Jeremia 23

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Vepra e Mesias të ardhshëm, filiz i drejtë

23:1 “Mjerë barinjtë që prishin dhe shpërndajnë kopenë e kullotës sime”, thotë Zoti.

23:2 Prandaj kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, kundër barinjve që kullosin popullin tim: “Ju keni shpërndarë delet e mia, i keni përzënë dhe nuk keni pasur kujdes për to; ja, unë do t`ju dënoj për ligësinë e veprimeve tuaja”, thotë Zoti.

23:3 “Por do të mbledh kusurin e deleve të mia nga të gjitha vendet ku i kam shpërndarë dhe do t`i çoj përsëri në kullotat e tyre, ku do të jenë pjellore dhe do të shumohen.

23:4 Do të caktoj mbi to barinj që do t`i kullosin dhe nuk do të kenë më ndrojtje as frikë; nuk do të mungojë asnjë prej tyre”, thotë Zoti.

23:5 “Ja, ditët po vijnë”, thotë Zoti, “në të cilat do të shkaktoj që të dalë nga Davidi një filiz i drejtë, që do të mbretërojë si mbret, do të ketë mbarësi dhe do të ushtrojë gjykimin dhe drejtësinë në vend.

23:6 Në ditët e tij Juda do të shpëtohet dhe Izraeli do të qëndrojë në siguri. Ky do të jetë emri me të cilin do të thirret: “Zoti drejtësia jonë”.

23:7 Pra, ditët po vijnë”, thotë Zoti, “gjatë të cilave nuk do të thuhet më: “Për Zotin e gjallë që i nxori bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit”,

23:8 por: “Për Zotin e gjallë që nxori dhe çoi përsëri pasardhësit e shtëpisë së Izraelit nga vendi i veriut dhe nga të tëra vendet ku i kisha shpërndarë”; dhe ata do të qëndrojnë në vendin e tyre”.

Kundër profetëve të rremë

23:9 Zemra ime është thyer brenda meje për shkak të profetëve, tërë kockat e mia dridhen. Jam si një i dehur, si një njeri i mposhtur nga vera, për shkak të Zotit dhe fjalëve të tij të shenjta.

23:10 Sepse vendi është plot me shkelës të kurorës, për shkak të mallkimit vendi është në zi, kullotat e shkretëtirës janë tharë. Vrapi i tyre është i mbrapshtë dhe forca e tyre nuk është e drejtë.

23:11 “Si prifti ashtu edhe profeti janë prishur; po, e kam gjetur ligësinë e tyre edhe në vetë shtëpinë time”, thotë Zoti.

23:12 “Prandaj rruga e tyre do të jetë për ta si shtigje ku njeriu shket; do të shtyhen në errësirë dhe do të rrëzohen nëpër to, sepse do të bëj që të bjerë mbi ta një gjëmë, në vitin e dënimit të tyre”, thotë Zoti.

23:13 “Kam vërejtur budallallëqe midis profetëve të Samarias: profetizonin në emër të Baalit dhe e çonin në rrugë të keqe popullin tim të Izraelit.

23:14 Edhe ndërmjet profetëve të Jeruzalemit kam parë gjëra të ndyra: kryejnë shkelje të kurorës, ecin në mënyrë të rreme, përforcojnë duart e keqbërësve, dhe kështu asnjeri nuk largohet nga rruga e keqe që ka marrë. Për mua janë që të gjithë si Sodoma, dhe banorët e tij si Gomora”.

23:15 Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive për profetët: “Ja, unë do t`i ushqej me pelin dhe do t`i bëj të pinë ujë të helmuar, sepse nga profetët e Jeruzalemit pabesia është përhapur në tërë vendin”.

23:16 Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Mos dëgjoni fjalët e profetëve që ju bëjnë profeci. Ata ju bëjnë të këqinj; ju parashtrojnë vegimet e zemrave të tyre dhe jo atë që del nga goja e Zotit.

23:17 U flasin vazhdimisht atyre që më përbuzin: “Zoti ka thënë: Do të keni paqe”; dhe gjithë atyre që ecin në kryeneçësinë e zemrës së tyre: “Asnjë e keqe nuk do t`ju vijë”.

23:18 Por kush ka marrë pjesë në këshillën e Zotit? Kush ka parë, kush ka dëgjuar fjalën e tij? Kush i ka kushtuar kujdes fjalës së tij dhe e ka dëgjuar?

23:19 Ja furtuna e Zotit po shpërthen me tërbim, një furtunë e tmerrshme do të shpërthejë mbi kryet e të pabesëve.

23:20 Zemërimi i Zotit nuk do të qetësohet deri sa të ketë kryer dhe plotësuar synimet e zemrës së tij; ditët e fundit do të kuptoni fare mirë.

23:21 Unë nuk i kam dërguar ata profetë; por ata kanë vrapuar; nuk u kam folur atyre, por ata kanë profetizuar.

23:22 Por, sikur të kishin marrë pjesë në këshillën time, atëherë do të bënin që populli im të dëgjonte fjalët e mia, dhe kështu do ta largonin nga rruga e tyre e keqe dhe nga ligësia e veprimeve të tyre.

23:23 A jam unë vetëm një Perëndi nga afër”, thotë Zoti, “apo dhe një Perëndi nga larg?

23:24 A mundet dikush të fshihet në vende të fshehta në mënyrë që unë të mos e shoh?”, thotë Zoti. “A nuk e mbush unë qiellin dhe tokën?”, thotë Zoti.

23:25 “Kam dëgjuar atë që thonë profetët që profetizojnë gënjeshtra në emrin tim, duke thënë: “Pashë një ëndërr, pashë një ëndërr!”.

23:26 Deri kur do të vazhdojë kjo në zemrën e këtyre profetëve që profetizojnë gënjeshtra dhe profetizojnë mashtrimin e zemrës së tyre?

23:27 Ata mendojnë që populli im do të harrojë emrin tim me ëndrrat e tyre që i tregojnë njëri-tjetrit, ashtu si etërit e tyre harruan emrin tim për Baalin.

23:28 Profeti që pa një ëndërr le ta tregojë ëndrrën, por ai që ka fjalën time le ta kallëzojë atë me besnikëri. Ç`punë ka kashta me grurin?”, thotë Zoti.

23:29 “A nuk është fjala ime si zjarri?”, thotë Zoti, “dhe si një çekiç që thyen gurin?

23:30 Prandaj ja”, thotë Zoti, “unë jam kundër profetëve që i vjedhin njëri-tjetrit fjalët e mia.

23:31 Ja”, thotë Zoti, “unë jam kundër profetëve që përdorin gjuhën e tyre dhe thonë: “Ai thotë”.

23:32 Ja, unë jam kundër atyre që profetizojnë ëndrra të rreme”, thotë Zoti, “dhe ia tregojnë popullit tim dhe e prishin atë me gënjeshtrat dhe me mburrësitë e tyre, megjithëse unë nuk i kam dërguar dhe as nuk u kam dhënë ndonjë urdhër; prandaj nuk do të jenë aspak të vlefshëm për këtë popull”, thotë Zoti.

23:33 Në qoftë se ndërkaq ky popull ose një profet a një prift do të të pyesë, duke thënë: “Cili është orakulli i Zotit?”, ti do t`u përgjigjesh atyre: Cilin orakull? Unë do t`ju hedh poshtë”, thotë Zoti.

23:34 “Sa për profetin, priftin o popullin që do të thotë: “Orakulli i Zotit”, unë do ta dënoj atë person dhe shtëpinë e tij.

23:35 Kështu do t`i thoni secili fqinjit të vet secili vëllait të vet: “Çfarë përgjigje ka dhënë Zoti?” dhe “Çfarë ka thënë Zoti?”.

23:36 Por orakullin e Zotit nuk do ta përmendni më, sepse fjala e secilit do të jetë orakulli i tij, sepse keni shtrembëruar fjalët e Perëndisë të gjallë, Zoti i ushtrive, Perëndia ynë.

23:37 Kështu do t`i thuash profetit: “Çfarë përgjigje të dha Zoti?” dhe “Çfarë ka thënë Zoti?”.

23:38 Por në rast se thoni akoma: “Orakulli i Zotit”, atëherë kështu thotë Zoti: Me qenë se thoni këtë fjalë: “Orakulli i Zotit”, megjithëse unë ju kisha dërguar fjalë: Mos thoni më “Orakulli i Zotit”,

23:39 ja, unë do t`ju harroj plotësisht dhe do t`ju hedh larg fytyrës sime, ju dhe qytetin që ju kisha dhënë juve dhe etërve tuaj,

23:40 dhe do t`ju mbuloj me një turp të përjetshëm, që nuk do të harrohet kurrë”.

[previous][next]