Marku 5

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

I idemonizuari Gadarenas

5:1 Kështu arritën në bregun tjetër të detit, në krahinën e Gadarenasve.

5:2 Dhe, sapo Jezusi zbriti nga barka, menjëherë i doli përpara nga varrezat një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë,

5:3 i cili banonte në varreza dhe kurrkush s`kishte mundur ta lidhë, qoftë edhe me zinxhirë.

5:4 Shpesh herë, pra, e kishin lidhur me pranga e zinxhirë; por ai gjithnjë i thyente zinxhirët dhe i këpuste prangat; dhe kurrkush nuk e kishte bërë dot zap.

5:5 Vazhdimisht, natën dhe ditën, nëpër varre e mbi male, shkonte duke bërtitur dhe duke e rrahur veten me gurë.

5:6 Tani kur e pa Jezusin prej së largu, ai u turr dhe ra përmbys përpara tij,

5:7 dhe me një britmë të madhe tha: “Ç`ka ndërmjet mes nesh dhe teje, o Jezus, Bir i Perëndisë të shumë të lartit? Unë të përgjërohem në emrin e Perëndisë, mos më mundo!;“.

5:8 Sepse ai i kishte thënë: “Frymë e ndyrë, dil prej këtij njeriu!“.

5:9 Atëhere Jezusi e pyeti: “Cili është emri yt?“. Dhe ai u përgjigj duke thënë: “Unë quhëm Legjion, sepse jemi shumë“.

5:10 Dhe i lutej me të madhe që ai të mos i përzinte nga ajo krahinë.

5:11 Tani aty ishte, në brinjë të malit, një tufë e madhe derrash që kulloste.

5:12 Atëhere gjithë demonët e lutën duke thënë: “Na dërgo në derrat, që të hymë në ta“.

5:13 Dhe Jezusi menjëherë u lejoi atyre; atëherë frymërat e ndyra mbasi dolën, hynë në derrat dhe tufa u hodh poshtë nga gremina në det; ishin afërsisht dymijë krerë, dhe u mbytën në det.

5:14 Atëherë ata që i kullotnin derrat ikën dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra; dhe njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur.

5:15 Kur erdhën te Jezusi, panë të idemonizuarin ulur, të veshur dhe me mendje në rregull, atë që ishte idemonizuar nga Legjoni, dhe kishin frikë.

5:16 Dhe ata që e kishin parë ngjarjen u treguan atyre se çfarë i kishte ngjarë të idemonizuarit dhe çështjen e derrave.

5:17 Atëhere ata filluan t`i luten Jezusit që të largohej nga krahina e tyre.

5:18 Kur ai po hynte në barkë, ai që kishte qenë i idemonizuar i lutej që të mund të rrinte me të;

5:19 por Jezusi nuk e lejoj, madje i tha: “Shko në shtëpinë tënde, te të tut dhe u trego atyre çfarë gjërash të medha bëri Zoti dhe si pati mëshirë për ty“.

5:20 Dhe ai shkoi dhe nisi të predikojë nëpër Dekapolis për të gjitha ato që i kishte bërë Jezusi; të gjithë u mrrekulluan.

Gruaja me fluks gjaku: e bija e Jairit

5:21 Dhe kur Jezusi kaloj përsëri në bregun tjetër me barkë, një turmë e madhe u mblodh rreth tij; dhe ai qëndroj në breg të detit.

5:22 Atëhere erdhi një nga krerët e sinagogës, me emër Jair, që, kur e pa, i ra ndër këmbë,

5:23 dhe ju lut me të madhe duke thënë: “Ime bijë është duke dhënë shpirt; eja, vëri duart mbi të që të shërohet dhe të jetojë!“.

5:24 Dhe ai shkoi me të. Një turmë e madhe e ndiqte dhe shtyhej rreth tij.

5:25 Tani një grua që kishte një fluks gjaku që prej dymbëdhjetë vjetësh

5:26 dhe kishte vuajtur shumë nga ana e mjekëve të ndryshëm duke shpenzuar gjithë pasurinë e vet pa kurrfarë dobie, madje duke u bërë më keq,

5:27 kur dëgjoi të flitej për Jezusin, u fut në turmë dhe pas shpinës preku rrobën e Jezusit,

5:28 sepse thoshte: “Nëse vetëm ia prek rroben e tij, do të shërohem“.

5:29 Dhe menjëherë rrjedha e gjakut iu ndal dhe ajo ndjeu në trupin e vet se u shërua nga ajo sëmundje.

5:30 Por menjëherë Jezusi, duke e ndjerë në vete që një fuqi kishte dalë prej tij, u kthye midis turmës, tha: “Kush m`i preku rrobat?

5:31 Dhe dishepujt e vet i thanë: “A nuk po e sheh që turma po të shtyhet nga të gjitha anët dhe ti thua: “Kush më preku?“.

5:32 Por ai vështronte rreth e qark për të parë atë që bëri këtë.

5:33 Atëhere gruaja, plot frikë e duke u dridhur, duke ditur se ç`i kishte ndodhur, erdhi dhe i ra ndër këmbë dhe i tha gjithë të vërtetën.

5:34 Dhe ai i tha: “Bijë, besimi yt të shëroi; shko në paqe dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!“.

5:35 Ndërsa Jezusi ende po fliste, erdhën disa nga shtëpia e kryetarit të sinagogës duke thënë: “Jote bijë ka vdekur; pse e bezdis akoma Mësuesin?“.

5:36 Por Jezusi, sapo dëgjoi ç`u tha, i tha kryetarit të sinagogës: “Mos ki frikë, vetëm ki besim!“.

5:37 Dhe nuk lejoi që ta ndiqte kurrkush tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit, dhe Gjonit, vëllait të Jakobit.

5:38 Dhe mbasi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës, pa një rrëmujë të madhe dhe njerëz që qanin dhe ulërinin me të madhe.

5:39 Hyri dhe u tha atyre: “Pse bërtitni e qani? Vajza nuk ka vdekur, por fle“.

5:40 Dhe ata e përqeshën, por ai, mbasi i nxori jashtë të gjithë, mori me vete atin dhe nënën e vajzës dhe ata që qenë me atë, dhe hyri atje ku dergjej vajza.

5:41 E mori, pra, për dore vajzën dhe i tha: “Talitha kumi“, që e përkthyer do të thotë: “Vajzë, ty po të them: Çohu!“.

5:42 Dhe menjëherë vajza u ngrit dhe filloi të ecë. Ajo ishte në fakt dymbëdhjetë vjeçe. Dhe ata u habitën me habi të madhe.

5:43 Por ai urdhëroi rreptësisht që askush të mos e marrë vesh; pastaj urdhëroi që t`i japin vajzës të hajë.