Jeremia 38

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Jeremia hidhet në një sternë

38:1 Shefatiahu bir i Metanit, Gedaliahu bir i Pashhurit, Jukali bir i Pashhurit, Jukali, bir i Shelemiahut, dhe Pashhuri bir i Malkiahut, dëgjuan fjalët që Jeremia i drejtonte tërë popullit, duke thënë:

38:2 “Kështu thotë Zoti: Kush do të mbetet në këtë qytet ka për të vdekur nga shpata, nga uria ose nga murtaja, por ai që do t`u dorëzohet Kaldeasve do të jetojë; do të ketë si pre e tij jetën e tij, por do të jetojë”.

38:3 Kështu thotë Zoti: “Ky qytet do të jepet me siguri në dorë të ushtrisë së mbretit të Babilonisë, që do ta pushtojë atë”.

38:4 Atëherë princat i thanë mbretit: “Ah, le të vritet ky njeri, sepse ligështon duart e njerëzve të luftës që kanë mbetur në këtë qytet, dhe duart e tërë popullit, duke u thënë fjalë të tilla. Ky njeri nuk kërkon mirëqënien e këtij populli, por të keqen e tij”.

38:5 Atëherë mbreti Sedekia tha: “Ja ku e keni në duart tuaja, sepse mbreti nuk mund të bëjë asgjë kundër jush”.

38:6 Atëherë e morën Jeremian dhe e hodhën në sternën e Malkiahut, birit të mbretit, që ishte në oborrin e burgut; dhe e zbritën në të Jeremian me litarë. Në sternë nuk kishte ujë, por vetëm baltë, dhe Jeremia u fundos në baltë.

38:7 Por Ebed-meleku, Etiopiasi, një eunuk që rrinte në shtëpinë e mbretit, dëgjoi që Jeremian e kishin vënë në sternë. Ndërsa mbreti rrinte ulur te porta e Beniaminit,

38:8 Ebed-meleku doli nga shtëpia e mbretit dhe i foli mbretit, duke i thënë:

38:9 “O mbret, imzot, këta njerëz kanë vepruar keq në tërë ato që i kanë bërë profetit Jeremia, duke e hedhur në sternë; aty brenda ai do të vdesë nga uria, sepse nuk ka më bukë në qytet”.

38:10 Atëherë mbreti i dha këtë urdhër Etiopiasit Ebed-melek: “Merr me vete nga këtu tridhjetë burra dhe nxirre jashtë profetin Jeremia nga sterna para se të vdesë”.

38:11 Kështu Ebed-meleku mori me vete burrat, hyri në shtëpinë e mbretit duke kaluar poshtë vendit të thesarit, mori andej rroba dhe lecka të konsumuara dhe ia zbriti me litarë Jeremias në sternë.

38:12 Pastaj Ebed-meleku Etiopiasi i tha Jeremias: “Oh, vëri këto rroba dhe lecka të konsumuara poshtë sqetullave, poshtë litarëve”. Jeremia veproi ashtu.

38:13 Kështu e tërhoqën lart Jeremian me anë të litarëve dhe e bënë të dalë nga sterna. Pastaj Jeremia mbeti në kopshtin e burgut.

Sedekia merr në pyetje përsëri Jeremian

38:14 Atëherë mbreti Sedekia dërgoi të marrin profetin Jeremia dhe e bëri të vijë në hyrjen e tretë të shtëpisë të Zotit. Mbreti i tha Jeremias: “Të kërkoj një gjë; mos më fshih asgjë”.

38:15 Jeremia iu përgjigj Sedekias: “Po të ta them, me siguri nuk do të bësh që të vdes? Dhe në qoftë se pastaj të jap një këshillë, nuk do të ma dëgjosh”.

38:16 Kështu mbreti Sedekia iu betua fshehurazi Jeremias, duke thënë: “Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, që na ka dhënë këtë jetë, nuk do të bëj të vdesësh dhe nuk do të dorëzoj në dorën e këtyre njerëzve që kërkojnë jetën tënde”.

38:17 Atëherë Jeremia i tha Sedekias: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Në rast se u dorëzohesh princave të mbretit të Babilonisë, do të shpëtosh jetën tënde; ky qytet nuk do të digjet dhe ti do të jetosh me shtëpinë tënde;

38:18 por në rast se nuk do t`u dorëzohesh princave të mbretit të Babilonisë, ky qytet do t`u lihet në dorë Kaldeasve që do t`i vënë flakën, dhe ti nuk do të shpëtosh nga duart e tyre”.

38:19 Mbreti Sedekia i tha Jeremias: “Kam frikë nga Judejtë që kaluan nga ana e Kaldeasve, kam frikë se mos më japin në duart e tyre dhe të më keqtrajtojnë”.

38:20 Por Jeremia iu përgjigj: “Nuk do të të dorëzojnë në duart e tyre. Oh, dëgjo zërin e Zotit në atë që të them; kështu do të të ecë mbarë dhe do të jetosh.

38:21 Por në rast se ti refuzon të dalësh, kjo është ajo që Zoti më ka treguar:

38:22 Ja, të gjitha gratë që kanë mbetur në shtëpinë e mbretit të Judës do të çohen te princat e mbretit të Babilonisë dhe do të thonë: “Miqtë e tu të ngushtë të kanë bërë për vete dhe kanë sunduar mbi ty; këmbët e tua janë fundosur në baltë dhe ata të kanë kthyer kurrizin”.

38:23 Të gjitha bashkëshortet e tua dhe bijtë e tu do të çohen te Kaldeasit dhe ti nuk do të shpëtosh nga duart e tyre, por do të të zënë dhe do të të dorëzojnë në duart e mbretit të Babilonisë dhe këtij qyteti do t`i vihet zjarri”.

38:24 Sedekia i tha Jeremias: Askush të mos i dijë këto fjalë dhe ti nuk ke për të vdekur.

38:25 Por në rast se princat do të mësojnë që kam folur me ty dhe do të vijnë te ti për të të thënë: “Na njofto çfarë i ke thënë mbretit dhe atë që mbreti të ka thënë ty, mos na fshih asgjë dhe nuk do të të bëjmë të vdesësh”,

38:26 do t`u përgjigjesh atyre: “I paraqita kërkesën time mbretit, që të mos më kthente në shtëpinë e Jonathanit për të vdekur””.

38:27 Tërë princat erdhën te Jeremia dhe e morën në pyetje, por ai u përgjigj duke iu përmbajtur tërë fjalëve që mbreti kishte urdhëruar; prandaj e lanë të qetë, nuk mësuan asgjë nga biseda.

38:28 Kështu Jeremia mbeti në oborrin e burgut deri ditën që u pushtua Jeruzalemi. Dhe ai ishte atje kur u shti në dorë Jeruzalemi.