Marku 14

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Komploti i priftërinjve

14:1 Tani dy ditë më vonë ishte Pashka dhe festa e të Ndormëve; dhe krerët e priftërinjve dhe skribët kërkonin mënyrën se si ta kapnin Jezusin me mashtrim dhe ta vrisnin.

14:2 Por thonin: “Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë nga populli“.

Gostia e Betanias

14:3 Tani ai ishte në Betania, në shtëpinë e Simonit lebroz, dhe ndërsa ishte në tryezë, hyri një grua me një enë alabastri me vaj të parfumuar me nard të vërtetë, shumë të kushtueshëm; ajo e theu enën prej alabastri dhe ia derdhi vajin mbi krye.

14:4 Disa u indinjuan midis tyre dhe thanë: “Përse bëhet gjithë ky shpenzim i kotë i vajit?

14:5 Sepse ky vaj mund të shitej për më shumë se treqind denarë dhe këto t`u jepeshin të varfërve“. Dhe ishin të indinjuar ndaj asaj.

14:6 Por Jezusi tha: “Lëreni të qetë; pse e shqetësoni? Ajo kreu një vepër të mirë ndaj meje.

14:7 Sepse të varfërit do t`i keni gjithmonë me ju; dhe, kur të doni, mund t`u bëni mirë; por mua nuk do të më keni gjithmonë.

14:8 Ajo bëri atë që mundi; vajosi para kohe trupin tim për varrim.

14:9 Por po ju them në të vërtetë se në gjithë botën, kudo që do të predikohet ky ungjill, do të tregojnë edhe atë që ajo bëri, në përkujtim të saj“.

Çmimi i tradhtisë

14:10 Atëherë Juda Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te krerët e priftërinjve, që t`ua dorëzonte Jezusin.

14:11 Dhe ata, kur e dëgjuan, u gëzuan dhe i premtuan se do t`i jepnin para. Kështu ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar.

Darka e Pashkës

14:12 Tani në ditën e parë të festës së të Ndormëve, kur flijohej Pashka, dishepujt e vet i thanë: “Ku don të shkojmë dhe të përgatisim për ta ngrënë Pashkën?“.

14:13 Atëherë ai dërgoi dy nga dishepujt e vet duke u thënë: “Shkoni në qytet dhe atje do të takoni një njeri, që bart një kanë plot me ujë; ndiqeni atë.

14:14 Dhe atje ku ai do të hyjë, i thoni të zotit të shtëpisë: "Mësuesi pyet: Ku është dhoma ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?".

14:15 Atëherë ai do t`ju tregojë lart një sallë të madhe të mobiluar dhe gati; aty përgatitni për ne“.

14:16 Dishepujt e tij shkuan, arritën në qytet dhe gjetën ashtu siç ai u kishte thënë; dhe përgatitën Pashkën.

14:17 Kur u bë darkë, ai erdhi me të dymbëdhjetët.

14:18 Dhe kur po rrinin në tryezë dhe po hanin, Jezusi tha: “Ju them në të vërtetë se njëri prej jush, që po ha me mua, do të më tradhtojë“.

14:19 Atëherë ata filluan të trishtohen dhe t`i thoshin njëri pas tjetrit: “Mos jam unë?“. Dhe një tjetër tha: “Mos jam unë?“.

14:20 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Éshtë një nga të dymbëdhjetët që po ngjyen me mua në çanak.

14:21 Po, Biri i njeriut po shkon ashtu siç është shkruar për të; por mjerë ai njeri me anë të cilit tradhtohet Biri i njeriut. Do të ishte më mirë për të, që ai njeri të mos kishte lindur kurrë!“.

14:22 Dhe, ndërsa ata po hanin, Jezusi mori buk, e bekoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: “Merrni, hani; ky është trupi im“.

14:23 Pastaj mori kupën, e falënderoi, ua dha atyre dhe të gjithë pinë prej saj.

14:24 Atëherë u tha: “Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë veta.

14:25 Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri në atë ditë kur do ta pi të ri në mbretërinë e Perëndisë“.

14:26 Dhe, mbasi kënduan një himn, dolën dhe u drejtuan nga mali i Ullinjve.

Pjetri paralajmërohet

14:27 Dhe Jezusi u tha atyre: Ju të gjithë do të skandalizoheni me mua sonte, sepse është shkruar: "Do ta godas Bariun dhe delet do të shpërndahen".

14:28 Por, mbasi të ringjallem, unë do t`ju pararend në Galile“.

14:29 Dhe Pjetri i tha: “Edhe sikur të gjithë të tjerët të skandalizohen me ty, unë nuk do të skandalizohem“.

14:30 Dhe Jezusi i tha: “Unë po të them në të vërtetë se sot, pikërisht në këtë natë, para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë“.

14:31 Por ai, duke ngulur këmbë më tepër, thoshte: “Edhe sikur të më duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj kurrë“. Të njëjtën gjë thoshnin edhe gjithë të tjerët.

Jezusi në Gjetsemani

14:32 Pastaj ata arritën në një vend që quhej Gjetsemani; dhe ai u tha dishepujve të vet: “Uluni këtu, deri sa unë të jem lutur“.

14:33 Mori, pra, me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, dhe filloi ta zërë frika dhe ankthi;

14:34 dhe u tha atyre: “Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar“.

14:35 Dhe, si shkoi pak përpara, ra përmbys përtokë dhe lutej që, po të ishte e mundur, të largohej prej tij ajo orë.

14:36 Dhe tha: “Abba, Atë, çdo gjë për ty është e mundur; largoje prej meje këtë kupë! Por jo atë që dua unë, por atë që do ti!“.

14:37 Pastaj u kthye mbrapa, i gjeti dishepujt duke fjetur dhe i tha Pjetrit: “Simon, po fle? S`ke qenë i zoti të rrish zgjuar një orë të vetme?

14:38 Rrini zgjuar dhe lutuni që të mos hyni në tundim; sigurisht fryma është e gatshme, por mishi është i dobët“.

14:39 U largua përsëri dhe u lut duke thënë të njëjtat fjalë.

14:40 Kur u kthye, i gjeti përsëri në gjumë dishepujt, sepse sytë e tyre ishin rënduar dhe ata nuk dinin çfarë t`i përgjigjeshin.

14:41 Së fundi, kthehet për të tretën herë dhe u thotë atyre: “Ende po flini dhe pushoni? Mjaft! Erdhi ora. Ja, Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve.

14:42 Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhton është afër!“.

Arrestimi i Jezusit

14:43 Dhe në atë çast, ndërsa ai ende po fliste, erdhi Juda, një nga të dymbëdhjetët, dhe me të një turmë e madhe me shpata e shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve, nga skribët dhe nga pleqtë.

14:44 Dhe ai që po e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë: “Kë do të puth, ai është. Kapeni dhe çojeni me shoqërim të sigurt“.

14:45 Dhe si arriti, u afrua menjëherë tek ai dhe tha: “Rabbi, Rabbi!“; dhe e puthi përzemërsisht!

14:46 Atëherë ata vunë dorë mbi të dhe e arrestuan.

14:47 Dhe një nga të pranishmit nxori shpatën, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin.

14:48 Atëherë Jezusi, duke iu përgjigjur, i tha: “Paskeni ardhur me shpata e me shkopinj që të më kapni sikurse të isha një cub?

14:49 E pra, përditë isha midis jush në tempull duke i mësuar njerëzit dhe ju nuk më kapët; por kjo po ndodh që të përmbushen Shkrimet!“.

14:50 Atëherë dishepujt e lanë dhe ikën të gjithë.

14:51 Dhe një farë djaloshi, që ishte i mbështjellur me një çarçaf mbi trupin e zhveshur, po e ndiqte, por ata e kapën.

14:52 Por ai e lëshoi çarçafin dhe iku lakuriq nga duart e tyre.

Jezusi përpara Sinedrit

14:53 Atëherë ata e çuan Jezusin te kryeprifti, ku u mblodhën të gjithë krerët e priftërinjve, pleqtë dhe skribët.

14:54 Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri brenda në pallatin e kryepriftit dhe u ul atje bashkë me rojat dhe ngrohej afër zjarrit.

14:55 Dhe krerët e priftërinjve dhe gjithë sinedrit kërkonin dëshmi kundër Jezusit për ta vrarë, por nuk po gjenin.

14:56 Shumë veta në fakt jepnin dëshmi të rreme kundër tij; por dëshmitë e tyre nuk përkonin.

14:57 Atëherë disa u ngritën dhe dëshmuan rrejshëm kundër tij duke thënë:

14:58 “Ne e kemi dëgjuar se ka thënë: "Unë do ta shkatërroj këtë tempull të bërë me duar, dhe brenda tri ditësh do të ndërtoj një tjetër që nuk është bërë me duar"“.

14:59 Por as mbi këtë dëshmia e tyre nuk përkonte.

14:60 Atëherë kryeprifti u ngrit në mes të kuvendit dhe e pyeti Jezusin duke thënë: “Nuk përgjigjesh fare? Çfarë po dëshmojnë këta kundër teje?“.

14:61 Por ai heshti dhe nuk u përgjegj fare. Përsëri kryeprifti e pyeti dhe i tha: “A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?“.

14:62 Dhe Jezusi tha: “Unë jam. Dhe ju do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Pushtetit dhe duke ardhur me retë e qiellit“.

14:63 Atëherë kryeprifti, duke i shqyer rrobat, tha: “Ç`nevojë kemi më për dëshmitarë?

14:64 Ju e dëgjuat blasfeminë, ç`ju duket?“. Dhe të gjithë gjykuan se meritonte vdekjen.

14:65 Atëherë disa filluan ta pështyjnë, t`ia zënë fytyrën, ta qëllojnë me shuplaka dhe t`i thonë: “Profetizo!“. Dhe rojat e godisnin.

Pjetri mohon Jezusin

14:66 Ndërsa Pjetri ishte poshtë në pallat, erdhi një shërbëtore e kryepriftit.

14:67 Dhe kur pa Pjetrin që po ngrohej, e vështroi me kujdes dhe tha: “Edhe ti ishe me Jezusin Nazareas“.

14:68 Por ai e mohoi duke thënë: “Nuk e njoh, nuk kuptoj çfarë thua“. Pastaj doli jashtë në hajat dhe gjeli këndoi.

14:69 Dhe shërbëtorja, duke e parë përsëri, filloi t`u flasë të pranishmëve: “Ky është një nga ata“.

14:70 Por ai përsëri e mohoi. Dhe pak më vonë të pranishmit i thanë përsëri Pjetrit: “Me të vërtetë ti je një nga ata; se ti je Galileas dhe e folura jote e zbulon“.

14:71 Por ai nisi të mallkojë dhe të betohet: “Unë nuk e njoh atë njeri për të cilin po flisni“.

14:72 Dhe gjeli këndoi për të dytën herë; atëherë Pjetrit iu kujtua fjala që Jezusi i kishte thënë: “Përpara se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë“. Dhe, duke e menduar këtë, qau.

[previous][next]