Jeremia 16

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Gjëma e madhe që do të godasë Judën

16:1 Fjala e Zotit m`u drejtua, duke thënë:

16:2 “Mos merr grua dhe mos ki bij e bija në këtë vend”.

16:3 Sepse kështu thotë Zoti për bijtë dhe bijat që kanë lindur në këtë vend dhe për nënat që i kanë pjellë dhe për etërit që i kanë zënë në këtë vend:

16:4 “Ata do të vdesin nga një vdekje rrëqethëse; nuk do të qahen dhe nuk do të varrosen, por do t`i lënë si pleh mbi faqen e dheut; do të shfarosen nga shpata dhe nga uria, dhe kufomat e tyre do të shërbejnë si ushqim për shpendët e qiellit dhe për kafshët e tokës”.

16:5 Sepse kështu thotë Zoti: “Mos hyni në shtëpinë e zisë dhe mos shkoni për ngushëllime dhe për t`i vajtuar, sepse unë kam hequr nga ky popull paqen time, mirësinë time dhe mëshirën time”, thotë Zoti.

16:6 “Të mëdhenj dhe të vegjël do të vdesin në këtë vend; nuk do të varrosen as do të mbahet zia për ata, nuk do të bëhen prerje as qethje flokësh për ta.

16:7 Nuk do të thyhet buka për ata që mbajnë zi për t`i ngushëlluar për një të vdekur dhe nuk do t`u jepet për të pirë gota e ngushëllimit për atin e tyre dhe nënën e tyre.

16:8 Mos hyni as në një shtëpi banketi për t`u ulur bashkë me ta për të ngrënë dhe për të pirë”.

16:9 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: “Ja, unë do të bëj që të pushojë në këtë vend, para syve tuaj dhe në ditët tuaja, britma e gëzimit dhe britma e ngazëllimit, zëri i dhëndrit dhe zëri i nuses.

16:10 Dhe ka për të ndodhur që kur t`i shpallësh këtij populli tërë këto gjëra, do të të thonë: “Pse Zoti ka shqiptuar kundër nesh tërë këtë mjerim të madh? Cila është paudhësia jonë? Cili është mëkati që kemi kryer kundër Zotit, Perëndisë tonë?”.

16:11 Atëherë ti do t`u përgjigjesh atyre: Sepse etërit tuaj më kanë braktisur”, thotë Zoti, “kanë shkuar pas perëndive të tjera, u kanë shërbyer dhe kanë rënë përmbys para tyre, më kanë braktisur mua dhe nuk kanë respektuar ligjin tim.

16:12 Dhe ju keni vepruar më keq se etërit tuaj, sepse ja, secili vepron sipas kryeneçësisë së zemrës së tij të keqe dhe nuk pranon të më dëgjojë.

16:13 Prandaj unë do t`ju dëboj nga ky vend në një vend që as ju, as etërit tuaj nuk keni njohur dhe atje do t`u shërbeni perëndive të tjera ditën e natën, sepse unë nuk do t`ju fal”.

Restaurimi i Izraelit

16:14 “Prandaj ja, po vijnë ditët”, thotë Zoti, “në të cilat nuk do të thuhet më: “Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit”,

16:15 por: “Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga vendi i veriut dhe nga tërë vendet ku i kishte shpërndarë”. Dhe unë do t`i çoj përsëri në vendin që u kisha dhënë etërve të tyre.

16:16 Ja, unë do të dërgoj një numër të madh peshkatarësh për t`i peshkuar”, thotë Zoti, “dhe pastaj do të dërgoj një numër të madh gjahtarësh për t`i gjuajtur në çdo mal, në çdo kodër dhe në të çarat e shkëmbinjve.

16:17 Sepse sytë e mi janë mbi të gjitha rrugët e tyre, që nuk janë të fshehura nga fytyra ime, dhe paudhësitë e tyre nuk mbeten të fshehura para syve të mi.

16:18 Para së gjithash do t`i shpaguaj dyfish për paudhësinë dhe mëkatin e tyre, sepse kanë përdhosur vendin tim me kufomat e idhujve të tyre të neveritshëm dhe e kanë mbushur trashëgiminë time me gjërat e tyre të neveritshme”.

16:19 O Zot, forca ime, kalaja ime dhe streha ime ditën e fatkeqësisë, te ti do të vijnë kombet nga skajet e tokës dhe do të thonë: “Etërit tanë kanë trashëguar vetëm gënjeshtra, kotësi dhe gjëra që nuk vlejnë asgjë”.

16:20 “A mundet të shpikë njeriu perëndi, që në të vërtetë nuk janë perëndi?

16:21 Prandaj ja, këtë radhë do t`u bëj të njohur atyre, do t`u tregoj dorën time dhe fuqinë time; dhe ata do të mësojnë që emri im është Zoti”.