Jeremia 12

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Lutja e Jeremias

12:1 Ti je i drejtë, o Zot, si mund të diskutoj me ty? Megjithatë do të flas me ty lidhur me gjykimet e tua. Pse udha e të pabesëve shkon mbarë? Pse jetojnë të qetë ata që veprojnë me pabesi?

12:2 I ke mbjellë dhe kanë lëshuar madje rrënjë; rriten dhe mbajnë madje fryte. Ti je afër gojës së tyre, por larg zemrës së tyre.

12:3 Por ti, o Zot më njeh, më shikon dhe shqyrton zmrën time në përqasje me ty. Tërhiqi në thertore si dele dhe veçoji për ditën e kërdisë!

12:4 Deri kur do të mbajë zi vendi dhe do të thahet bari i çdo fushe? Nga shkaku i ligësisë së banorëve të tij, kafshët dhe zogjtë shfarosen, sepse ata thonë: “Ai nuk do ta shikojë fundin tonë”.

12:5 Në rast se ti fugon me këmbësorët dhe ata të lodhin, si mund të hysh në garë me kuajt? Në rast se e ndjen veten të sigurt vetëm në një vend paqësor, çfarë do të bësh kur Jordani do të fryhet?

12:6 Sepse edhe vëllezërit e tu dhe shtëpia e atit tënd kanë vepruar në mënyrë të pabesë ndaj teje; edhe ata të bërtasin nga pas me zë të lartë. Mos ki besim tek ata kur do të thonë fjalë të mira.

Përgjigja e Zotit

12:7 Braktisa shtëpinë time, hodha poshtë trashëgiminë time; dhashë atë që kam më të shtrenjtë në duart e armiqve të tij.

12:8 Trashëgimia ime është bërë për mua si një luan në pyll; lëshoi ulërimën e tij kundër meje; për këtë e urreva.

12:9 Trashëgimia ime ka qenë për mua si një shpend grabitqar lara-lara; shpendët grabitqarë hidhen kundër saj nga çdo anë. Shkoni, mblidhini tërë kafshët e fushës, sillini këtu që t`i gëlltisin!

12:10 Shumë barinj kanë shkretuar vreshtin tim, kanë shkelur pjesën time, e kanë katandisur pjesën time të këndshme në një shkretëtirë të mjeruar.

12:11 E kanë katandisur në një shkretim; e shkretuar, të pikëllon para meje; tërë vendi është i shkretuar, por asnjeri nuk mendon për të.

12:12 Mbi të gjitha lartësitë e shkretëtirës kanë arritur shkatërruesit dhe shpata e Zotit e përpin vendin nga një skaj në skajin tjetër të tij; asnjë mish nuk ka paqe.

12:13 Kanë mbjellë grurë, por korrin gjemba; janë lodhur, por pa asnjë përfitim. Do t`u vijë turp nga korrja juaj, për shkak të zemërimit të fortë të Zotit!

12:14 Kështu thotë Zoti për të gjithë fqinjët e mi të këqij, që prekin trashëgiminë që i dhashë në zotërim popullit tim Izrael: “Ja, do t`i çrrënjos nga vendi i tyre dhe do të çrrënjos shtëpinë e Judës në mes të tyre.

12:15 Por ka për të ndodhur që, pasi t`i kem çrrënjosur, do të më vijë keq përsëri për ta dhe do ta çoj përsëri secilin në trashëgiminë e tij, secilin në vendin e tij.

12:16 Dhe ka për të ndodhur që, në rast se mësojnë me kujdes rrugët e popullit tim dhe në se betohen me emrin tim, duke thënë: “Zoti rron”, ashtu siç e kanë mësuar popullin tim të betohet për Baalin, do të vendosen mirë e bukur në mes të popullit tim.

12:17 Por në rast se nuk do të dëgjojnë, unë do ta çrrënjos plotësisht atë komb dhe do ta shkatërroj”, thotë Zoti.