BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Poçi i thyer që tregon shkatërrimin e Jeruzalemit
19:1 Kështu ka thënë Zoti: “Shko e bli një poç balte për ujë; pastaj merr disa pleq nga populli dhe disa pleq nga priftërinjtë
19:2 dhe dil në drejtim të luginës së birit të Hinomit që ndodhet në hyrje të Portës së poçerisë dhe aty shpall fjalët që do të të them.
19:3 Do të thuash kështu: Dëgjoni fjalën e Zotit, o mbret i Judës dhe banorë të Jeruzalemit. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ja, unë do të sjell mbi këtë vend një fatkeqësi të tillë që do të bëjë të shungullojnë veshët e cilitdo që do ta dëgjojë,
19:4 sepse më kanë braktisur, kanë përdhosur këtë vend dhe u kanë djegur temjan perëndive të tjera, që nuk i njihnin as ata vetë, as etërit e tyre, as mbretërit e Judës, dhe e kanë mbushur këtë vend me gjakun e të pafajmëve;
19:5 i kanë ndërtuar vendet e larta Baalit për të djegur bijtë e tyre në zjarr si olokaust Baalit, gjë që nuk kisha urdhëruar dhe për të cilën nuk kisha folur kurrë dhe nuk më kishte shkuar ndër mend.
19:6 Prandaj ja, ditët po vijnë”, thotë Zoti, “kur ky vend nuk do të quhet më “Tofet”, as “Lugina e birit të Hinomit”, por “Lugina e masakrës”.
19:7 Unë do t`i bëj të kota qëllimet e Judës dhe të Jeruzalemit në këtë vend dhe do të bëj që të rrëzohen nga shpata përpara armiqve të tyre, dhe nga dora e atyre që kërkojnë jetën e tyre, dhe do t`ua jap kufomat e tyre si ushqim shpendëve të qiellit dhe kafshëve të tokës.
19:8 Do ta katandis këtë qytet në një shkatërrim dhe në një objekt talljeje; kushdo që do t`i kalojë pranë do të mbetet i habitur dhe do të fillojë të fishkëllojë për tërë plagët e tij.
19:9 Do të bëj të hanë mishin e bijve të tyre dhe mishin e bijave të tyre dhe do të hanë mishin e njëri tjetrit gjatë rrethimit dhe shtrëngesës në të cilat do t`i ngushtojnë armiqtë e tyre dhe ata që kërkojnë jetën e tyre.
19:10 Pastaj do të thyesh poçin në prani të atyre njerëzve që do të kenë ardhur me ty
19:11 dhe do t`u thuash atyre: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Kështu do të copëtoj këtë popull dhe këtë qytet, ashtu si copëtohet një poç balte, që nuk mund të ndreqet më; atëherë do t`i varrosin të vdekurit në Tofet, sepse nuk do të ketë më vend për t`i varrosur.
19:12 Kështu do të veproj në këtë vend, thotë Zoti, dhe me banorët e tij, duke e bërë këtë qytet si Tofeti.
19:13 Shtëpitë e Jeruzalemit dhe shtëpitë e mbretërve të Judës do të jenë të papastra ashtu si vendi i Tofetit që janë të gjitha shtëpitë mbi çatitë e të cilave i kanë djegur temjan tërë ushtrisë së qiellit dhe u kanë bërë libacione perëndive të tjera”.
19:14 Pastaj Jeremia u kthye nga Tofeti, ku Zoti e kishte dërguar të profetizonte, u ndal tek oborri i shtëpisë të Zotit dhe i tha tërë popullit:
19:15 “Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ja, unë po sjell mbi këtë qytet dhe mbi të gjitha lagjet e tij të jashtme tërë të keqen që shqiptova kundër tij, sepse kanë fortësuar qafën e tyre për të mos dëgjuar fjalët e mia”.