shtëpi, por ka shkuar në një udhëtim të gjatë;
7:20 ka marrë me vete një thes të vogël me pare dhe do të kthehet në shtëpi vetëm kur të jetë hëna e plotë”.
7:21 Ajo e mashtroi me fjalë bindëse, e tërhoqi me ëmbëlsinë e buzëve të saj.
7:22 Ai e ndoqi pa mëdyshje, si një ka që shkon në thertore, si një i lidhur në dënimin e budallait,
7:23 deri sa një shigjetë nuk i shpon mëlçinë; ai nxiton si një zog, pa ditur që një lak është ngritur kundër jetës së tij.
7:24 Prandaj, bij të mi, më dëgjoni, kushtojuni kujdes fjalëve të gojës sime.
7:25 Zemra jote të mos shkojë pas rrugëve të saj, mos devijo nëpër shtigjet e saj,
7:26 sepse ka rrëzuar shumë të plagosur për vdekje, dhe tërë ata që ajo ka vrarë ishin burra të fortë.
7:27 Shtëpia e saj është rruga e Sheolit që zbret në thellësitë e vdekjes.