Marku 1

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Gjon Pagëzori

1:1 Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë.

1:2 Ashtu si është shkruar tek profetët: “Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës tënde, i cili do të përgatit udhën tënde përpara teje.

1:3 Ka një zë që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij"“.

1:4 Gjoni erdhi në shkretëtirë duke pagëzuar dhe duke predikuar një pagëzim pendese për faljen e mëkateve.

1:5 Dhe gjithë vendi i Judës dhe ata nga Jeruzalemi shkonin tek ai, dhe pagëzoheshin të gjithë nga ai në lumin Jordan, duke rrëfyer mëkatet e tyre.

1:6 Por Gjoni ishte i veshur me lesh deveje, mbante një brez lëkure përreth ijëve dhe ushqehej me karkaleca dhe me mjaltë të egër.

1:7 Ai predikonte duke thënë: “Pas meje po vjen një që është më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t`i zgjidhur lidhësat e sandaleve të tij.

1:8 Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t`ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë“.

Pagëzimi dhe tundimi i Jezusit

1:9 Dhe ndodhi në ato ditë që Jezusi erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua nga Gjoni në Jordan.

1:10 Dhe menjëherë, kur po dilte nga uji, pa se qiejtë po hapeshin dhe Fryma po zbriste mbi të si një pëllumb.

1:11 Dhe një zë erdhi nga qielli: “Ti je Biri im i dashur në të cilin jam kënaqur.

1:12 Fill pas kësaj, Fryma e Shenjtë e çoi në shkretëtirë;

1:13 dhe qëndroi në shkretëtirë dyzet ditë, i tunduar nga Satanai. Ishte bashkë me bishat dhe engjëjt i shërbenin.

Thirrja e dishepujve të parë

1:14 Dhe mbasi e burgosën Gjonin, Jezusi erdhi në Galile duke predikuar ungjillin e mbretërisë së Perëndisë,

1:15 dhe duke thënë: “U mbush koha dhe mbretëria e Perëndisë është afër. Pendohuni dhe besoni ungjillin“.

1:16 Ndërsa po kalonte gjatë bregut të detit të Galilesë, ai pa Simonin dhe Andrean, vëllanë e tij, të cilët po hidhnin rrjetën në det sepse ishin peshkatarë.

1:17 Dhe Jezusi u tha atyre: “Ndiqmëni dhe unë do t`ju bëj peshkatarë njerëzish“.

1:18 Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.

1:19 Mbasi eci edhe pak, pa Jakobin, bir in e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, të cilët ndreqnin rrjetat e tyre në barkë.

1:20 Dhe i thirri menjëherë; dhe ata e lanë atin e tyre Zebedeun në barkë me mëditësit dhe e ndoqën.

Shërimi i të idemonizuarit të Kapernaumit

1:21 Pastaj hynë në Kapernaum dhe menjëherë, ditën e shtunë, ai hyri në sinagogë dhe i mësonte njerëzit.

1:22 Dhe njerëzit habiteshin nga doktrina e tij, sepse ai i mësonte si një që ka pushtet dhe jo si skribët.

1:23 Atëherë në sinagogën e tyre ishte një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë, i cili filloi të bërtasë,

1:24 duke thënë: “Ç`ka midis nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatë-rrosh? Unë e di kush je: I Shenjti i Perëndisë“.

1:25 Por Jezusi e qortoi duke thënë: “Hesht dhe dil prej tij!“.

1:26 Dhe fryma e ndyrë, mbasi e sfiliti, dhe duke lëshuar një britmë të madhe doli prej tij.

1:27 Dhe të gjithë u mahnitën aq shumë sa pyesnin njeri tjetrin duke thënë: “Vallë ç`është kjo? Cfarë doktrinë e re qënka kjo? Ky i urdhëroka me autoritet edhe frymërat e ndyra, dhe ata i binden“.

1:28 Dhe fama e tij u përhap menjëherë në mbarë krahinën përreth Galilesë.

Shërimi i vjehrrës së Pjetrit dhe i të tjerëve

1:29 Sapo dolën nga sinagoga, erdhën në shtëpinë e Simonit dhe të Andreas, me Jakobin dhe Gjonin.

1:30 Vjehrra e Simonit ishte në shtrat me ethe dhe ata menjëherë i folën për të.

1:31 Atëhërë ai u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. Menjëherë ethet e lanë dhe ajo nisi t`u shërbejë.

1:32 Në mbrëmje, pas perëndimit të diellit, i prunë të gjithë të sëmurit dhe të idemonizuarit.

1:33 Dhe gjithë qyteti ishte mbledhur përpara derës.

1:34 Ai shëroi shumë, që lëngonin nga sëmundje të ndryshme, dhe dëboi shumë demonë; dhe nuk i lejoi demonët të flasin, sepse ata e njihnin.

1:35 Pastaj, të nesërmen në mëngjes, kur ende ishte shumë errët, Jezusi u ngrit, doli dhe shkoi në një vend të vetmuar dhe atje u lut.

1:36 Dhe Simoni dhe ata që ishin me të e kërkonin.

1:37 Dhe, kur e gjetën, i thanë: “Të gjithë po të kerkojnë!“.

1:38 Dhe ai u tha atyre: “Lë të shkojmë në fshatrat e afërm që të predikoj edhe atje, sepse për këtë kam ardhur“.

1:39 Dhe ai e përshkoi gjithë Galilenë duke predikuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke dëbuar demonët.

Shërimi i një lebrozi

1:40 Dhe erdhi tek ai një lebroz i cili, duke iu lutur, ra në gjunj dhe i tha: “Po të duash, ti mund të më pastrosh“.

1:41 Dhe Jezusi, duke e mëshiruar, shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Po, e dua, qofsh pastruar!“.

1:42 Dhe, posa tha këto, menjëherë lebra e la dhe u shërua.

1:43 Pastaj, mbasi e paralajmëroi rreptësisht, menjëherë e largoi,

1:44 duke i thënë: “Ruhu se i tregon gjë ndokujt, por shko, paraqitu te prifti dhe ofro për pastrimin tënd sa ka urdhëruar Moisiu, si dëshmi për ta“.

1:45 Por ai, sapo doli, filloi ta shpallë dhe ta përhapë fort faktin, sa që Jezusi nuk mund të hynte më publikisht në qytet, por qëndronte përjashta nëpër vende të vetmuara; dhe nga çdo anë vinin tek ai.