Jeremia 15

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Gjykimi që do të vijë

15:1 Por Zoti më tha: “Edhe sikur Moisiu dhe Samueli të paraqiteshin para meje, zemra ime nuk do të anonte për këtë popull; dëboje nga prania ime; le të ikë!

15:2 Në rast se të thonë: “Ku do të shkojmë?”, do t`u thuash atyre: Kështu thotë Zoti: Drejt vdekjes të caktuarit për vdekje, drejt shpatës të caktuarit për shpatë, drejt urisë të caktuarit për të qenë të uritur, drejt robërisë të caktuarit për robëri.

15:3 Unë do të vendos mbi ta katër lloje dënimesh”, thotë Zoti: “shpatën për të vrarë, qentë për të copëtuar, shpendët e qiellit dhe kafshët e tokës për të gllabëruar dhe shkatërruar.

15:4 Do të bëj që të keqtrajtohen në të gjitha mbretëritë e tokës për shkak të Manasit, birit të Ezekias, mbret i Judës, për atë që ka bërë në Jeruzalem.

15:5 Kujt në fakt do t`i vinte keq për ty, o Jeruzalem, kush do të mbante zi për ty? Kush do të shqetësohej për të pyetur si je?

15:6 Ti më ke përzënë”, thotë Zoti, “më ke kthyer krahët. Prandaj unë do të shtrij dorën kundër teje dhe do të të shkatërroj; jam lodhur nga pendimet.

15:7 Do t`i shpërndaj me forcë portat e qytetit, do t`u heq fëmijët dhe do të bëj që të zhduket populli im, sepse ata nuk largohen nga udhët e tyre.

15:8 Do t`i bëjë gratë e veja të tij më të shumta se rëra e detit. Do të sjell kundër tyre, kundër nënës së të rinjve, një shkatërrues në mes të ditës; do të bëj që të bjerë mbi të papritmas ankthi dhe tmerri.

15:9 Ajo që ka pjellë shtatë bijë lëngon dhe heq frymën; dielli i saj po perëndon ndërsa është ditë akoma; është mbuluar nga turpi dhe e hutuar. Do t`i dorëzoj ata që do të shpëtojnë prej shpatës në mëshirë të armiqve të tyre”, thotë Zoti.

15:10 Mjerë unë, o nëna ime sepse më ke lindur si një njeri grindjesh dhe sherri në të gjithë vendin. Nuk i kam dhënë hua asgjë askujt, as të tjerët më kanë dhënë hua; megjithatë të gjithë më mallkojnë.

15:11 Zoti thotë: “Me siguri do të të çliroj për gjithnjë, me siguri do të bëj që armiku të të lutet në kohën e fatkeqësisë dhe në kohën e ankthit.

15:12 A mundet një njeri të thyejë hekurin, hekurin e veriut dhe bronzin?

15:13 Pasurinë tënde dhe thesaret e tua do t`i braktis që t`i plaçkitin pa asnjë çmim për të gjitha mëkatet e tua dhe në të gjithë kufijtë e tu.

15:14 Dhe do të bëj të kalosh bashkë me armiqtë e tu në një vend që ti nuk e njeh, sepse një zjarr është ndezur në zemërimin tim, që do të flakërojë kundër jush”.

15:15 Ti e di, o Zot; më mbaj mend mua dhe më vizito, dhe merrmë hak mbi përndjekësit e mi; në ngadalësinë e zemërimit tënd mos më merr me vete; dije që për hirin tënd e mbajta turpin.

15:16 Me të gjetur fjalët e tua, i përpiva; fjala jote ka qenë për mua gëzimi dhe gazi i zemrës sime, sepse emri yt kërkohet nga unë o Zot, Perëndi i ushtrive.

15:17 Unë nuk u ula në kuvendin e tallësve, as nuk u gëzova; por për shkak të dorës sate unë u ula veçmas, sepse ti më kishe mbushur me indinjatë.

15:18 Pse dhembja ime është pa fund dhe plaga ime e pashërueshme nuk pranon të shërohet? A do të jesh për mua si një rrëke që shteron, si ujë që nuk të jep siguri?

15:19 Prandaj kështu thotë Zoti: “Në rast se ti rikthehesh tek unë, unë do të rivendos dhe ti do të jesh para meje. Në rast se ti ndan të çmuarën nga ajo që s`ka vlerë, ti do të jesh si goja ime; ata do të kthehen te ti, por ti nuk duhet të kthehesh tek ata.

15:20 Unë do të të jap për këtë popull një mur të fortë prej bronzi; do të luftojnë kundër teje, por nuk do mund të fitojnë kundër teje, sepse unë do të jem me ty për të të shpëtuar dhe për të të çliruar”, thotë Zoti.

15:21 “Do të të çliroj nga duart e njerëzve të këqij dhe do të të shpengoj nga duart e njerëzve të dhunshëm”.