Jeremia 32

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Jeremia ripohon se Jeruzalemi do të jepet në duart e mbretit të Babilonisë, dhe profetizon kthimin e popullit të tij në Jeruzalem

32:1 Fjala që iu drejtua Jeremias nga ana e Zotit në vitin e dhjetë të Sedekias, mbretit të Judës, që ishte viti i tetëmbëdhjetë i Nebukadnetsarit.

32:2 Ushtria e mbretit të Babilonisë rrethonte atëherë Jeruzalemin dhe profeti Jeremia ishte i mbyllur në oborrin e burgut që ndodhej në shtëpinë e mbretit të Judës.

32:3 Aty e kishte mbyllur Sedekia, mbreti i Judës, duke thënë: “Përse profetizon, duke thënë: “Kështu thotë Zoti: Ja, unë do ta jap këtë qytet në duart e mbretit të Babilonisë dhe ai do ta pushtojë.

32:4 Sedekia, mbreti i Judës, nuk do të shpëtojë nga duart e Kaldeasve, por me siguri do të bjerë në duart e mbretit të Babilonisë dhe do të flasë ballë për ballë me të dhe do ta shohë me vetë sytë e tij.

32:5 Pastaj ai do ta çojë Sedekian në Babiloni, ku ai do të qëndrojë deri sa ta vizitoj unë, thotë Zoti. Në qoftë se do të luftoni kundër Kaldeasve nuk do të nxirrni asgjë në krye”!”.

32:6 Atëherë Jeremia tha: “Fjala e Zotit m`u drejtua, duke thënë:

32:7 Ja, Haideli, biri i Shalumit, ungjit tënd, po vjen te ti që të të thotë: “Bli arën time që ndodhet në Anathoth, sepse ti ke të drejtën ta shpengosh duke e blerë””.

32:8 Prandaj Haideli, biri i ungjit tim, erdhi tek unë në oborrin e burgut, sipas fjalës të Zotit, dhe më tha: “Të lutem, bli arën time që ndodhet në Anathoth, në territorin e Beniaminit, sepse ti ke të drejtën e trashëgimisë dhe të drejtën e shpengimit. Blije!”. Atëherë e kuptova që kjo ishte fjala e Zotit.

32:9 Kështu, pra, bleva nga Haideli, nga biri i ungjit tim, arën që ndodhej në Anathoth dhe ia peshova paratë; shtatëmbëdhjetë sikla argjendi.

32:10 E nënshkrova aktin, e vulosa, thirra dëshmitarët dhe peshova paratë me peshore.

32:11 Pastaj e mora aktin e blerjes, atë të vulosur sipas ligjit dhe statuteve dhe atë të hapur,

32:12 dhe ia dorëzova aktin e blerjes Barukut, birit të Neriathit, bir i Mahsehiahut, në prani të Haidelit, kushëririt tim, në prani të dëshmitarëve që kishin nënshkruar aktin e blerjes dhe në prani të të gjithë Judejve që rrinin ulur në oborrin e burgut.

32:13 Pastaj përpara tyre i dhashë këtë urdhër Barukut:

32:14 “Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Merr këto akte, aktin e blerjes, qoftë atë të vulosur ashtu edhe atë të hapur, dhe futi në një poç prej balte, që të ruhen për shumë ditë.

32:15 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Në këtë vend do të blihen akoma shtëpi, ara dhe vreshta”.

32:16 Pasi ia dorëzova aktin e blerjes Barukut, birit të Neriahut, iu luta Zotit, duke thënë:

32:17 “Ah, Zot, Zot! Ja, ti e sajove qiellin dhe tokën me fuqinë tënde të madhe dhe me krahun tënd të shtrirë. Nuk ka asgjë tepër të vështirë për ty.

32:18 Ti e tregon mirësinë tënde ndaj një mijë vetave dhe e shpaguan paudhësinë e etërve në gji të bijve të tyre që vijnë pas atyre, o Perëndi i madh e i fuqishëm, emri i të cilit është Zoti i ushtrive.

32:19 Ti je i madh për këshilla dhe i fuqishëm për vepra dhe i ke sytë çelë mbi të gjitha rrugët e bijve të njerëzve, për t`i dhënë secilit sipas veprave të veta dhe sipas frytit të veprimeve të veta.

32:20 Ti ke bërë deri në ditën e sotme shenja dhe mrekulli në vendin e Egjiptit, në Izrael dhe në mes njerëzve të tjerë dhe ke fituar një emër si ai i këtyre ditëve.

32:21 Ti e nxore popullin tënd nga vendi i Egjiptit me shenja dhe mrekulli, me dorë të fuqishme dhe me krah të shtrirë dhe me tmerr të madh.

32:22 Ti u dhe atyre këtë vend që ishe betuar t`ua jepje etërve të tyre, një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë.

32:23 Ata hynë dhe e futën në dorë, nuk i janë bindur zërit tënd dhe nuk ecën në rrugën e ligjit tënd, nuk kanë bërë të gjitha ato që u kishe urdhëruar të bënin; prandaj ti solle mbi ta tërë këtë fatkeqësi.

32:24 Ja, ledhet arrijnë deri në qytet për ta shtënë në dorë; dhe qyteti lihet në dorë të Kaldeasve që luftojnë kundër tij me shpatën, me urinë dhe murtajën. Ndodhi ajo që ti ke thënë; ja, ti e shikon.

32:25 Megjithatë o Zot, o Zot, ti më ke thënë: “Bli me para fushën dhe thirr dëshmitarët, ndërsa qyteti është dhënë në dorë të Kaldeasve””.

32:26 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremias duke thënë:

32:27 “Ja, unë jam Zoti, Perëndia i çdo mishi; a ka vallë ndonjë gjë tepër të vështirë për mua?”.

32:28 Prandaj kështu thotë Zoti: “Ja, unë do ta jap këtë qytet në duart e Kaldeasve, në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, i cili do ta marrë.

32:29 Kaldeasit që luftojnë kundër këtij qyteti do të hyjnë në të, do t`i vënë zjarrin këtij qyteti dhe do ta djegin bashkë me shtëpitë mbi çatitë e të cilave i kanë djegur temjan Baalit dhe u kanë bërë libacione perëndive të tjera për të provokuar zemërimin tim.

32:30 Sepse bijtë e Izraelit dhe bijtë e Judës kanë bërë vetëm atë që është e keqe në sytë e mi qysh në fëmijërinë e tyre. Në fakt bijtë e Izraelit nuk kanë bërë gjë tjetër veçse të provokonin zemërimin tim me veprën e duarve të tyre, thotë Zoti.

32:31 Sepse ky qytet, që nga dita që u ndërtua deri më sot, ka qënë për mua një provokim i zemërimit dhe i tërbimit tim; prandaj do ta zhduk nga prania ime,

32:32 për shkak të gjithë së keqes që bijtë e Izraelit dhe bijtë e Judës kanë bërë për të provokuar zemërimin tim, ata, mbretërit e tyre, princat e tyre, priftërinjtë e tyre dhe profetët e tyre, njerëzit e Judës dhe banorët e Jeruzalemit.

32:33 Më kanë kthyer jo fytyrën, por kurrizin; dhe megjithëse i kam mësuar me urgjencë dhe me këmbëngulje, ata nuk më kanë dëgjuar për të marrë korrigjime.

32:34 Por kanë vënë gjërat e tyre të neveritshme në shtëpinë në të cilën përmendet emri im për ta ndotur.

32:35 Kanë ndërtuar gjithashtu vendet e larta të Baalit, që janë në luginën e bijve të Hinomit, në mënyrë që të kalojnë përmes zjarrit bijtë dhe bijat e tyre për nder të Molekut, gjë që unë nuk u kisha urdhëruar dhe nuk më kishte shkuar kurrë ndër mend se do të kryenin një gjë të tillë të neveritshme, duke e bërë Judën të mëkatojë”.

32:36 Prandaj kështu thotë tani Zoti, Perëndia i Izraelit, lidhur me këtë qytet, për të cilin ju thoni: “Ai do t`i jepet në dorë mbretit të Babilonisë, me anë të shpatës, të urisë dhe të murtajës”.

32:37 “Ja, do t`i mbledh nga të gjitha vendet ku i kam shpërndarë gjatë zemërimit tim, tërbimit tim, indinjatës sime të madhe; do të bëj të kthehen në këtë vend dhe të banojnë të sigurt.

32:38 Ata do të jenë për mua populli im dhe unë do të jem për ta Perëndia i tyre.

32:39 Do t`u jap një zemër të vetme, një rrugë të vetme, me qëllim që të kenë frikë nga unë përjetë për të mirën e tyre dhe të bijve të tyre.

32:40 Do të bëj me ta një besëlidhje të përjetshme; nuk do të largohem më prej tyre dhe do t`u bëj të mira dhe do të shtie në zemrën e tyre frikën, me qëllim që të mos më braktisin.

32:41 Do të ndjej gëzim duke u bërë të mirë dhe do t`i vendos në mënyrë të qëndrueshme në këtë vend me gjithë zemrën time dhe me gjithë shpirtin tim”.

32:42 Sepse kështu thotë Zoti: “Ashtu si solla mbi këtë popull gjithë këtë fatkeqësi të madhe, kështu do të sjell mbi të tërë të mirat që u kam premtuar.

32:43 Do të blihen akoma ara në këtë vend, për të cilin ju thoni: “Éshtë një vend i shkretë ku s`ka më njerëz a kafshë; është dhënë në duart e Kaldeasve”.

32:44 Do të blihen ara me para, do të nënshkruhen aktet, do të vulosen, do të thirren dëshmitarë në vendin e Beniaminit dhe në rrethinat e Jeruzalemit, në qytetin e Judës, në qytetet e krahinës malore, në qytetet e fushës, në qytetet e Negevit, sepse unë do të bëj të kthehen ata që janë në robëri”, thotë Zoti.

[previous][next]