Jeremia 20

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Jeremia burgoset nga Pashhuri

20:1 Pashhuri, bir i Imerit, prift dhe shef i kryeintendentëve në shtëpinë e Zotit, dëgjoi Jeremian që profetizonte këto gjëra.

20:2 Atëherë Pashhuri rrahu profetin Jeremia dhe e futi në burgun që ndodhej në portën e sipërme të Beniaminit pranë shtëpisë të Zotit.

20:3 Të nesërmen Pashhuri e nxori nga burgu Jeremian. Jeremia i tha: “Zoti nuk të quan më Pashhur, por Magor-Misabib.

20:4 Sepse kështu thotë Zoti: Ja, unë do të të braktis ty dhe tërë shokët e tu në dorë të tmerrit; ata do të bien nga shpata e armiqve të tyre dhe sytë e tu kanë për ta parë. Do ta jap tërë Judën në duart e mbretit të Babilonisë, që do t`i çojë në robëri në Babiloni dhe do t`i godasë me shpatë.

20:5 Përveç kësaj tërë pasuritë e këtij qyteti, tërë prodhimin e mundit të tij dhe të gjitha sendet e tij të çmuara, po, do t`i jap tërë thesaret e mbretërve të Judës në dorë të armiqve të tyre që do t`i plaçkisin, do t`i marrin dhe do t`i çojnë në Babiloni.

20:6 Dhe ti, Pashhur, dhe tërë ata që banojnë në shtëpinë tënde, do të shkoni në robëri; do të shkosh në Babiloni, aty ke për të vdekur dhe aty ke për t`u varrosur, ti dhe tërë miqtë e tu të cilëve u ke profetizuar gënjeshtra”.

Vajtimi i Jeremias

20:7 Ti më ke bindur, o Zot, dhe unë e lashë veten të bindem; ti je më i fortë se unë dhe fitove. Jam bërë objekt talljesh çdo ditë; kushdo tallet me mua.

20:8 Sepse sa herë që flas, unë bërtas dhe shpall: “Dhunë dhe plaçkitje!”. Po, fjala e Zotit është për mua një shkak turpi dhe talljeje çdo ditë.

20:9 Atëherë unë thashë: “Nuk do ta përmend më dhe nuk do të flas më në emër të tij”. Por fjala e tij ishte në zemrën time si një zjarr flakërues, i mbyllur në kockat e mia; përpiqesha ta përmbaja, por nuk mundesha.

20:10 Dëgjoja shpifjet e shumë vetave: “Tmerr rreth e qark! Paditeni dhe do ta padisim!”. Tërë ata me të cilët jetoja në paqe prisnin që unë të pengohesha dhe thonin: “Ndofta do të bindet, kështu ne do të kemi epërsi mbi të dhe do të hakmerremi kundër tij”.

20:11 Por Zoti është me mua si një hero i fuqishëm; prandaj ndjekësit e mi do të pengohen dhe nuk do të kenë epërsi; do të turpërohen me të madhe, sepse nuk do t`ia dalin mbanë; turpi i tyre do të jetë i përjetshëm dhe nuk do të harrohet.

20:12 Por ti, o Zot i ushtrive, që provon të drejtin dhe heton mendjen dhe zemrën, tregomë hakmarrjen tënde mbi ta, sepse ty të kam besuar çështjen time.

20:13 Këndojini Zotit, lëvdoni Zotin, sepse ka çliruar jetën e nevojtarit nga dora e keqbërësve.

20:14 Mallkuar qoftë dita në të cilën linda! Mos qoftë e bekuar dita në të cilën nëna ime më lindi!

20:15 Mallkuar qoftë njeriu që i shpuri lajmin atit tim, duke thënë: “Të ka lindur një bir mashkull”, gjë që e mbushi me gëzim.

20:16 Qoftë ai njeri si qytetet që Zoti ka shkatërruar pa kurrfarë keqardhje. Dëgjoftë klithmën në mëngjes dhe zhurmat e luftës në mesditë,

20:17 sepse nuk më kanë bërë të vdes në bark të nënës; kështu nëna ime do të ishte varri im dhe barku i saj i ngarkuar për gjithnjë.

20:18 Pse kam dalë nga barku i nënës, për të parë vuajtje, dhembje dhe për t`i mbaruar ditët e mia me turp?