Marku 10

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Mbi shkurorëzimin

10:1 Mbasi u nis prej andej, Jezusi shkoi në krahinën e Judesë gjatë Jordanit dhe përsëri u mblodhën rreth tij turma; ai përsëri filloi t`i mësojë, siç e kishte zakon.

10:2 Dhe farisenjtë, për ta vënë në provë, e pyetën: “A është e ligjshme që burri ta lë gruan?“.

10:3 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Çfarë ju ka urdhëruar Moisiu?“.

10:4 Ata thanë: “Moisiu ka lejuar të shkruhet letra e shkurorëzimit dhe ta lësh gruan“.

10:5 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Për shkak të ngurtësisë së zemrës suaj ai e shkroi atë rregull;

10:6 por në fillim të krijimit, Perëndia i bëri mashkull e femër.

10:7 Për këtë arsye njeriu do ta braktisë babanë e tij dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij;

10:8 dhe të dy do të jenë një mish i vetëm; kështu nuk janë më dy, por një mish i vetëm.

10:9 Prandaj njeriu të mos ndajë atë që Perëndia e ka bashkuar!“.

10:10 Dhe në shtëpi dishepujt e vet e pyetën përsëri për këtë çështje.

10:11 Atëherë ai u tha atyre: “Ai që lë gruan e vet dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën me të.

10:12 Po ashtu, nëse gruaja lë burrin e vet dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën.

Jezusi bekon fëmijët e vegjël

10:13 Atëherë i prunë disa fëmijë të vegjël që ai t`i prekte ata; por dishepujt i qortonin ata që i prunë.

10:14 Kur Jezusi e pa këtë, i indinjuar, u tha atyre: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë.

10:15 Në të vërtetë po ju them se kushdo që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë në të“.

10:16 Dhe, si i mori në krahë, i bekoi duke vënë duart mbi ta.

I riu pasanik

10:17 Tani kur po bëhej gati për rrugë, i doli përpara dikush me vrap; u gjunjëzua para tij dhe e pyeti: “Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?“.

10:18 Dhe Jezusi i tha: “Përse më quan i mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë.

10:19 Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën. Mos vrit. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të rreme. Mos mashtro. Ndero atin tënd dhe nënën tënde"“.

10:20 Dhe ai, duke iu përgjigjur, i tha: “Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që në fëmijërinë time“.

10:21 Atëherë Jezusi e vështroi në fytyrë, ndjeu dashuri për të dhe i tha: “Një gjë të mungon; shko, shit të gjitha ato që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja, merre kryqin tënd dhe më ndiq“.

10:22 Por ai u trishtua për këto fjalë dhe u largua me keqardhje, sepse kishte shumë pasuri.

10:23 Atëherë Jezusi, mbasi e hodhi vështrimin përreth, u tha dishepujve të vet: “Sa vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!“.

10:24 Dishepujt u habitën shumë nga këto fjalë të tij. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha atyre: “O bij, sa e vështirë është që të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që mbështeten te pasuria.

10:25 Éshtë më e lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e një gjilpëre, se sa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë“.

10:26 Dhe ata u çuditën edhe më tepër dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Atëherë kush vallë mund të shpëtohet?“.

10:27 Por Jezusi, duke i ngulur sytë mbi ta, u tha: “Kjo për njerëzit është e pamundur, por jo për Perëndinë, sepse gjithçka është e mundur për Perëndinë“.

10:28 Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe tha: “Ja, ne lamë çdo gjë dhe të kemi ndjekur“.

10:29 Jezusi, duke u përgjigjur, tha: “Në të vërtetë po ju them që nuk ka asnjeri që të ketë lënë shtëpinë, a vëllezërit a motrat, a atin, a nënën, a fëmijët ose arat për hirin tim dhe për ungjillin,

10:30 që të mos marrë tani, në këtë kohë, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, së bashku me përndjekje, dhe në botën e ardhshme, jeta e përjetshme.

10:31 Por shumë të parë do të jenë të fundit dhe shumë të fundit do të jenë të parët“.

Kërkesa e bijve të Zebedeut

10:32 Ata ishin në udhëtim për t`u ngjitur në Jeruzalem, dhe Jezusi i paraprinte. Dhe ata ishin të tronditur dhe e ndiqnin me ndrojtje. Dhe ai i mblodhi përsëri të dymbëdhjetët mënjanë dhe nisi t`u thotë çfarë do t`i ndodhte:

10:33 “Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t`u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve; dhe ata do ta dënojnë me vdekje dhe do ta dorëzojnë në duar të paganëve,

10:34 të cilët do ta tallin, do ta fshikullojnë, do ta pështyjnë dhe do ta vrasin, por ai, ditën e tretë, do të ringjallet“.

10:35 Atëherë Jakobi dhe Gjoni, bij të Zebedeut, iu afruan dhe i thanë: “Mësues, ne dëshirojmë që ti të bësh për ne atë që do të të kërkojmë“.

10:36 Dhe ai u tha atyre: “Çfarë doni të bëj për ju?“

10:37 Ata i thanë: “Na lejo që të ulemi njëri në të djathtën tënde dhe tjetri në të majtën tënde në lavdinë tënde“.

10:38 Dhe Jezusi u tha atyre: “Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund të pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë jam pagëzuar?“. Ata i thanë: “Po, mundemi“.

10:39 Dhe Jezusi u tha atyre: “Vërtetë ju do të pini kupën që unë po pij dhe do të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin jam pagëzuar,

10:40 por nuk më takon mua të vë dikë të ulet në të djathtën time ose në të majtën time, por është për ata për të cilët është përgatitur“.

10:41 Kur i dëgjuan këto, të dhjetë të tjerët filluan të indinjohen kundër Jakobit dhe Gjonit.

10:42 Por Jezusi i thirri pranë vetes dhe tha: “Ju e dini që ata që konsiderohen sundues të kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë mbi to pushtetin e tyre;

10:43 por kjo s`duhet të ndodhë midis jush; madje ai nga ju që do të dojë të bëhet i madh, do të jetë shërbëtori juaj;

10:44 dhe kushdo nga ju që do të dojë të jetë i pari, do të jetë skllavi i të gjithëve.

10:45 Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t`i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetave“.

I verbëri i Jerikos

10:46 Kështu arritën në Jeriko. Kur ai po dilte nga Jeriko me dishepujt e tij dhe me një turmë të madhe, biri i Timoteut, Bartimeu i verbër, ishte ulur gjatë rrugës dhe lypte.

10:47 Kur dëgjoi se ai që po kalonte ishte Jezusi Nazareas, filloi të bërtasë dhe të thotë: “Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!“.

10:48 Shumë e qortonin që të heshte, por ai bërtiste edhe më fort: “Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!“.

10:49 Dhe Jezusi qëndroi dhe urdhëroi që ta thërrasin. Ata e thirrën, pra, të verbërin duke i thënë: “Merr zemër, çohu, ai po të thërret!“.

10:50 Atëherë ai hodhi tej rrobën e tij, u ngrit dhe erdhi te Jezusi.

10:51 Dhe Jezusi mori fjalën dhe i tha: “Çfarë do që unë të të bëj?“. I verbëri i tha: “Rabboni, që të më kthehet të parit!“.

10:52 Dhe Jezusi i tha: “Shko, besimi yt të shëroi“. Dhe në çast atij iu kthye të parit dhe nisi të ndjekë Jezusin në udhë.

[previous][next]