Marku 8

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Shumëzimi i dytë i bukëve

8:1 Në ato ditë, duke qenë se u mblodh një turmë shumë e madhe dhe s`kishin ç`të hanin, Jezusi i thirri dishepujt e vet dhe u tha atyre:

8:2 “Kam mëshirë për këtë turmë, sepse u bënë tri ditë që po rri me mua, dhe nuk ka ç`të hajë.

8:3 Dhe po t`i nis të pa ngrënë në shtëpitë e tyre, do të mbeten udhës; disa prej tyre kanë ardhur që nga larg“.

8:4 Dhe dishepujt e tij iu përgjigjën: “Si do të mund t`i ngopte me bukë këta dikush, këtu në shkretëtirë?“.

8:5 Dhe ai i pyeti: “Sa bukë keni?“. Ata i thanë: “Shtatë“.

8:6 Atëherë ai e urdhëroi turmën të ulet për tokë; dhe mori të shtatë bukët, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të vet që t`ia shpërndajnë turmës; dhe ata ia shpërndanë.

8:7 Kishin edhe disa peshq të vegjël; mbasi i bekoi, urdhëroi që edhe ata t`i shpërndahen turmës.

8:8 Kështu ata hëngrën dhe u ngopën; dhe dishepujt çuan shtatë kosha me copat që tepruan.

8:9 Ata që hëngrën ishin rreth katër mijë veta; pastaj i lejoi.

8:10 Dhe menjëherë hypi në barkë me dishepujt e vet dhe shkoi në rrethinën e Dalmanutës.

Majaja e farisenjve

8:11 Atëherë erdhën farisenjtë dhe nisën të diskutojnë me të, duke i kërkuar një shenjë nga qielli për ta vënë në provë.

8:12 Por ai, duke psherëtirë në frymë, tha: “Përse ky brez kërkon një shenjë? Në të vërtetë po ju them se këtij brezi nuk do t`i jepet asnjë shenjë“.

8:13 Atëherë i la, hipi përsëri në barkë dhe kaloi në bregun tjetër.

8:14 Tani dishepujt kishin harruar të marrin bukë me vete, dhe në barkë s`kishin asgjë përveç një buke.

8:15 Dhe Jezusi i qortoi duke thënë: “Kini kujdes, ruhuni nga majaja e farisenjve dhe nga majaja e Herodit!“.

8:16 Por ata diskutonin midis tyre duke thënë: “Nuk kemi bukë“.

8:17 Jezusi e vuri re dhe u tha: “Përse dis-kutoni që s`keni bukë? Ende nuk po e kuptoni e nuk e merrni vesh? Ende e keni zemrën të ngurtë?

8:18 Keni sy dhe nuk shihni, keni veshë dhe nuk dëgjoni? Dhe nuk po mbani mend?

8:19 Kur ndava të pesë bukët për të pesë mijtë, sa kosha plot me copa mblodhët?“. Ata thanë: “Dymbëdhjetë“.

8:20 “Po kur theva të shtatë bukët për të katër mijtët, sa shporta plot me bukë mblodhët?“. Dhe ata thanë: “Shtatë“.

8:21 Dhe ai u tha atyre: “Po si, ende nuk po kuptoni?“.

Shërimi i të verbërit nga Betsaida

8:22 Pastaj arriti në Betsaida; dhe i prunë një të verbër e iu lutën ta prekte.

8:23 Atëherë e mori për dore të verbërin, e nxori jashtë fshatit dhe, pasi i pështyu në sy dhe vuri duart mbi të, e pyeti nëse shihte gjë.

8:24 Dhe ai, duke hapur sytë, tha: “Po shoh njerëz si pemë që ecin“.

8:25 Atëherë Jezusi i vuri përsëri duart mbi sytë dhe e bëri të shikojë lart; dhe atij iu kthye të parit dhe shikonte qartë gjithçka.

8:26 Dhe Jezusi e nisi të shkojë në shtëpinë e tij duke i thënë: “Mos hyr në fshat dhe mos ia trego askujt në fshat“.

Rrëfimi i Pjetrit

8:27 Pastaj Jezusi shkoi bashkë me dishepujt e vet ndër fshatrat e Cesaresë së Filipit; dhe gjatë rrugës i pyeti dishepujt e vet duke u thënë atyre: “Kush thonë njerëzit se jam unë?“.

8:28 Ata u përgjigjën: “Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, dhe të tjerë një nga profetët“.

8:29 Dhe ai u tha atyre: “Po ju, kush thoni se jam?“. Dhe Pjetri, duke iu përgjigjur i tha: “Ti je Krishti“.

8:30 Atëherë ai i urdhëroi rreptësisht që të mos i tregojnë askujt për të.

8:31 Pastaj nisi t`u mësojë atyre se Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, do të hidhet poshtë nga pleqtë, nga krerët e priftërinjve dhe nga skribët; se do të vritet dhe pas tri ditësh do të ringjallet.

8:32 Dhe ai i tha këto gjëra haptas. Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortojë.

8:33 Por ai u kthye, shikoi dishepujt e vet dhe e qortoi Pjetrin, duke thënë: “Largohu nga unë, Satana, se ti nuk ke shqisën për gjërat e Perëndisë, por për gjërat e njerëzve!“.

Secili të marrë kryqin e vet

8:34 Pastaj e thirri pranë vetes turmën me dishepujt e vet dhe iu tha: “Kushdo që don të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë,

8:35 sepse ai që don të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë.

8:36 Ç`dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet?

8:37 Ose çfarë mund të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet?

8:38 Sepse kujtdo që do t`i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në mes të këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar, për atë do t`i vijë turp edhe Birit të njeriut, kur të arrijë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e shenjtë“.