Jeremia 9

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Vajtim mbi Jeruzalemin

9:1 Oh, sikur koka ime të ishte një burim uji dhe sytë e mi një burim lotësh, në mënyrë që të mund të qaja ditë e natë të vrarët e bijës së popullit tim!

9:2 Ah, sikur të kisha në shkretëtirë një strehë për udhëtarët! Do ta braktisja popullin tim dhe do të shkoja larg tij, sepse janë të gjithë shkelës të kurorës, një turmë tradhtarësh.

9:3 “Zgjasin gjuhën e tyre sikur të ishte harku i tyre për të lëshuar gënjeshtra; në vend janë të fortë, por jo për shkak të së vërtetës, sepse shkojnë nga një e keqe në tjetrën dhe nuk më njohin mua”, thotë Zoti.

9:4 “Të ruhet secili nga fqinji i tij dhe mos i keni besim çdo vëllai, sepse çdo vëlla nuk bën gjë tjetër veçse mashtron dhe çdo fqinj përhap shpifje.

9:5 Secili mashtron fqinjin e tij dhe nuk thotë të vërtetën; e ushtron gjuhën e tij për të thënë gënjeshtra dhe mundohet për të bërë të keqen.

9:6 Banesa jote është në mes të mashtrimit dhe për shkak të mashtrimit nuk duan të më njohin”, thotë Zoti.

9:7 Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive: “Ja, unë do t`i rafinoj dhe do t`i vë në provë. Çfarë tjetër, pra, mund të bëj për bijën e popullit tim?

9:8 Gjuha e tyre është një shigjetë vrasëse; ajo nuk thotë veçse gënjeshtra. Me gojën e vet secili i flet për paqe fqinjit të tij, por në zemër të vet, ai rri në pritë.

9:9 A nuk duhet vallë t`i dënoj për këto gjëra?”, thotë Zoti. “A nuk duhet të hakmerrem me një komb të tillë?”.

9:10 Nëpër malet do të ngre vaje dhe rënkime dhe nëpër kullotat e shkretëtirës një vajtim, sepse janë djegur dhe nuk kalon asnjeri nëpër to, nuk dëgjohet më blegërima e kopeve. Zogjtë e qiellit dhe kafshët kanë ikur, janë zhdukur.

9:11 “Unë do t`a katandis Jeruzalemin në një tog gërmadhash dhe në një strehë çakejsh; do t`i bëj të shkreta, pa banorë, qytetet e Judës”.

9:12 Cili është njeriu i urtë që mund t`i kuptojë këto gjëra dhe ai të cilit goja e Zotit i ka folur që ta shpallë? Pse vallë vendi është shkatërruar dhe shkretuar si një shkretëtirë dhe nuk po kalon më askush nëpër të?

9:13 Zoti thotë: “Sepse këta kanë braktisur ligjin tim që kisha vënë përpara, nuk dëgjuan zërin tim dhe nuk kanë ecur në përshtatje me të,

9:14 por kanë ndjekur kryeneçësinë e zemrave të tyre dhe Baalët, që etërit e tyre u kishin bërë të njohur”.

9:15 Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: “Ja, unë do ta ushqej këtë popull me pelin dhe do ta bëj të pijë ujë të helmuar.

9:16 Do t`i shpërndaj nëpër kombet, që as ata as etërit e tyre nuk i kanë njohur, dhe do të dërgoj pas tyre shpatën, deri sa t`i kem shkatërruar plotësisht”.

9:17 Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Mendoni të thërrisni vajtorët: le të vijnë! Shkoni e thërrisni më të zonjat: le të vijnë!

9:18 Le të nxitojnë dhe ta nisin vajin mbi ne me qëllim që sytë tonë të derdhin lot dhe qepallat tona të lëshojnë ujë”.

9:19 Sepse një zë vaji dëgjohet nga Sioni: “Sa jemi shkatërruar! Jemi shumë të shushatur, sepse duhet të braktisim vendin, sepse kanë shembur banesat tona”.

9:20 Prandaj dëgjoni fjalën e Zotit, o gra, dhe veshi juaj ta zërë fjalën e gojës së tij. U mësoni bijave tuaja një vajtim dhe secila t`i mësojë fqinjës së saj një këngë mortore.

9:21 Sepse vdekja është ngjitur nëpër dritaret tona, ka hyrë në pallatet tona për t`i zhdukur fëmijët nga rruga dhe të rinjtë nga sheshet.

9:22 “Fol: Kështu thotë Zoti: “Kufomat e njerëzve do të rrinë si pleh në fushën e hapët, si një demet i lënë pas nga korrësi dhe qëaskush nuk e mbledh””.

9:23 Kështu thotë Zoti: “I dituri të mos lavdërohet me diturinë e tij, njeriu i fortë të mos lavdërohet me forcën e tij, i pasuri të mos lavdërohet me pasurinë e tij.

9:24 Por kush lavdërohet të lavdërohet me këtë: të ketë gjykim dhe të më njohë mua, që jam Zoti, që bëj mirësinë, ushtroj të drejtën dhe drejtësinë mbi tokë; sepse kënaqem me këto gjëra”, thotë Zoti.

9:25 “Ja, po vijnë ditët”, thotë Zoti, “në të cilat do të ndëshkoj të gjithë të rrethprerët që janë të parrethprerë:

9:26 Egjiptin, Judën, Edomin, bijtë e Amonit, Moabin dhe tërë ata që presin cepat e mjekrës dhe banojnë në shkretëtirë; sepse tërë kombet janë të parrethprerë dhe tërë shtëpia e Izraelit është me zemër të parrethprerë”.