Jakobi ka folur për Perëndinë si Atin e dritave. Tani ai na kujton që Ai është gjithashtu Ati ynë, dhe që na ka dhënë një rol të përveçëm në krijimin e Tij të pafund. Ne mund ta përmbushim këtë rol duke iu bindur fjalës të së vërtetës (v. 19-27).
1:18 Kjo pjesë nënvizon rolin që Fjala e Perëndisë luan në ne (me anë të Frymës së Shenjtë) në lidhje me lindjen e re. Ne na është treguar që “Ai na ngjizi me vullnetin e tij me anë të fjalës të së vërtetës, që ne të jemi në një farë mënyre fryti i parë i krijesave të tij.”. Me vullnetin e tij – kjo na tregon çfarë e shtyu Atë të na shpëtojë. Ai nuk ishte i detyruar të na shpëtonte për shkak të meritave tona. Ai e bëri me vullnetin e Tij të lirë. Dashuria e Tij për ne ishte e pameritueshme, e paparë dhe që nuk mund të blihej.
Gjithçka ishte e vullnetshme nga ana e Tij. Kjo gjë duhet të na bëjë që ta adhurojmë Atë! Ai na ngjizi – përshkruan faktin e lindjes së re. Me anë të lindjes frymërore ne bëhemi bijtë e Tij- një marrëdhënie që nuk mund të ndryshojë asnjëherë ashtu siç asnjë lindje nuk mund të kthehet mbrapsht [të kthehet një foshnje prapë brenda barkut të nënës].
Me anë të fjalës të së vërtetës – Bibla është mjeti i lindjes së re. Në çdo rast të vërtetë kthimi, Shkrimet janë të përfshira, qofshin në formën gojore apo me shkrim. Pa Biblën ne nuk mund të njohim rrugën e shpëtimit. Në të vërtetë, ne nuk mund të njihnim që shpëtimi ishte i mundshëm!
Që ne të jemi në një farë mënyre fryti i parë i krijesave të tij – ekzistojnë tre mendime të spikatura në lidhje me fjalën fryti i parë. E para, fryti i parë i të korrave ishte tufa e parë e drithërave të pjekura. Të krishterët të cilëve Jakobi u shkruajti ishin ndërmjet besimtarëve të parë në epokën e krishterë. Sigurisht, të gjithë besimtarët janë në një farë mënyre fryti i parë i krijesave të Tij, por referimi parësor është për judenjtë e krishterë të cilëve Jakobi u shkruajti. E dyta, fryti i parë i ofrohej Perëndisë si mirënjohje për bujarinë e Tij dhe si një pranim që gjithçka vjen prej Tij dhe i përket Tij. Si rrjedhim, të gjithë besimtarët duhet ta paraqesin vetveten te Perëndia si fli të gjalla (Rom. 12:1,2). E treta, fryti i parë ishte një garanci e të korrave të plota që do të vinin më pas. Jakobi i krahasonte lexuesit e tij me duajt e drithërave në të korrat e Krishtit. Ata do të ndiqeshin prej të tjerëve shekujt që do të vinin, por ata u shpallën si shembuj shenjtorësh për të treguar frytet e krijimit të ri. Përfundimisht, Zoti do të popullojë mbarë tokën me të tjerë si ata (Rom. 8:19-23). E korra e plotë do të vijë kur Zoti Jezus do të kthehet për të mbretëruar mbi tokë. Ndërkohë, ata duhet të tregojnë të njëjtën lloj bindjeje ndaj Krishtit që e gjithë bota do ta tregojë gjatë Mijëvjeçarit. Megjithëse pjesa i referohet kryesisht shekullit të parë të të krishterëve, akoma ka një zbatim për secilin prej nesh që nderon emrin e Krishtit.
1:19a Pjesa tjetër e kapitullit jep udhëzime praktike se si mund të bëhemi frytet e para të krijimit të Tij. Ajo shpall drejtësinë praktike që duhet të karakterizojë ata që kanë rilindur me anë të Fjalës të së Vërtetës. Ne e dimë që jemi lindur me anë të fjalës me qëllim që të tregojmë të vërtetën e Perëndisë. Prandaj [2] le të marrim përgjegjësitë tona.
Ne duhet të jemi të shpejtë në të dëgjuar. Ky është një urdhër i pazakontë, me një ngjyrë humori në të. Është njësoj sikur të themi “Nxito dhe dëgjo!”. Kjo do të thotë që ne duhet të jemi të gatshëm për të dëgjuar fjalën e Perëndisë, si edhe të gjitha këshillat dhe qortimet e perëndishme. Ne duhet të mësohemi me anë të Frymës së Shenjtë. Ne duhet të jemi të ngadalshëm në të folur. Është e habitshme se sa shumë gjëra Jakobi dëshiron të thotë rreth të folurit tonë! Ai na porosit që të jemi të kujdesshëm në bashkëbisedimet tona. Edhe vetë natyra na e mëson këtë. Epikteti vuri re shumë kohë më parë që: “Natyra i ka dhënë njeriut një gjuhë, por dy veshë, që ne të mund të dëgjojmë të tjerët dy herë më shumë sesa flasim.”. Salomoni do të ishte dakort plotësisht me Jakobin. Ai njëherë tha: “Kush kontrollon gojën e tij mbron jetën e vet, por ai që i hap shumë buzët e tij shkon drejt shkatërrimit.”. (Fja. 13:3). Ai gjithashtu tha: “Në fjalët e shumta faji nuk mungon, por ai që i frenon buzët e tij është i urtë.” (Fja. 10:19). Fjalamanët e pandreqshëm përfundimisht mëkatojnë.
1:19b,20 Ne duhet të jemi të ngadalshëm në zemërim. Një njeri që është gjaknxehtë nuk kryen llojin e drejtësisë që Perëndia pret nga bijtë e Tij. Ata që zemërohen u japin njerëzve një përshtypje të gabuar rreth krishterimit. Është e vërtetë që “kush nuk zemërohet shpejt vlen më tepër se një luftëtar i fortë, dhe ai që e urdhëron frymën e tij vlen më tepër se ai që mposht një qytet” (Fja. 16:32).
1:21 Një mënyrë tjetër për të treguar veten tonë si frytet e para të krijimit të Tij është të heqim çdo ndyrësi dhe mbeturinë ligësie. Këto vese janë të ngjashme me veshjet e ndotura që duhet të vihen mënjanë një herë e përgjithmonë. Ndyrësitë përfshijnë çdo formë papastërtie, qoftë frymërore, mendore, apo fizike. Shprehja “mbeturinë ligësie” mund t’i referohet atyre formave të të këqijave që kanë mbetur nga koha kur ishim të pakthyer te Zoti. Mund t’i referohet mëkateve që “dalin” nga jetët tona dhe prekin jetët e të tjerëve. Ose mund t’i referohet të keqes që është me bollëk, kështu që në këtë rast Jakobi nuk po përshkruan një teprim të së keqes, por karakterin tej mase të keq që ka i ligu. Kuptimi i përgjithshëm është i qartë. Për të marrë të vërtetën e fjalës së Perëndisë, ne duhet të jemi moralisht të pastër.
Kërkesa tjetër për pranimin e të vërtetës hyjnore është butësia. Është gjithmonë e mundshme të lexojmë Biblën pa lejuar që ajo të na flasë. Ne mund ta studiojmë atë në një mënyrë akademike pa qenë të ndikuar nga ajo. Krenaria jonë, ngurtësia dhe mëkati na bëjnë joperceptues dhe jo të përgjegjshëm. Vetëm ata me një frymë të nënshtruar dhe të përulur mund të presin që të trashëgojnë bekimet më të mëdha nga Shkrimet. “Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t’u mësojë të përulurve rrugën e tij.” (Ps. 25:9). “Mbi kë, pra, do të kthej shikimin tim? Mbi atë që është i përulur, ka frymë të penduar dhe dridhet nga fjala ime.” (Isa 66:2).
Jakobi flet për Shkrimet si fjalën e mbjellë në ju, e cila mund të shpëtojë shpirtrat tuaj. Mendimi është që fjala bëhet një depozitë e shenjtë në jetën e krishterë kur ai lind sërish. Versioni RV lexohet “fjala e lindur”. Kjo fjalë është në gjendje të shpëtojë shpirtrat tuaj. Bibla është mjeti që Perëndia përdor në lindjen e re. Ai e përdor atë për të shpëtuar shpirtin nga dënimi i mëkatit, por edhe nga fuqia e tij. Ai e përdor fjalën për të na shpëtuar nga dënimi i përjetshëm, por edhe nga prishja në këtë jetë [3]. Pa dyshim Jakobi në vargun 21 po flet për aspektin e tanishëm dhe të vazhdueshëm të shpëtimit.
1:22 Nuk është e mjaftueshme të pranojmë fjalën e mbjellë; ne duhet t’i bindemi asaj. Nuk ka asnjë virtyt duke pasur një Bibël ose duke e lexuar atë si një libër letërsie. Duhet të ekzistojë një dëshirë e thellë për të dëgjuar Perëndinë që na flet dhe një gatishmëri e plotë për të bërë gjithçka që ai thotë. Ne duhet ta përkthejmë Biblën në veprime. Fjala duhet të bëhet mish në jetët tona. Asnjëherë nuk duhet të ketë një rast kur ne shkojmë te Shkrimet pa lejuar që Shkrimet të ndryshojnë jetët tona për më mirë. Të shpallësh një dashuri të madhe për fjalën e Perëndisë ose të hiqesh si një studiues i Biblës është një formë e vetëmashtrimit kurse rritja jonë në fjalën duhet të prodhojë rritje në ngjashmëri me Zotin Jezus. Të vazhdojmë duke përfituar një njohuri intelektuale të Biblës pa iu bindur asaj mund të jetë një kurth në vend të një bekimi. Nëse në mënyrë të vazhdueshme ne mësojmë çfarë duhet të bëjmë, por nuk e bëjmë, atëherë ne dëshpërohemi, ndihemi të dështuar dhe zemërgurë. “Përshtypja pa shprehje çon në dëshpërim.” Gjithashtu ne bëhemi më të përgjegjshëm ndaj Perëndisë. Ndërthurja ideale është që të lexojmë fjalën dhe t’i bindemi asaj plotësisht.
1:23,24 Dikush, që e dëgjon fjalën por nuk e ndryshon sjelljen e tij i përngjan një njeriu që hedh një shikim të shpejtë në pasqyrë çdo mëngjes, pastaj harron plotësisht çfarë pa. Ai nuk përfitoi asnjë bekim nga pasqyra ose duke u parë në të. Sigurisht, ka disa gjëra rreth pamjes sonë të jashtme që nuk mund të ndryshohen. Por të paktën ne duhet të jemi të përulur në pamje të parë! Kur pasqyra thotë “Lahu!” ose “Rruhu!” ose “Krihu!” ose “Fshihu!” të paktën ne duhet të bëjmë atë që na thuhet. Përndryshe pasqyra nuk ka asnjë bekim praktik për ne.
Është e lehtë të lexojmë Biblën rastësisht, ose për shkak të ndjenjës së detyrës pa qenë të ndikuar nga ajo çfarë lexojmë. Ne shikojmë çfarë duhet të jemi por menjëherë harrojmë dhe jetojmë sikur të ishim të përsosur. Kjo lloj vetëkënaqësie parandalon përparimin frymëror.
1:25 Ndryshe është njeriu që shikon me vëmendje fjalën e Perëndisë dhe si rregull e kthen në praktikë. Vështrimi i tij soditës dhe përsiatës ka rrjedhoja praktike në jetën e tij. Për të Bibla është ligji i përsosur i lirisë. Ligjet e saj nuk janë të rënda. Këto ligje i tregojnë atij të bëjë pikërisht çfarë natyra e tij e re dëshiron të bëjë. Ndërsa ai bindet, ai gjen liri të vërtetë nga traditat njerëzore dhe arsyetimet mishërore. E vërteta e bën atë të lirë. Ky është njeriu që përfiton nga Bibla. Ai nuk harron çfarë lexon. Për më tepër ai përpiqet ta jetojë atë në praktikën e përditshme. Bindja e tij e thjeshtë si e një fëmije i sjell bekime të pallogaritshme shpirtit të tij. Ai do të jetë i lumtur në veprimtarinë e vet.
1:26,27 Feja e kotë dhe feja e pastër dhe pa njollë janë në kundërshtim. Feja këtu nënkupton modelet e jashtme të sjelljes në lidhje me besimin fetar. Për më tepër ajo i referohet formave të jashtme dhe jo frymës së brendshme. Ajo nënkupton shprehjen e jashtme të besimit në adhurim dhe shërbesë dhe jo doktrinave që besojmë.
Ndokush që mendon se është fetar, por që nuk mund ta kontrollojë gjuhën e vet,… feja e këtij është e kotë. Ai mund të studiojë të gjitha llojet e ceremonive fetare që e bëjnë atë të duket shumë fetar. Por ai është duke mashtruar vetveten. Perëndia nuk kënaqet me rite; Ai është i interesuar për një jetë të perëndishme praktike.
Një gjuhë pa fre është vetëm një shembull i fesë së kotë. Çdo sjellje e parregullt që nuk përputhet me besimin e krishterë është e pavlefshme. Historia tregon për një shitës ushqimesh i cili nga ana e jashtme ishte një mashtrues fetar. Ai jetonte në një apartament sipër dyqanit të tij. Çdo mëngjes ai qortonte ndihmësin:
“Xhon!”
“Po, zotëri.”
“A e ke holluar qumështin?”
“Po, zotëri.”
“A e ke ngjyrosur gjalpin?”
“A e ke hedhur çikoren në kafe?
“Po, zotëri.”
“Shumë mirë. Eja sipër për lutjen e mëngjesit!”
Jakobi thotë se një fe e tillë është e kotë.
Ajo çfarë Perëndia dëshiron është lloji praktik i perëndishmërisë e cila ka një ndikim të mëshirshëm te të tjerët dhe e ruan të pastër jetën e secilit. Si shembuj të fesë së pastër dhe të panjollë, Jakobi lavdëron njeriun që viziton jetimët dhe vejushat në nevojë, dhe që e ruan vetveten të pastër nga bota.
Me fjalë të tjera, puna e jashtme praktike e lindjes së re është e themeluar në “veprat e hirit dhe në një ecje ndarjeje [të shenjtërisë]”. Guy King-u i përshkruan këto virtyte si dashuri praktike dhe shenjtëri praktike.
Ne duhet ta vendosim besimin tonë në provë së bashku me pyetjet e mëposhtme: A e lexoj unë Biblën me një dëshirë të përulur që Perëndia të më qortojë, të më mësojë dhe të më ndryshojë? A jam i shqetësuar që gjuha ime është pa fre? A e përligj natyrën time apo dëshiroj të fitoj mbi të? Si reagoj unë kur dikush fillon të tregojë një shaka të pisët? A bëhet i dukshëm besimi im në vepra mirësie ndaj atyre që nuk mund të ma kthejnë?