PARATHËNIE PËR LIBRAT HISTORIKË
Për milionat e njerëzve që pëlqejnë historinë e mirë, sidomos një histori të vërtetë, ndarja e dytë kryesore e DhV është zakonisht magjepse. Ajo vazhdon historinë e popullit të Perëndisë në pikën ku e lë Ligji i Përtërirë dhe e çon një mijë vjet më pas ku përfundon historia e DhV (librat poetikë dhe profetikë përfshihen në të njëjtën skicë, por ato nuk paraprijnë historinë).
Për ata që nuk pëlqejnë “historinë” (nga natyra apo nga paraqitja e rremë e mësuesve të marrë të historisë) mund t’u themi se kjo histori është unike. Para së gjithash historia biblike është e me të vërtetë, për të përdorur një thënie të vjetër, “historia e Tij” në çdo kuptim të fjalës. Nuk është një rrëfim i plotë i çdo periudhe të historisë hebraike, por një histori e vazhdueshme e zgjedhur hyjnisht. Së dyti, është një histori me një qëllim, jo thjesht për të mësuar apo zbavitur, por për të na bërë besimtarë më të mirë. Për të përdorur fjalët e apostullit Pal në DhR, këto gjëra “u shkruan për mësimin tonë” (Romakeve 15:4).
Ndërsa tërë këto ngjarje kanë ndodhur me të vërtetë, zgjedhja dhe paraqitja nga shkrimtarët njerëzor të Perëndisë nën frymëzimin e Frymës së Tij ishte për ta bërë më të lehtë për lexuesin përsiatës për të parë mësimet që Perëndia dëshiron të mësojmë, për shembull, nga jeta e Davidit, nga ndarja e Mbretërisë, apo nga kthimi i tepricës së judenjve pas Mërgimit.
I. Kronologjia
Librat historikë shtrihen si periudhë kohore nga viti 1400 para K. deri në 400, apo një mijëvjeçar i plot i historisë hebraike. Kjo periudhë e gjatë ndahet natyrisht në tri epoka kryesore: Periudha Teokratike (1405-1043 para K.), Periudha Mbretërore (1043-586 para K., apo nga Sauli te shkatërrimi i Jerusalemit) dhe Periudha e Përtëritjes (536 deri në 420 para K.).
II. Librat teokratikë
Ashtu siç mendohet që demokracia (greqisht, kryesimi i popullit) të jetë një qeveri e drejtuar nga populli, po kështu teokracia mendohet të qeveriset drejt për drejt nga Perëndia. Izraeli i lashtë nga Jozueu te Sauli (1405-1043 para K.) kishte këtë kryesim, nga Perëndia{{1}}.
Tre libra mbulojnë epokën teokratike: Jozueu, Gjyqtarët dhe Ruthi.
A. Jozueu
Ky libër vazhdon nga vdekja e Moisiut dhe zëvendësimi i tij nga Jozueu, një udhëheqës ushtarak, që ishte edhe një udhëheqës frymëror. Jozueu vazhdon të sfidojë izraelitët jo vetëm për të pushtuar Palestinën, por gjithashtu për të ndjekur Zotin. Gjysma e parë e librit rrëfen pushtimin e Tokës së Premtuar dhe pjesa e dytë tregon me hollësi për ndarjen e asaj toke midis dymbëdhjetë fiseve të Izraelit.
B. Gjyqtarët
Ngaqë izraelitët nuk po i bindeshin urdhrave të Perëndisë dhe lanë pakica paganësh të shpërndarë në gjithë Palestinën, ata përjetuan për rrjedhojë dallgë pas dallge shtypësish paganë, shtatë në tërësi.
Libri i Gjyqtarëve përmban disa histori të zymta, dhe një apo dy prej të cilave të pështira, që ilustrojnë se çfarë mund të sjellë mosbindja ndaj Fjalës së Perëndisë.
C. Ruthi
Ky libër i vogël magjepsës nuk vjen pas kohës së librit të Gjyqtarëve, por gjatë epokës së errët frymërore, duke treguar se edhe në një kohë rënie të madhe frymërore, mbetja e perëndishme mund t’i shërbejë Perëndisë në një mënyrë të mrekullueshme dhe të pranueshme.
III. Librat mbretërorë
Ka gjithashtu tre libra që mbulojnë epokën e mbretërisë (1043-586 para K.), por janë ndarë në gjashtë libra për lehtësi në tërë versionet moderne.
A. Samueli
Libri i parë e i dytë i Samuelit mund të përmblidhet në tre emra: Samueli, Sauli dhe Davidi. Ata kanë marrë emrin Samuel, profeti që vajosi mbretin e parë të Izraelit, Saul, dhe pasuesi i tij, Davidi, provat dhe sukseset e të cilit janë rrëfyer në disa hollësi.
B. Mbretërit
Salomoni, biri i Davidit, edhe pse një sundues i zgjuar dhe i shkëlqyer, humbi fuqinë e tij frymërore duke u martuar me një mori grash pagane. Biri i tij Roboami shkaktoi ndarjen e mbretërisë në Jude, në jug (e cila kishte sundues të mirë e të këqij) dhe Izrael, në veri (i cili kishte vetëm sundues të këqij). Më 722 para K. Mbretëria Veriore u çua në robëri dhe midis viteve 605 e 586 Mbretëria Jugore u çua në robëri.
C. Kronikat
Në Biblën hebraike ky është libri i fundit, duke rrëfyer historinë judaike nga Adami (thjesht nga gjenealogjitë) deri te rënia e Mbretërisë Jugore. Meqë është një ritregim frymëror i historisë hebraike, ky thekson elementët pozitivë (duke mos përmendur mëkatin e rëndë të Davidit dhe duke injoruar plotësisht Mbretërinë rebele Veriore).
IV. Librat e përtëritjes
Pas mërgimit shtatëdhjetë vjeçar në Babiloni, kombi që kishte qenë më parë një teokraci, më pas një monarki, u kthye në një krahinë të thjeshtë të botës së fuqive pagane, së pari i Persisë, pastaj i Greqisë, pastaj i Romës. Kjo është periudha 536-420 para K.
A. Esdra
Më 536 para K. mbreti Kir nxori një dekret, duke lejuar judenjtë të ktheheshin në atdheun e tyre. Rreth 50 mijë judenj (një pakicë shumë e vogël) u kthyen nën drejtimin e Zorobabelit për të rindërtuar tempullin. Prifti Esdra mori rreth 2 mijë judenj me vete më 458 para K.
B. Nehemia
Më 444 para K. Nehemia mori leje nga mbreti i Persisë të rindërtonte muret e Jerusalemit rreth tempullit të rindërtuar. Kur muret u mbaruan, Esdra dhe Nehemia drejtuan një reformë dhe rizgjim në shtetin judaik.
C. Esteri
Ky libër nuk është i fundit nga kronologjia e tre librave të Përtëritjes, meqë ngjarjet kanë ndodhur në Persi, midis kapitujve 6 e 7 të Esdrës. Mbase libri është vënë i fundit sepse rrëfen jetët e atyre që nuk u mërzitën të ktheheshin në Vendin e Shenjtë kur mund të mos ishin kthyer. Esteri ilustron veprën e Perëndisë përtej skenave (emri i Tij nuk përmendet asnjëherë) për të mbrojtur popullin e Tij të lashtë nga përndjekja antisemite, me të vërtetë nga gjenocidi. Mjetet që përdori Ai ishin një mbretëreshë e bukur dhe heroike judease dhe kushëriri i saj i mprehtë, Mardokeu.
[[1]]Calvin’s Geneva (1500’s) dhe Puritan New England (1600’s) ishin kryesisht përpjekje të reformuara protestante në teokraci.[[1]]