Ditët e fundit të Moisiut – vdekja jashtë vendit (Ligji i Përtërirë 31-34)

A. Zëvendësimi i Moisiut (kapitulli 31)

31:1-8 Tashmë Moisiu ishte njëqind e njëzet vjeç. Ai e njihte dekretin e shpallur të Perëndisë se nuk lejohej të kalonte Jordanin me popullin, por i kujtoi atyre se Zoti do të shkonte me ta, se Jozueu do të ishte udhëheqësi i tyre dhe se fitorja mbi armiqtë ishte e sigurt. Moisiu më pas i dha hapur zemër Jozueut rreth detyrës së tij të re dhe e siguroi për praninë e Zotit (v. 7,8). 31:9-13 Ligji i shkruar iu besua levitëve. Ai duhej të ruhej brenda arkës. Dy pllakat e Dhjetë Urdhërimeve u vendosën brenda arkës (Eksodi 25:16; Heb. 9:4). Kjo kopje e ligjit u vendos brenda arkës. Në fund të çdo shtatë viteve […] ligji duhej lexuar në prani të tërë Izraelit. Leximi i Shkrimit të Shenjtë, në mënyrë të trishtueshme, është lënë pas dore edhe në rrethet e rrepta doktrinore sot. Fjalët e mëposhtme, të cilat janë fjalë të vlefshme nga Mekintoshi (C. H. Mackintosh), janë, fatkeqësisht, më tepër të vërteta sot, sesa një shekull më parë kur janë shkruar:
Fjala e Perëndisë nuk dëshirohet e studiohet, qoftë privatisht apo publikisht. Letërsia e kotë përpihet privatisht dhe muzika, shërbimet rituale dhe ceremonitë e detyruara kërkohen me zell në publik. Mijëra vetë mblidhen për të dëgjuar muzikë dhe paguajnë për t’u futur brenda, por sa pak interesohen për një takim për të lexuar Shkrimin e Shenjtë! Këto janë fakte dhe faktet janë argumente të fuqishme. Ne nuk mund t’u shmangemi atyre. Ka një etje gjithnjë e në rritje për harenë fetare dhe një neveri për studimin e qetë të Shkrimit të Shenjtë dhe ushtrimet frymërore të asamblesë së krishterë. Është plotësisht e padobishme ta mohojmë. Ne nuk mund të mbyllim sytë tanë para këtij fakti. Me provën e saj ndeshemi përditë. Lavdi Perëndisë, ka disa, andej-këndej, që e duan me të vërtetë Fjalën e Perëndisë dhe gëzohen të takohen, në përbashkësi të shenjtë, për studimin e të vërtetave të saj të çmuara. Zoti shtoftë numrin e njerëzve të tillë dhe i bekoftë, «derisa ditët e shtegtimit të mbarojnë»{{20}}!
31:14-18 Ndërsa Moisiut po i vinte çasti të vdiste, Perëndia thirri atë dhe Jozueunçadrën e mbledhjes dhe u paraqit para tyre në një shtyllë reje. Në fillim Ai i zbuloi Moisiut se izraelitët do të zhyteshin në idhujtari dhe do të vuanin zemërimin e Perëndisë. 31:19-22 Më pas urdhëroi Moisiun të shkruante një kantik dhe t’ua mësonte bijve të Izraelit […] për të qenë si dëshmi kundër tyre në ditët e ardhshme. 31:23 Vetë Perëndia i dha urdhrat e Tij Jozueut për të drejtuar popullin e Tij Tokën e Premtuar dhe i dha zemër të ishte trim dhe i fortë. Jozueu duhet të jetë forcuar nga këto fjalë të Jehovait. Ai sapo kishte dëgjuar Perëndinë të fliste për ardhjen e femohimit kombëtar (v. 16) dhe kishte nevojë për një përsëritje të sigurisë, në vend të lëshimit të zemrës, për detyrën që e priste. 31:24-27 Libri i Ligjit, pra, Ligji i Përtërirë, dorëzuar levitëve, do të shërbente gjithashtu si një dëshmi kundër izraelitëve kur të braktisnin Zotin. 31:28-30 Kështu Moisiu shqiptoi kantikun e mëposhtëm para pleqve të fiseve të tyre dhe zyrtarëve, ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia.

B. Kantiku i Moisiut (kapitulli 32)

32:1-3 Kantiku mund të përmblidhet si vijon: I bëhet thirrje gjithësisë të dëgjojë fjalën e Zotit. Ajo është freskuese dhe ushqyese, ashtu si shiu e vesa. Në vargun 3 (i cili mund të shërbejë si një titull për kantikun) Moisiu flet për madhështinë e Perëndisë së tyre. Kantiku zbulon madhështinë e Perëndisë në kontekstin e marrëveshjeve historike me popullin e Tij. 32:4-9 Pavarësisht nga madhështia, drejtësia, besnikëria dhe shenjtëria e Perëndisë, populli i Izraelit e braktisi Atë dhe mëkatoi kundër Tij. Lavdia e cilësive të Jehovait shfaqet këtu kundër sfondit të errët të paudhësisë së korruptuar të Izraelit. Edhe pse ishte Ati dhe Krijuesi i tyre, kishte marrë shumë pak falënderime prej tyre. Kur Shumë i Larti ndau tokën midis kombeve pagane, në fillim plotësoi nevojat e popullit të Tij. Të tilla ishin dashuria dhe kujdesi i Tij për ta. 32:10-14 Në vargun 10 përshkruhen lindja dhe fëmijëria e kombit të Izraelit. Pas eksodit nga Egjipti, Perëndia drejtoi, nxiti dhe ruajti popullin e Tij si me dashurinë e një shqiponje për të vegjëlit e saj (v. 11). Asnjë perëndi e huaj nuk kishte pjesë në ruajtjen e Izraelit. Pse, pra, tani duhet të kthehet kombi në idhujtari dhe t’ia kalojë mirësinë e Jehovait një tjetri? Duke filluar në vargun 13, kantiku është profetik. Ai i çoi në bekimet e Tokës së Premtuar. 32:15-20 Por Jeshuruni (një emër poetik për popullin e Izraelit, që do të thotë «popull i drejtë») ngriti krye kundër Jehovait duke u kthyer tek idhujt. Ata zgjodhën t’u bënin flijime demonëve, shumë herë duke ofruar edhe fëmijët e tyre. Ata gjithashtu ranë në marrëzinë e adhurimit të perëndive të reja. Kështu lanë pas dore Shkëmbin e tyre të vërtetë; ata harruan Atin e tyre të vërtetë. Si rrjedhojë, Zoti u fshehu atyre fytyrën e Tij. Kjo fshehje e fytyrës u përmbush në marrjen e tyre në robëri. 32:21-33 Pasi vuri Izraelin mënjanë, Perëndia veproi me hir ndaj johebrenjve, duke u përpjekur ta provokojë Izraelin në smirë (ashtu si në kohën e tashme të kishës). Ndërkohë Izraeli do të shpërndahet dhe përndiqet. Megjithatë, populli nuk do të shkatërrohet plotësisht, sepse Jehovai nuk dëshiron që armiqtë e Izraelit të keqinterpretojnë rënien e kombit. Nuk ishte për shkak se shkëmbi i armiqve të tyre ishte më i fortë, por se Shkëmbi i Izraeli i kishte dorëzuar në vrasje, për shkak të paudhësisë së tyre. 32:34-43 Kjo pjesë ka të bëjë me hakmarrjen e Perëndisë mbi kombet që duhej të kishte ndëshkuar Izraeli. Hakmarrja (v. 35) dhe gjykimi (v. 36) i përkasin Zotit. Ai është betuar në Veten e Tij (sepse nuk ka më të madh se Ai) të merret me kundërshtarët e Tij. Vini re se sa i plotë do të jetë ky gjykim (v. 41,42). Si rrjedhojë, populli i Perëndisë dhe tërë kombet do të gëzohen, sepse Perëndia është hakmarrë për Veten dhe do të ketë mëshirë për tokën dhe për popullin e Tij. 32:44-47 Kantiku na jep një përmbledhje historike dhe profetike të kombit të Izraelit. Duke lexuar kantikun, Moisiu nxit solemnisht popullin të ndjekë Zotin me këto fjalë: «Sepse kjo nuk është një fjalë pa vlerë për ju, por është jeta juaj…». 32:48-52 Po atë ditë Zoti e çoi Moisiun në majën e malit Nebo, nga ku mund të vështronte vendin. Ai nuk do të lejohej të futej në Kanaan për shkak të mëkatit të tij në Meribë në Kadesh, por do të vdiste […] malin Nebo dhe do të varrosej në një luginë në Moab (krahasoni me Ligji i Perterire 34:6).

C. Bekimi i Moisiut (kapitulli 33)

Gjuha hebraike në këtë kapitull është e zymtë në shumë vende; kështu, ka mendime dhe interpretime të ndryshme të paraqitura nga komentues të ndryshëm. Nuk është në qëllimin e kësaj pune të futemi në hollësi për sa i përket përkthimeve të mundshme në hebraishte; por vetëm sa do të sugjerojmë një paraqitje të shkurtër e profetike për çdo bekim. 33:1-5 Si vepra e tij e fundit zyrtare, Moisiu, njeriu i Perëndisë shpalli një bekim për fiset e Izraelit. Vargjet 2-5 kremtojnë kujdesin e dashur të Perëndisë për popullin e Tij. Në Sinai Ai dha ligjin. Seiri dhe mali Paran ndodheshin në rrugën nga Sinai për në Kanaan. Në një gjuhë poetike, Moisiu përshkruan Zotin si Mbret në Jeshurun, duke drejtuar popullin e Tij drejt fitores. Më pas vijojnë bekimet individuale: 33:6 Rubeni. I ndodhur në lindje të lumit Jordan dhe menjëherë në veri të Moabit, Rubeni do të ishte i thyeshëm ndaj sulmeve; prandaj kemi lutjen që fisi të mos zhdukej, por të ishte i populluar. Simeoni nuk përmendet. Ai shoqërohej ngushtë me Judën dhe mund të përfshihet në këtë bekim. 33:7 Juda. Ky fis do të ishte një udhëheqës në pushtimin e Kanaanit. Zotit i kërkohet të ndihmojë luftëtarët dhe t’i kthejë shëndoshë e mirë te populli i tyre. 33:8-11 Levi. Thumimët dhe Urimët e Perëndisë i përkisnin Levit, fisit të kritikuar nga populli në Masa dhe ujërat e Meribës. Levi ishte gjithashtu fisi që u vu në krahun e Perëndisë kundër popullit të tij kur ky i fundit adhuroi viçin e artë. Levi ishte veçuar për të mësuar popullin dhe të paraqiste flijimet. Moisiu lutet që Zotibekojëforcën e tij, të gjejë kënaqësi në shërbimin e tij dhe të shkatërrojë ata që e urrejnë. 33:12 Beniamini. Tempulli, vendbanimi i Perëndisë në tokë, do të ngrihej në territorin e Beniaminit, rrethuar nga kodra të ngritura. Prandaj Beniamini simbolizohet si një fis i dashur, që gëzon përbashkësi të ngushtë me Zotin. 33:13-17 Jozefi. Territori i bijve të Jozefit do të ujitej nga vesa prej së larti dhe burimet që ndodhen poshtë. Ai do të ishte tepër i frytshëm, duke gëzuar mirëdashjen e Atij që zbuloi Veten në ferrishten që digjej. Të madhërishëm dhe të fuqishëm, dy bijtë e Jozefit do të pushtojnë kombet. Efraimi fitoi të drejtën e parëbirnisë dhe për këtë arsye i caktohen mori, ndërsa Manasit vetëm mijëra. 33:18,19 Zabuloni dhe Isakari. Të suksesshëm në shtëpi dhe jashtë saj, ata do të udhëhiqnin kombet për të adhuruar në Jerusalem, malin e Zotit. Këto fise do të festojnë në bollëkun e detrave dhe të tokës. Meqë nuk na flitet për kombet e tyre që do të drejtonin për në adhurim dhe meqë të dyja fiset ishin vende të mbyllura në të shkuarën, ky bekim duhej të kishte si synim periudhën mijëvjeçare. 33:20,21 Gadi. Perëndia i dha këtij fisi një territor të gjerë në lindje të Jordanit. Gadi luftoi si një luan për ta pushtuar dhe ruajtur. Për veten e tij ai zgjodhi tokën që ishte kullotë – pjesën e udhëheqësit. Por ai gjithashtu u bashkua me krerët e popullit për të pushtuar pjesën perëndimore të Jordanit, duke zbatuar kështu vullnetin e drejtë të Perëndisë. 33:22 Dani krahasohet me një luan vogël, i egër e i fortë, duke goditur prenë menjëherë nga prita. Territori fillestar i Danit ishte në jugperëndim të Kanaanit, por danitët migruan në verilindje dhe pushtuan tokë shtesë, bashkë me Bashanin. 33:23 Neftali ndodhej në verilindje të Kanaanit dhe shtrihej në jug të detit të Galilesë. Fisi nderohej me favore dhe […] bekimet e Zotit. 33:24,25 Asheri do të bekohej me një begati të panumërt, marrëdhënie të mira me fiset e tjera dhe një vend ku rrjedh vaj ulliri. Hekuri dhe bronzi duken si materiale të çuditshme për sandalet. Kaili (Keil) e përkthen «kështjellë». Grenti (F. W. Grant) hedh idenë e një përkthimi tjetër interesant të rreshtit të fundit të vargut 25:
Përkthimet moderne në krahasim me të lashtat shkruajnë «paqja» në vend të fjalës «forca». Pavarësisht nga cila fjalë përdoret, vargu tregon siguri të fortë. Megjithëse është e vështirë të heqim dorë nga ajo shprehje e lashtë [«forca jote të vazhdojë…»] që jemi bërë familjarë, është shumë e përshtatshme që ky bekim i mrekullueshëm të mbyllet me shprehjen moderne: «paqja jote të vazhdojë sa janë ditët e tua»{{21}}.
33:26-29 Vargjet përmbyllëse kremtojnë madhështinë e Perëndisë ndërsa vepron për të mirën e popullit të Tij. Perëndia i Jeshurunit është i përveçëm nëpër qiejt për të dhënë ndihmë. Miliona janë forcuar nga fjalët e vargut 27: «Perëndia i kohëve të lashta është streha jote dhe poshtë teje ndodhen krahët e tij të përjetshëm». Shkatërrimi i ardhshëm i armiqve të Izraelit prej Perëndisë dhe premtimi i sigurisë, paqes, begatisë dhe fitores mbyllin kantikun e Moisiut.

D. Vdekja e Moisiut (kapitulli 34)

34:1-8 Edhe pse për vdekjen e Moisiut këtu ka shkruar dikush tjetër, kjo nuk prek faktin se pjesa tjetër e Pentateukut është shkruar nga Moisiu{{22}}. Pasi Moisiu kishte parë vendin e premtuar, ai vdiq në malin Nebo […]dhe Zoti e varrosi në një vend të fshehtë. Pa dyshim që arsyeja për fshehtësinë e varrit ishte që të parandalonin që njerëzit të mos ngrinin një altar në varrin e ligjvënësit dhe ta adhuronin atë atje. Moisiu ishte njëqind e njëzet vjeç kur vdiq, por akoma ishte i fortë, i shkathët dhe i mprehtë. Kjo fjali nuk është në kundërshtim me 31:2. Arsyeja se pse Moisiu nuk mund të udhëhiqte më popullin nuk ishte fizike, por frymërore. Perëndia i kishte thënë atij se për shkak të mëkatit të tij ai nuk do ta udhëhiqte popullin në Kanaan (31:2), edhe pse fizikisht ishte i aftë. 34:9 Më pas Jozueu mori detyrat e tij si kryekomandant. Moisiukishte miratuar Jozueun si pasuesin e tij, sipas fjalës së Zotit te Numrat 27:18-23. Prandaj ky shërbëtor u bë pasuesi i tij, një dëshmi tjetër e përulësisë së Moisiut. 34:10-12 Vetëm për disa njerëz mund të flitet për nderimin që iu bë Moisiut. Sigurisht, kur u shkruan këto vargje përmbyllëse, Mesia nuk ishte shfaqur akoma. Vargu 10 ishte i vërtetë deri në kohën e ardhjes së Krishtit në tokë. «Dhe Moisiu qe me të vërtetë besnik në shtëpinë e Perëndisë si shërbëtor» (Heb. 3:5). Ai vdiq për shkak të mëkatit të tij; vendi i varrosjes së tij është i panjohur. Por antitipi i tij (kundërfigura e tij), Zoti Jezus, «qe me të vërtetë besnik […] si bir […] mbi shtëpinë e Tij» (Heb. 3:5,6). Ai vdiq për shkak të mëkateve tona; vendi i varrosjes së Tij është bosh, sepse është ngjitur në të djathtën e Atit në qiell. «Prandaj, o vëllezër të shenjtë, pjesëtarë të thirrjes qiellore, vështroni apostullin dhe kryepriftin e rrëfimit të besimit tonë, Jezu Krishtin […] Sepse Jezusi është i denjë për më shumë lavdi se Moisiu, meqenëse ai që ndërton shtëpinë ka më shumë nder se shtëpia» (Heb. 3:1,3). [[20]](31:9-13) C. H. Mackintosh, “Deuteronomy” te Notes on the Pentateuch, f. 895.[[20]] [[21]](33:24,25) F. W. Grant, “Deuteronomy” te The Numerical Bible, I:622.[[21]] [[22]](34:1-8) Shikoni «Hyrje te Pentateuku» për një mbrojtje të autorësisë së Moisiut të Pentateukut.[[22]] BIBLIOGAFI] Grant, F. W. “Deuteronomy”, te The Numerical Bible. Vëll. I. Neptune, NJ: Loizeaux Brothers, 1977. Henry, Matthew. “Deuteronomy”, te Matthew Henry’s Commentary on the Whole Bible. Vëll. I. MacLean, VA: MacDonald Publishing Company, n.d. Keil, C. F dhe Delitzsch, F. “Deuteronomy”, te Biblical Commentary on the Old Testament. The Pentateuch. Vëll. III. Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Co., 1971. Kline, Meredith G. “Deuteronomy”, te The Wycliffe Bible Commentary. Chicago: Moody Press, 1962. Mackintosh, C. H. “Deuteronomy”, te Notes on the Pentateuch. Neptune, NJ: Loizeaux Brothers, 1972. Shultz, Samuel J. Deuteronomy: The Gospel of Love. Everyman’s Bible Commentary. Chicago: Moody Press, 1971. Thompson, J. A. Deuteronomy: An Introduction and Commentary. The Tyndale Old Testament Commentaries. Downers Grove, IL: Inter-Varsity Press, 1974. Towns, Elmer L. “Deuteronomy”, te Liberty Bible Commentary. Lynchburg, VA: The Old-Time Gospel Hour, 1982.
[previous][next]