Marku 3

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Njeriu me dorë të thatë

3:1 Pastaj ai hyri përsëri në sinagogë dhe aty ishte një njeri që kishte një dorë të tharë.

3:2 Dhe ata po e ruanin në se do ta shëronte në ditën e së shtunës, që pastaj ta paditnin.

3:3 Dhe ai i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: “Çohu në mes të të gjithëve!“.

3:4 Dhe u tha atyre: “A është e lejueshme ditën e së shtunës të bësh të mirë apo të keqe, të shpëtosh një jetë apo ta vrasësh?“. Por ata heshtnin.

3:5 Atëherë ai, si i shikoi rreth e qark me zemërim, i hidhëruar për ngurtësinë e zemrës së tyre, i tha atij njeriu: “Shtrije dorën tënde!“. Ai e shtriu, dhe dora e tij u shëndosh përsëri si tjetra.

3:6 Dhe farisenjtë dolën jashtë e menjëherë bënin këshill bashkë me herodianët kundër tij, se si ta vrasin.

3:7 Por Jezusi me dishepujt e vet u tërhoq drejt detit; dhe një turmë e madhe nga Galilea i ndoqi; edhe nga Judea;

3:8 dhe nga Jeruzalemi, nga Idumea, nga përtej Jordanit; gjithashtu një turmë e madhe nga rrethinat Etiros dhe të Sidonit, kur dëgjoi gjërat e medha që ai bënte, erdhi tek ai.

3:9 Atëherë ai u tha dishepujve të tij të kenë gjithnjë gati një barkë, që populli mos e shtynte.

3:10 Sepse ai kishte shëruar shumë veta, të gjithë që kishin sëmundje dyndeshin rreth tij që ta preknin.

3:11 Dhe frymërat e ndyrë, kur e shihnin, binin përmbys para tij dhe bërtitnin, duke thënë: “Ti je Biri i Perëndisë!“.

3:12 Por ai i qortoi rreptësisht që të mos thonin se kush ishte ai.

Zgjedhja e të dymbëdhjetëve

3:13 Pastaj ai u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që deshi. Dhe ata erdhën tek ai.

3:14 Dhe ai i caktoi dymbëdhjetë që të rrinin me të dhe që mund t`i dërgonte të predikojnë,

3:15 dhe të kishin pushtet të shëronin sëmundjet dhe të dëbonin demonët.

3:16 Ata ishin: Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër;

3:17 Jakobi, bir i Zebedeut, dhe Gjoni, vë-llai i Jakobit, të cilave ua vuri emrin Boanerges, që do të thotë: "Bij të bubullimës";

3:18 Andrea, Filipi, Bartolomeu, Mateu, Thomai, Jakobi i Alfeut, Tadeu, Simon Kananeasi,

3:19 dhe Juda Iskarioti, i cili më pas e tradhëtoi.

Blasfemia e farisenjve

3:20 Pastaj hynë në një shtëpi. Dhe u mblodh përsëri një turmë aq e madhe, sa që as bukë s`mund të hanin.

3:21 Dhe kur të afërmit e tij e morën vesh, shkuan ta marrin atë, sepse flitej: “Nuk është në vete“.

3:22 Kurse skribët, që kishin zbritur nga Jeruzalemi, thoshnin: “Ai e ka Beelzebubin dhe i dëbon demonët me princin e demonëve“.

3:23 Por ai i thirri pranë vetes dhe u foli me anë të shëmbëlltyrave: “Si mund Satanai të dëbojë Satananë?

3:24 Në qoftë se një mbretëri është përçarë kundër vetvetes, ajo mbretëri nuk mund të qëndrojë.

3:25 Dhe në qoftë se një shtëpi përçahet kundër vetvetes, ajo shtëpi nuk mund të qëndrojë.

3:26 Kështu, në se Satanai ngrihet kundër vetvetes dhe është përçarë, nuk mbahet dot, por i erdhi fundi!

3:27 Askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e njeriut të fortë dhe t`ia grabitë pasuritë e tij, pa e lidhur më parë njeriun e fortë; vetëm atëherë mund t`ia plaçkitë shtëpinë.

3:28 Në të vërtetë po ju them se bijve të njerëzve do t`u falet çfarëdo mëkat dhe çdo blasfemi që do të thonë;

3:29 po për atë që do të blasfemojë kundër Frymës së Shenjtë nuk do të ketë falje përjetë; ai është fajtor për dënim të përjetshëm“.

3:30 Sepse ata thoshnin: “Ai ka një frymë të ndyrë!“.

Familja e Jezusit

3:31 Ndërkaq erdhën vëllezërit e tij dhe e ëma dhe, si ndaluan përjashta, dërguan ta thërrasin.

3:32 Turma ishte ulur përreth tij; dhe i thanë: “Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta dhe po të kërkojnë“.

3:33 Por ai u përgjigj atyre duke thënë: “Kush është nëna ime, ose vëllezërit e mi?“.

3:34 Pastaj duke vështruar rreth e qark mbi ata që ishin ulur rreth tij, tha: “Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi!

3:35 Sepse kushdo që bën vullnetin e Perëndisë, ai është vëllai im, motra ime dhe nëna!“.