Marku 2

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

I paralizuari i Kapernaumit

2:1 Pas disa ditësh, ai erdhi përsëri në Kapernaum dhe u muar vesh se ai gjendej në shtëpi;

2:2 dhe menjëherë u mblodhën aq shumë njerëz, sa nuk gjeje më vend as përpara derës; dhe ai u predikonte Fjalën.

2:3 Atëhërë i erdhën disa që i paraqitën një të paralizuar, që po e bartnin katër vetë.

2:4 Por, duke qenë se nuk mund t`i afroheshin për shkak të turmës, zbuluan çatinë në vendin ku ndodhej Jezusi dhe, mbasi hapën një vrimë, e lëshuan vigun mbi të cilin rrinte shtrirë i paralizuari.

2:5 Jezusi, kur pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: “O bir, mëkatet e tua të janë falur!“.

2:6 Por aty po rrinin ulur disa shkribë, të cilët, në zemër të vet, po mendonin:

2:7 “Pse vallë ky po flet blasfemi. Kush mund të falë mëkatet, veç Perëndisë vetë?“.

2:8 Por Jezusi, i cili menjëherë kuptoi në frymën e vet se ata po i mendonin këto gjëra në veten e tyre, u tha atyre: “Pse i mendoni këto gjëra në zemrat tuaja?

2:9 Çfarë është më lehtë: t`i thuash të paralizuarit: "Mëkatet e tua të janë falur", apo t`i thuash: "Çohu, merre vigun tënd dhe ec"?

2:10 Dhe tani, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatët mbi dhe,

2:11 unë po të them (i tha të paralizuarit): Çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!"“.

2:12 Dhe ai u ngrit menjëherë, mori vigun e vet dhe doli përjashta në praninë e të gjithëve dhe kështu të gjithë u habitën dhe lëvduan Perëndinë duke thënë: “Një gjë të tillë s`e kemi parë kurrë!“.

Thirrja e Levit

2:13 Jezusi doli përsëri gjatë bregut të detit dhe gjithë turma erdhi tek ai dhe ai e mësonte.

2:14 Duke kaluar, pa Levin, birin e Alfeut, i cili qe ulur në vendin e tatimeve, dhe i tha: “Ndiqmë!“. Ai u ngrit dhe e ndoqi.

2:15 Dhe ndodhi që, kur Jezusi ishte në tryezë në shtëpinë e Levit, shumë tagrambledhës dhe mëkatarë u ulën në tryezë me Jezusin dhe me dishepujt e tij; në fakt ishin shumë ata që e ndiqnin.

2:16 Atëhërë skribët dhe farisenjtë, duke e parë se po hante me tagrambledhës dhe me mëkatarë, u thanë dishepujve të tij: “Qysh ha dhe pi ai bashkë me tagrambledhës e me mëkatarë?“.

2:17 Dhe Jezusi, kur e dëgjoi, u tha atyre: “Nuk janë të shëndoshet që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët; unë nuk erdha për të thirrur të drejtët, por mëkatarët për pendim.

Mbi agjerimin

2:18 Atëherë dishepujt e Gjonit dhe ata të farisenjve po agjëronin. Ata erdhen te Jezusi dhe i thanë: “Përse dishepujt e Gjonit dhe ata të farisenjve agjërojnë, kurse dishepujt e tu nuk agjërojnë?“.

2:19 Dhe Jezusi u përgjigj atyre: “Vallë a mund të agjërojnë dasmorët, ndërsa dhëndri është me ta? Për sa kohë kanë më vete dhëndrin, nuk mund të agjërojnë!

2:20 Por do të vijnë ditët kur do t`u merret dhëndri dhe atëhërë, në ato ditë, ata do të agjërojnë.

2:21 Askush nuk qep një copë stof të ri mbi një rrobe të vjetër, përndryshe copa e re e shkul gjithë arnesën dhe shqyerja bëhet më keq.

2:22 Po ashtu askush nuk shtie verë të re në kacekë të vjetër, përndryshe vera e re i prish kacekët, vera derdhet dhe kacekët shkojnë dëm; porse vera e re duhet shtënë në kacekë të rinj“.

Jezusi, zot i së shtunës

2:23 Por ndodhi që një ditë të shtunë ai po kalonte nëpër ara dhe dishepujt e tij, duke kaluar, filluan të këpusin kallinj.

2:24 Dhe farisenjtë i thanë: “Shih, përse po bëjnë atë që nuk është e ligjshme ditën e shtunë?“.

2:25 Por ai u tha atyre: “A nuk keni lexuar vallë ç`bëri Davidi, kur pati nevojë dhe kishte uri, ai dhe ç`qenë me të?“.

2:26 Se si hyri ai në shtëpinë e Perëndisë në kohën e kryepriftit Abiathar, dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohet t`i hajë askush, përveç priftërinjve, dhe u dha edhe atyre që qenë me të?“.

2:27 Pastaj u tha atyre: “E shtuna është bërë për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën.

2:28 Prandaj Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës“.