Jeremia 14

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Thatësira e madhe

14:1 Fjala e Zotit që iu drejtua Jeremias me rastin e thatësirës:

14:2 “Juda është në zi dhe portat e qyteteve të saj lëngojnë; mbajnë zi për vendin dhe britma e Jeruzalemit ngjitet deri në qiell.

14:3 Fisnikët dërgojnë ndër ta të rinjtë e tyre për të kërkuar ujë; këta shkojnë në sternat, por nuk gjejnë ujë dhe kthehen me enët e tyre bosh; janë plot me turp dhe të hutuar, dhe mbulojnë kokën e tyre.

14:4 Toka është plot me të çara, sepse nuk ka pasur shi në vend; bujqit janë plot me turp dhe mbulojnë kokën e tyre.

14:5 Edhe suta pjell nëpër fusha, por i braktis të vegjlit e saj, sepse nuk ka bar.

14:6 Gomerët e egjër ndalen në lartësitë dhe e nuhasin ajrin si çakejtë; sytë e tyre janë të shuar, sepse nuk ka bar”.

14:7 Edhe në se paudhësitë tona dëshmojnë kundër nesh, o Zot, vepro për hir të emrit tënd, sepse rebelimet tona janë të shumta; kemi mëkatuar kundër teje.

14:8 O shpresë e Izraelit, shpëtimtari i tij në kohë fatkeqësie, pse të jesh në vend si një i huaj, si një udhëtar që ndalet vetëm për të kaluar natën?

14:9 Pse të jesh si një njeri i tronditur, si një njeri i fortë që nuk mund të shpëtojë? Megjithatë ti je në mes nesh, o Zot, emri yt përmendet mbi ne. Mos na braktis!

14:10 Kështu i thotë Zoti këtij populli: “Atyre u pëlqen me të vërtetë të enden, nuk përmbajnë hapat e tyre. Prandaj nuk i pëlqejnë Zotit, tani kujton paudhësinë e tyre dhe dënon mëkatet e tyre”.

14:11 Pastaj Zoti më tha: “Mos u lut për këtë popull, për mirëqënien e tij.

14:12 Edhe sikur të agjërojnë, nuk kam për ta dëgjuar thirrjen e tyre; në rast se bëjnë olokauste dhe oferta ushqimesh nuk kam për t`i pëlqyer, por do t`i zhduk me shpatën, me urinë dhe murtajën”.

Profetët e rremë

14:13 Atëherë thashë: “Ah, Zot, Zot! Ja, profetët u thonë atyre: “Ju nuk do të shikoni shpatën dhe nuk do të vuani nga uria, por do t`ju jap një paqe të sigurt në këtë vend””.

14:14 Zoti më tha: “Profetët profetizojnë gënjeshtra në emrin tim; unë nuk i kam dërguar, nuk u kam dhënë asnjë urdhër dhe nuk kam folur me ta. Ata ju profetizojnë një pamje të rreme, një parashikim të kotë dhe mashtrimin e zemrës së tyre.

14:15 Prandaj kështu thotë Zoti për profetët që profetizojnë në emrin tim pa qenë të dërguar nga unë, dhe shpallin: “Nuk do të ketë as shpatë, as uri në këtë vend”, këta profetë do të zhduken nga shpata dhe nga uria.

14:16 Sa për popullin të cilit i kanë profetizuar, do të hidhet në rrugët e Jeruzalemit për shkak të urisë dhe të shpatës, dhe nuk do të ketë asnjeri që t`i varrosë ata, gratë e tyre, bijtë dhe bijat e tyre. Kështu do të hedh mbi ta ligësinë e tyre”.

14:17 U thuaj atyre pra, këtë fjalë: “Të derdhin lot ditë e natë sytë e mi pa pushim, sepse bija e virgjër e popullit tim u godit nga një fatkeqësi e madhe, nga një plagë e thellë.

14:18 Në rast se dal nëpër fusha, ja të vdekurit nga shpata; në rast se hyj në qytet, ja ata që vuajnë nga uria. Madje edhe profeti dhe prifti i vijnë rrotull një vendi që nuk njohin”.

14:19 Vallë a e ke hedhur poshtë plotësisht Judën, ose je neveritur nga Sioni? Ke goditur dhe nuk ka shërim për ne? Ne prisnim paqen, por nuk ka asnjë të mirë, një kohë shërimi, por ja tmerri.

14:20 O Zot, ne e pranojmë ligësinë tonë dhe paudhësinë e etërve tanë; po, kemi mëkatuar kundër teje.

14:21 Mos na hidh poshtë për hir të emrit tënd, mos turpëro fronin e lavdisë sate. Mbaje mend: mos e prish besëlidhjen me ne.

14:22 Midis idhujve të kotë të njerëzve a ka vallë ndonjë që mund të sjellë shiun? Ose të japë qielli shira të bollshme? A nuk je ti pra, o Zot, Perëndia ynë? Prandaj ne shpresojmë te ti, sepse ke bërë tërë këto gjëra.

[previous][next]