Jeremia 3

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR



3:1 Në rast se një burrë e ndan gruan e tij dhe kjo ikën prej tij dhe bëhet gruaja e një burri tjetër, a do të kthehet vallë ai tek ajo? A nuk do të ishte ai vend shumë i përdhosur? Ti je kurvëruar me

3:2 “Ço sytë në drejtim të lartësive dhe shiko: ku nuk ke rënë në shtrat me ta? Ti je ulur pranë rrugëve për t`i pritur si një Arab në shkretëtirë, dhe ke ndotur vendin me kurvërimet e tua dhe me ligësitë e tua.

3:3 Prandaj shirat u përmbajtën dhe shiu i fundit nuk ra. Por ti ke patur një ballë prostitute dhe nuk ke pranuar të kesh turp.

3:4 A nuk më ke thirrur bash tani: “Ati im, ti je miku i rinisë sime!

3:5 A do të mbetet i zemëruar për gjithnjë? A do ta ruajë zemërimin deri në fund?”. Ja, ti flet kështu, por ndërkohë ti po kryen të gjitha ligësitë që mundesh”.

Perëndia i bën thirrje Izraelit rebel dhe të pabesë të pendohet

3:6 Zoti më tha në kohën e mbretit Josia: “E pe atë që Izraeli rebel ka bërë? Ka shkuar mbi çdo mal të lartë dhe nën çdo dru të gjelbër dhe aty është kurvëruar.

3:7 Unë thoja: “Mbasi t`i ketë bërë tërë këto gjëra do të kthehet tek unë”. Por nuk u kthye; dhe motra e vet e pabesë Juda e pa.

3:8 Dhe megjithëse unë kisha ndarë Izraelin rebel për shkak të të gjitha shkeljeve të tij dhe i kisha dhënë letrën e ndarjes, pashë që motra e vet e pabesë Juda nuk pati fare frikë, por shkoi edhe ajo të kurvërohet.

3:9 Kështu me zhurmën e kurvërimeve të veta e ndoti vendin dhe shkeli kurorën me gurin dhe me drurin.

3:10 Ndonëse ndodhën tërë këto, motra e vet e pabesë Juda nuk u kthye tek unë me gjithë zemrën e saj, por me simulime”, thotë Zoti.

3:11 Pastaj Zoti më tha: “Izraeli rebel u tregua më i drejtë se e pabesa Judë.

3:12 Shko dhe shpalli këto fjalë në drejtim të veriut, duke thënë: “Kthehu, o Izrael rebel””, thotë Zoti, “nuk do ta hedh zemërimin tim mbi ju, sepse jam i mëshirshëm”, thotë Zoti, “dhe nuk mbetem i zemëruar për gjithnjë.

3:13 Vetëm prano paudhësinë tënde, sepse je rebeluar kundër Zotit, Perëndisë tënd; ua ke shkapërderdhur favoret e tua të huajve poshtë çdo druri të gjelbëruar dhe nuk ke dëgjuar zërin tim”, thotë Zoti.

3:14 “Kthehuni, o bij të përdalë”, thotë Zoti, “sepse unë kam pushtet mbi ju. Do t`ju marr një në çdo qytet dhe dy nga çdo familje dhe do t`ju çoj përsëri në Sion.

3:15 Do t`ju jap pastaj barinj sipas zemrës sime, që do t`ju kullosin me dije dhe dituri.

3:16 Dhe ka për të ndodhur që kur të shumoheni dhe do të jeni pjellorë në vend, në ato ditë”, thotë Zoti, “nuk do të thuhet më: “Arka e besëlidhjes të Zotit”. Nuk do t`ju shkojë më ndër mend, nuk do ta kujtojnë më, nuk do të shkojnë ta shikojnë më, nuk do të bëhet një tjetër.

3:17 Atëherë Jeruzalemi do të quhet “Froni i Zotit”; tërë kombet do të mblidhen pranë tij në emër të Zotit, në Jeruzalem, dhe nuk do të ecin më sipas kryeneçësisë së zemrës së tyre të keqe.

3:18 Në ato ditë shtëpia e Judës do të ecë me shtëpinë e Izraelit dhe së bashku do të vijnë nga vendi i veriut në vendin që u dhashë si trashëgimi etërve tuaj.

3:19 Unë thoja: “Me çfarë dëshire do të të vendosja midis bijve të mi dhe do të të jepja një vend të mrekullueshëm, një trashëgimi të shkëlqyer midis gjithë kombeve!”. Thoja: “Ti do të më quash: Ati im!, dhe nuk do të largohesh më nga unë”.

3:20 Por ashtu si një grua nuk është besnike ndaj burrit të saj, kështu ju keni qenë jobesnikë ndaj meje, o shtëpia e Izraelit”, thotë Zoti.

3:21 Një zë dëgjohet në lartësitë; të qarat dhe lutjet e bijve të Izraelit, sepse kanë prishur rrugën e tyre dhe kanë harruar Zotin, Perëndinë e tyre.

3:22 “Kthehuni, o bij të përdalë, unë do të shëroj rebelimet tuaja”. “Ja, ne po vijmë te ti, sepse ti je Zoti, Perëndia ynë.

3:23 Me siguri ndihma që pritet nga kodrat e nga numri i madh i maleve është e kotë; me siguri shpëtimi i Izraelit qëndron te Zoti, Perëndia ynë.

3:24 Ajo gjë e neveritshme ka përpirë frytin e mundit të etërve tanë qysh prej rinisë sonë, delet dhe qetë e tyre, bijtë e tyre dhe bijat e tyre.

3:25 Le të biem në shtrat me turpin tonë dhe le të na mbulojë poshtërsia jonë, sepse kemi mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë tonë, ne dhe etërit tanë qysh prej rinisë sonë e deri në këtë ditë, dhe nuk kemi dëgjuar zërin e Zotit, Perëndisë tonë”.