Marku 4

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Shëmbëlltyra e mbjellësit

4:1 Pastaj nisi përsëri të mësojë në breg të detit; dhe rreth tij u mblodh një turmë aq e madhe, sa që ai hyri në barkë dhe rrinte ulur në det, ndërsa gjithë turma ishte në tokë pranë detit.

4:2 Dhe ai u mësonte atyre shumë gjëra në shëmbëlltyra, dhe u thoshte atyre në mësimin e tij:

4:3 “Dëgjoni! Ja, doli mbjellësi të mbjellë.

4:4 Dhe ndodhi që kur hidhte farën, një pjesë e farës ra gjatë rrugës dhe zogjtë e qiellit erdhën dhe e hëngrën.

4:5 Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë dhe dhe mbiu menjëherë, sepse s`kishte një tokë të thellë.

4:6 Por, kur doli dielli, u dogj; dhe me që nuk kishte rrënjë, u tha.

4:7 Një pjesë tjetër ra midis ferrave; ferrat u rritën, e mbyten dhe nuk dha fryt.

4:8 Një pjesë tjetër ra në tokë të mirë, dhe solli frut që rritej, dhe u zhvillua për të dhënë njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë dhe tjetra njëqind“.

4:9 Pastaj ai u tha atyre: “Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!“.

4:10 Tani kur ishte vetëm, ata që i rrinin përreth bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrën.

4:11 Dhe ai u tha atyre: “Juve u është dhënë të njihni misterin e mbretërisë së Perëndisë; kurse atyre që janë përjashta të gjitha këto jepen me shëmbëlltyra,

4:12 që: "Duke parë, të shohin, por të mos vën re; edhe duke dëgjuar, të dëgjojnë, por të mos kuptojnë, se mos pendohen dhe mëkatet u falen"“.

4:13 Pastaj u tha atyre: “Nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? Po atëhere si do t`i kuptoni të gjitha shëmbëlltyrat e tjera?

4:14 Mbjellësi mbjell fjalën.

4:15 Ata gjatë rrugës janë ata në të cilët mbillet fjala; por pasi e kanë dëgjuar atë, vjen menjëherë Satanai dhe ua heq fjalën e mbjellë në zemrat e tyre.

4:16 Po ashtu ata që e marrin farën mbi nje gurishte janë ata që, kur e kanë dëgjuar fjalën, e pranojnë menjëherë me gëzim;

4:17 por nuk kanë rrënjë në vetvete, dhe janë të përkohshëm; dhe kur vjen mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohen menjëherë.

4:18 Ata përkundrazi të cilët e marrin farën midis ferrave, janë ata që e dëgjojnë fjalën,

4:19 por shqetësimet e kësaj bote, mashtrimet e pasurisë dhe lakmitë për gjëra të tjera që hynë, e mbyten fjalën dhe ajo bëhet e pafrytshme.

4:20 Kurse ata që e morën farën në tokë të mirë, janë ata që e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: një tridhjetë, tjetri gjashtëdhjetë dhe tjetri njëqind“.

Shëmbëlltyra e llambës

4:21 Pastaj u tha atyre: “A merret vallë llamba për ta vënë nën babunë ose nën shtrat? A nuk vihet mbi dritëmbajtësen?

4:22 Sepse nuk ka asgjë të fshehtë që të mos zbulohet, as kurrgjë sekrete që të mos dalin në dritë.

4:23 Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!“

4:24 Dhe u tha atyre: “Vini re atë që dëgjoni. Me atë masë që ju matni, do t`iu matet juve; edhe juve që dëgjoni do t`iu jepet edhe më.

4:25 Sepse atij që ka, do t`i jepet, por atij që s`ka, do t`i merret edhe ajo që ka.

Shëmbëlltyra e farës

4:26 Tha akoma: “Mbretëria e Perëndisë është si një njeri që hedh farën në dhe.

4:27 Dhe natën dhe ditën, ndërsa ai fle dhe çohet, fara mbin dhe rritet, pa e ditur ai se si.

4:28 Sepse dheu prodhon vetvetiu më parë kërcellin, pastaj kallirin, dhe më në fund kallirin plot me kokrra.

4:29 Dhe kur fryti piqet, menjëherë korrësi i vë drapërin, sepse erdhi koha e korrjes.

Shëmbëlltyra e farës së sinapit

4:30 Edhe tha: Me se ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë? Ose me çfarë shëmbëlltyre ta paraqesim?

4:31 Ajo i ngjan farës së sinapit, që, kur është mbjellë në dhe, është më e vogla nga të gjitha farërat që janë mbi dhe;

4:32 por, pasi mbillet, rritet dhe bëhet më e madhe se të gjitha barishtet; dhe lëshon degë aq të mëdha, sa zogjtë e qiellit mund të gjejnë strehë nën hijen e saj“.

4:33 Dhe me shumë shëmbëlltyra të tilla, u shpallte atyre fjalën, ashtu si ata ishin në gjendje ta kuptojnë.

4:34 Dhe nuk u fliste atyre pa shëmbëlltyra, ndërsa dishepujve të tij, veçmas, u shpjegonte çdo gjë.

Jezusi e fashit furtunën

4:35 Tani po atë ditë, si u ngrys, u tha atyre: “Kalojmë te bregu matanë!

4:36 Dhe dishepujt, si e nisën popullin, e morrën me vete Jezusin, ashtu si ishte, në barkë. Me të ishin edhe disa barka të tjera të vogla.

4:37 Ndërkaq shpërtheu një furtunë e madhe dhe valët përplaseshin mbi barkë aq shumë sa ajo po mbushej.

4:38 Ai ndërkaq po flinte në kiç mbi një jastëk. Ata e zgjuan dhe i thanë: “Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?“.

4:39 Dhe ai si u zgjua, e qortoi erën dhe i foli detit: “Pusho dhe fashitu!“. Dhe era pushoi dhe u bë qetësi e madhe.

4:40 Atëherë u tha atyre: “Pse jeni ju aq frikacakë? Vallë, si nuk keni besim?“.

4:41 Dhe ata i zuri një frikë e madhe dhe i thoshnin njëritjetrit: “Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era edhe deti?“.