Marku 9

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


9:1 Pastaj u tha atyre: “Në të vërtetë ju them se midis jush që jeni këtu ka disa që nuk do ta shijojnë vdekjen para se të shohin të vijë me fuqi mbretëria e Perëndisë“.

Shpërfytyrimi

9:2 Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe i çoi në vetmi, vetëm ata, mbi një mal të lartë; dhe u shpërfytyrua përpara tyre.

9:3 Dhe rrobat e tij u bënë të shndritshme dhe krejt të bardha, si bora, më të bardha nga sa nuk mund t`i zbardhojë asnjë rrobalarës mbi tokë.

9:4 Dhe atyre iu shfaqën Elia me Moisiun, që po bisedonin me Jezusin.

9:5 Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe i tha Jezusit: “Mësues, për ne është mirë të jemi këtu; bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian!“.

9:6 Në fakt ai nuk dinte çfarë thoshte, sepse ata ishin të trembur.

9:7 Pastaj erdhi një re dhe i mbuloi me hijen e vet; dhe nga reja doli një zë që tha: “Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni!“.

9:8 Dhe menjëherë ata shikuan rreth e qark, por nuk panë më asnjëri, përveçse Jezusi fill i vetëm me ta.

9:9 Tani kur po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi të mos i tregojnë askujt gjërat që kishin parë, derisa i Biri i njeriut të ringjallej prej së vdekuri.

9:10 Ata e mbajtën porosinë dhe diskutonin mes tyre se ç`do të thoshte të ringjallesh prej së vdekuri.

9:11 Pastaj e pyetën duke thënë: “Përse skribët thonë se më parë duhet të vijë Elia?“.

9:12 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Elia me të vërtetë duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë; por, ashtu siç është shkruar për Birin e njeriut, ai duhet të vuajë shumë gjëra dhe të përçmohet.

9:13 Por unë po ju them se Elia erdhi dhe me të bënë ç`deshën, ashtu siç është shkruar për të“.

Fëmija epileptik

9:14 Mbasi u kthye te dishepujt, pa një turmë të madhe rreth tyre dhe disa skribë që po grindeshin me ta.

9:15 Dhe menjëherë e gjithë turma, kur e pa, u habit dhe erdhi me vrap për ta përshëndetur.

9:16 Atëherë ai i pyeti skribët: “Për çfarë po diskutoni me ta?“.

9:17 Dhe dikush nga turma, duke u përgjigjur, tha: “Mësues, të prura djalin tim që ka një frymë memece,

9:18 dhe e kap kudo, e përplas dhe ai shkumon, kërcëllon dhëmbët dhe i ngrijnë gjymtyrët. Dhe u thashë dishepujve të tu ta dëbojnë, por ata s`e bënë dot.

9:19 Dhe ai duke u përgjigjur tha: “O brez që s`beson, deri kur do të jem me ju? Deri kur do t`ju duroj? Ma sillni këtu!“.

9:20 Dhe ata ia prunë. Por, sapo e pa, fryma e përplasi me forcë dhe fëmija, që kishte rënë përtokë, rrokullisej duke shkumuar.

9:21 Dhe Jezusi e pyeti babanë e atij: “Sa kohë ka që i ndodh kështu?“. Dhe ai tha: “Që në fëmijëri.

9:22 Shpesh e ka hedhur në zjarr dhe në ujë për ta shkatërruar por, nëse mund të bësh diçka, ki mëshirë për ne dhe na ndihmo!“.

9:23 Dhe Jezusi i tha: “Nëse ti mund të besosh, çdo gjë është e mundshme për atë që beson“.

9:24 Menjëherë babai i fëmijës, duke bërtitur me lot, tha: “Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim“.

9:25 Atëherë Jezusi, duke parë se po vinte turma me vrap, e qortoi frymën e ndyrë duke thënë: “O frymë memece dhe e shurdhët, unë po të urdhëroj, dil prej tij dhe mos hyr më kurrë tek ai!“.

9:26 Dhe demoni, duke bërtitur dhe duke e sfilitur fort, doli prej tij. Dhe fëmija mbeti si i vdekur, saqë shumë njerëz thoshin: “Ka vdekur“.

9:27 Por Jezusi e zuri për dore, e ngriti dhe ai u çua në këmbë.

9:28 Kur Jezusi hyri në shtëpi, dishepujt e vet e pyetën veçmas: “Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?“.

9:29 dhe ai u tha atyre: “Ky lloj frymërash nuk mund të dëbohet ndryshe, përveç, se me lutje dhe agjërim“.

Më i madhi në mbretërinë e qiejve

9:30 Mbasi u nisën prej andej, kaluan nëpër Galile; dhe ai nuk donte që ta merrte vesh njeri.

9:31 Ai, në fakt, i mësonte dishepujt e vet dhe u thoshte atyre: “Së shpejti Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve dhe ata do ta vrasin; dhe, pasi të jetë vrarë, ai do të ringjallet ditën e tretë“.

9:32 Por ata nuk i kuptonin këto fjalë dhe kishin frikë ta pyesnin.

9:33 Dhe arritën në Kapernaum; dhe kur hyri në shtëpi, i pyeti: “Për çfarë diskutonit ndërmjet jush rrugës?“.

9:34 Dhe ata heshtën, sepse rrugës kishin diskutuar se cili ndër ta ishte më i madhi.

9:35 Atëherë ai u ul, i thirri të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: “Nëse dikush don të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve“.

9:36 Dhe mori një fëmijë të vogël dhe e vuri në mes të tyre; pastaj e mori në krahë dhe u tha atyre:

9:37 “Cilido që pranon një nga këta fëmijë në emrin tim, më pranon mua; dhe kushdo që më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më ka dërguar“

Kush nuk është kundër nesh, është me ne

9:38 Atëherë Gjoni mori fjalën dhe i tha: “Mësues, ne pamë një njeri që nuk na ndjek, që i dëbonte demonët në emrin tënd dhe ia ndaluam sepse ai nuk na ndjek“.

9:39 Por Jezusi tha: “Mos ia ndaloni, sepse s`ka njeri që mund të bëjë një vepër të fuqishme në emrin tim, dhe fill pas kësaj të flasë keq për mua.

9:40 Sepse kush nuk është kundër nesh, është me ne.

9:41 Në fakt, kushdo që do t`ju japë të pini një gotë ujë në emrin tim, sepse jeni të Krishtit, në të vërtetë po ju them se me siguri nuk do ta humbasë shpërblimin e vet“.

Skandalet

9:42 “Dhe kush do të skandalizojë një nga këta të vegjël që besojnë në mua, do të ishte më mirë për të t`i varet në qafë një gur mulliri dhe të hidhet në det.

9:43 Tani nëse dora jote të skandalizon për mëkat, preje; është më mirë për ty të hysh dorëcung në jetë, sesa të kesh dy duar dhe të shkosh në Gehena, në zjarrin e pashueshëm,

9:44 atje ku krimbi i tyre nuk vdes dhe zja-rri nuk fiket.

9:45 Dhe nëse këmba jote të skandalizon për mëkat, preje; është më mirë për ty të hysh i çalë në jetë, se sa të kesh dy këmbë dhe të të hedhin në Gehena, në zjarrin e pashueshëm,

9:46 atje ku krimbi i tyre nuk vdes dhe zjarri nuk fiket.

9:47 Dhe nëse syri yt të skandalizon për mëkat, nxirre; është më mirë për ty të hysh me një sy në jetë sesa të kesh dy sy dhe të të hedhin në Gehenën e zjarrit,

9:48 atje ku krimbi i tyre nuk vdes dhe zja-rri nuk fiket.

9:49 Sepse gjithkush duhet të kripet me zjarr, dhe çdo fli duhet të kripet me kripë.

9:50 Kripa është e mirë, por nëse kripa bëhet e amësht, me se do t`i jepni shijen? Kini kripë në vetvete dhe jetoni në paqe njëri me tjetrin!“.

[previous][next]