4:1 Duke përmendur Frymën e Shenjtë Gjoni po na kujton se ka frymë të tjera në botë sot dhe se bijtë e Perëndisë duhet të paralajmërohen kundër tyre. Prandaj ai paralajmëron besimtarin të mos besojë çdo frymë. Fryma e botës këtu mbase i referohet së pari mësuesve, por jo vetëm atyre. Vetëm ngaqë dikush flet për Biblën, Perëndinë dhe Jezusin nuk do të thotë se ai është një bir i vërtetë i Perëndisë. Ne duhet të vëmë në provë frymërat për të ditur nëse janë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë. Këta janë njerëz që rrëfejnë se pranojnë krishterimin, por mësojnë ungjij të tjerë.
4:2 Gjoni jep provat e sakta me të cilat mund të dallojmë këta njerëz. Prova e madhe e një mësuesi është: “Çfarë mendon për Krishtin?”. Çdo frymë që rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur në mish, është nga Perëndia. Nuk ka shumë vlerë rrëfimi i faktit historik, pra se Jezusi lindi në këtë botë në një trup njerëzor, por për më tepër është rrëfimi i një Personi të gjallë, Jezu Krishti ka ardhur në mish. Është rrëfimi që pranon Jezusin si Krishtin e mishëruar. Dhe të rrëfesh Atë do të thotë ta pranosh si Zotin e jetës tënde. Nëse dëgjon dikë të paraqesë Zotin Jezus si Krishtin e vërtetë të Perëndisë, do të dish se ai po flet nga Fryma e Perëndisë. Fryma e Perëndisë nxit njerëzit të pranojnë Jezu Krishtin si Zot dhe t’ia dorëzojnë jetët e tyre Atij. Fryma e Shenjtë gjithmonë përlëvdon Jezusin.
4:3 Dhe çdo frymë që nuk rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur në mish, nuk është nga Perëndia [5]. Kjo është mënyra se si mund të dalloni mësuesit e rremë. Ata nuk rrëfejnë Jezusin që është përshkruar në vargun e mëparshëm. Kjo është fryma e antikrishtit që është profetizuar dhe që tashmë është në botë. Ka shumë njerëz sot që janë gati të thonë gjëra të pranueshme për sa i përket Jezusit, por ata nuk e rrëfejnë Atë si Perëndi të mishëruar. Ata do të thonë se Krishti është “hyjnor,” por jo që është Perëndi.
4:4 Besimtarët e përulur janë të zotë të mundin këta mësues të rremë sepse kanë Frymën e Shenjtë në ta dhe Ai i pajis me aftësi të dallojnë gabimin dhe të bëjë që të mos pranojnë t’i dëgjojnë.
4:5 Mësuesit e rremë janë nga bota dhe prandaj gjithçka që flasin është nga bota. Bota është burimi i çdo gjëje që mësojnë dhe prandaj bota i dëgjon. Kjo na kujton se miratimi i botës nuk është një provë e vërtetësisë së mësimeve të dikujt. Nëse dikush dëshiron thjesht të jetë popullor, gjithçka që duhet të bëjë është të flasë ashtu siç flet bota, por nëse duhet t’i qëndrojë besnik Perëndisë, atëherë duhet të presë mosmiratimin e botës.
4:6 Në vargun 6 Gjoni flet si përfaqësues i apostujve. Ai thotë: “Ne jemi prej Perëndisë; kush njeh Perëndinë na dëgjon.”. Kjo do të thotë se të gjithë ata që janë lindur nga Perëndia do të pranojnë mësimin e apostujve që gjendet në DhR. Nga ana tjetër, ata që nuk janë nga Perëndia refuzojnë dëshminë e DhR, apo përpiqen ta shtojnë apo ta përdhosin atë.