A. Jezusi parathotë shkatërrimin e tempullit (13:1-2)
13:1 Ndërsa Zoti po largohej nga zona e tempullit për herë të fundit para vdekjes së Tij, një nga dishepujt e Vet u përpoq të ngrinte entuziazmin e Tij në lidhje me madhështinë e tempullit dhe me arkitekturën përreth. Dishepujt ishin të zënë me triumfet arkitektonike të përfshira në ngritjen e gurëve jashtëzakonisht të mëdhenj. 13:2 Shpëtimtari tregoi se këto gjëra shpejt do të shkatërroheshin. Nuk do të mbetej gur mbi gur atëherë kur ushtritë romake do të pushtonin Jerusalemin në vitin 70 mK. Pse të merresh me gjëra që janë veçse si hije që kalojnë?B. Fillimi i pikëllimeve (13:3-8)
Në fjalimin e Tij mbi malin e Ullinjve, Zoti e ktheu vëmendjen e dishepujve drejt ngjarjeve me rëndësi më të madhe. Disa nga profecitë duket se përshkruajnë shkatërrimin e Jerusalemit (70 mK); shumica e tyre sigurisht që shkojnë përtej asaj date te Periudha e Mundimit dhe te Kthimi vetjak i Krishtit në fuqi dhe në lavdi. Parrullat e fjalimit, të cilat i aplikohen besimtarëve të çdo dispensacioni, janë: (1) kini kujdes (v 5, 23), tregoni kujdes (v 33); (2) mos u shqetësoni (v 7); (3) do të ngulmojë (v 13); (4) lutuni (v 18, 33); (5) kujdesuni (v 9), rrini zgjuar (v 33, 35, 37). 13:3-4 Fjalimi u parapri nga një pyetje që i bënë Pjetri, Jakobi, Gjoni dhe Andrea. Kur do të shkatërrohej tempulli dhe cila do të ishte shenja që do t’i paraprinte ngjarjes së profetizuar? Përgjigjja e Zotit përfshiu shkatërrimin e një tempulli të mëvonshëm, që do të ndodhte gjatë Mundimit të Madh, para Ardhjes së Tij të Dytë. 13:5-6 Së pari, ata duhej të kishin kujdes që të mos i mashtronte njeri duke u shtirë se ishte Mesia. Shumë krishtër të rremë do të shfaqeshin, siç vihet re në lulëzimin e kaq shumë kulteve, secili me antikrishtin e tij. 13:7-8 Së dyti, ata nuk duhej t’i interpretonin luftërat dhe ushtimat e luftërave si një shenjë të kohëve të fundit. Gjatë gjithë periudhës ndërmjetëse do të kishte konflikt ndërkombëtar. Përveç kësaj, do të kishte katastrofa të mëdha natyrore si tërmete, …zi buke dhe turbullira. Këto do të ishin vetëm të therurat paraprake të lindjes, që të shoqërojnë për tek një periudhë mundimi të pakrahasueshëm.C. Përndjekje e dishepujve (13:9-13)
13:9 Së treti, Zoti paratha prova të forta vetjake për ata që nuk do të tërhiqeshin në dëshminë e tyre për Të. Ata do të nxirreshin në gjyq përpara gjykatave fetare dhe civile. Ndërsa seksioni i aplikohet të gjitha periudhave të dëshmisë së krishterë, ai duket sikur i referohet në mënyrë të posaçme shërbesës së 144.000 besimtarëve judenj që do t’ua çojnë ungjillin e mbretërisë të gjitha kombeve të tokës para ardhjes së Krishtit për të mbretëruar. 13:10 Vargu 10 nuk duhet përdorur për të mësuar se ungjilli…duhet që t’u përhapet…gjithë popujvepërpara Rrëmbimit. Ai duhet të shpallet në mbarë botën [përpara Rrëmbimit] dhe ndoshta ai do të shpallet në mbarë botën, por të thuash se ai ka për t’u shpallur [përpara Rrëmbimit] do të thotë të pohosh diçka që Bibla nuk e thotë. Asnjë profeci s’ka nevojë që të përmbushet para Ardhjes së Krishtit për shenjtorët e Tij; Ai mund të vijë në çdo çast! 13:11 Zoti premtoi se besimtarëve të përndjekur nëpër procese gjyqësore për hir të Tij do t’u jepej ndihmë hyjnore për mbrojtjen e tyre. Ata nuk do të kishin nevojë për ta përgatitur përpara çështjen e tyre; ndoshta nuk do të ketë kohë. Fryma e Shenjtë do t’u jepte atyre pikërisht fjalët e duhura. Ky premtim nuk duhet përdorur si një justifikim për të mos përgatitur predikime apo mesazhe ungjillëzimi sot, por është një dorëzani në lidhje me ndihmën e mbinatyrshme në kohë kapar. Është një premtim për dëshmorë, jo për predikuesë! 13:12-13 Një veçori tjetër e ditëve të mundimit do të jetë tradhtia në shkallë të gjerë ndaj atyre që i janë besnikë Shpëtimtarit. Anëtarët e familjes do të shërbejnë si informues kundër besimtarëve. Një valë e madhe ndjenje kundër të krishterëve do ta pushtojë botën. Do të duhet guxim për të qëndruar të vërtetë para Zotit, por ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet. Kjo s’mund të ketë kuptimin se ata do ta marrin shpëtimin e përjetshëm për shkak të ngulmimit të tyre; ky do të ishte një ungjill i rremë. Gjithashtu nuk do të thotë se besimtarët besnikë do të shpëtohen nga vdekja fizike gjatë Mundimit, për arsye se tjetërkund ne lexojmë se shumë veta do ta vulosin dëshminë e tyre me gjakun e tyre. Ka mundësi që kuptimi të jetë se ngulmimi deri në fund do të jetë tregues i realitetit, që do të thotë se ai do t’i karakterizojë ata që janë vërtet të shpëtuar.D. Mundimi i Madh (13:14-23)
13:14-18 Vargu 14 shënon mesin e Periudhës së Mundimit, fillimin e Mundimit të Madh. Ne e dimë këtë duke e krahasuar këtë pasazh me Danielin 9:27. Në atë kohë, një idhull i madh e i urryeshëm do të ngrihet në tempull në Jerusalem. Njerëzit do të jenë të shtrënguar që ose ta adhurojnë atë ose të vriten. Sigurisht që besimtarët e vërtetë do të refuzojnë. Ngritja e këtij imazhi idhujtar do të shënojë fillimin e përndjekjes së madhe. Ata që e lexojnë dhe e besojnë Biblën do të dinë se ka ardhur koha që të ikin nga Judea. Nuk do të ketë kohë për të mbledhur plaçkat vetjake. Gratë shtatzëna dhe nënat me fëmijë në gji do të jenë në një pozitë tepër të pafavorshme. Nëse kjo ndodh në dimër, kjo do të shtonte rreziqe të mëtejshme. 13:19 Do të jetë një kohë mundimi më e madhe se çdo tjetër në të kaluarën apo në të ardhmen. Ky është Mundimi i Madh. Zoti Jezus nuk është duke folur këtu për atë lloj mundimi të përgjithshëm që besimtarët kanë ndeshur në çdo epokë. Kjo është një periudhë trazire të pashembullt në intensitetin e saj. Vini re që mundimi kryesisht është judaik në karakter. Ne lexojmë për tempullin (v 14, shih Mt. 24:15) dhe për Judenë (v 14). Është koha e ankthit të Jakobit (Jer. 30:7). Kisha nuk merret parasysh këtu. Ajo duhet të jetë marrë në qiell tashmë para se të fillojë Dita e Zotit (1 Thes. 4:13-18; shih 1 Thes. 5:1-3). 13:20 Rruzujt e zemërimit të madh të Perëndisë do të hidhen mbi botë në ato ditë. Do të jetë një kohë katastrofe, rrëmuje të plotë dhe gjakderdhjeje. Në fakt, kërdia do të jetë aq e madhe saqë Perëndia, në mënyrë të mbinatyrshme, do ta shkurtojë periudhën ditore; përndryshe askush s’do të mbijetonte. 13:21-22 Sërish Mundimi i Madh do të dëshmojë daljen e mesive të rremë. Njerëzit do të jenë aq të dëshpëruar saqë do të kthehen te kushdo që u premton atyre siguri, por besimtarët do ta dinë se Krishti nuk do të shfaqet pa zhurmë apo pa u lajmëruar. Edhe nëse këta krishtër të rremë do të bëjnë mrekulli të mbinatyrshme (siç do të bëjnë), të zgjedhurit nuk do të mashtrohen. Ata do ta kuptojnë se këto mrekulli janë të frymëzuara nga Satani. Mrekullitë nuk është se janë patjetër hyjnore. Ato përbëjnë shkëputje mbinjerëzore nga ligjet e njohura të natyrës, por mund të përfaqësojnë veprën e Satanit, të engjëjve ose të demonëve. Njeriut të Mëkatit do t’i jepet pushtet satanik për të kryer mrekulli (2 Thes. 2:9). 13:23 Kështu besimtarët duhet të kenë kujdes e të jenë të paralajmëruar.E. Ardhja e Dytë (13:24-27)
13:24-25 Pas atij mundimi, do të ketë turbullira frikësuese në qiej. Errësira do ta mbulojë tokën si ditën ashtu edhe natën. Yjet e qiellit do të bien dhe fuqitë që janë në qiej (forcat që i mbajnë trupat qiellor në orbitë) do të lëkunden. 13:26-27 Atëherë bota e tmerruar do ta shohë Birin e Njeriut duke u kthyer në tokë, tani jo si nazarenasi i përulur, por si Fitimtari i lavdishëm. Ai do të vijë në re, i shoqëruar nga një mori qeniesh engjëllore dhe shenjtorë të përlëvduar. Do të jetë një skenë tepër e fuqishme plot shkëlqim verbues. Ai do t’i nisë engjëjt e Tij për t’i mbledhur të zgjedhurit e Vet, domethënë të gjithë ata që e kanë njohur Atë si Zot dhe Shpëtimtar gjatë Periudhës së Mundimit. Nga njëri skaj i tokës te tjetri, nga Kina në Kolumbi, ata do të vijnë të shijojnë të mirat e mbretërimit të mrekullueshëm mijëvjeçar të Tij mbi tokë. Sidoqoftë armiqtë e Tij do të shkatërrohen në të njëjtën kohë.F. Shëmbëlltyra e fikut (13:28-31)
13:28 Fiku është një simbol (ose figurë) i kombit të Izraelit. Jezusi mësoi këtu se përpara Ardhjes së Dytë të Tij, fiku do të nxirrte gjethe. Në vitin 1948 u formua kombi i pavarur i Izraelit. Sot ai komb ushtron një ndikim mbi çështjet botërore që nuk është aspak në përpjestim me masën e tij. Mund të thuhet se Izraeli është “duke nxjerrë gjethet e tij.” Nuk ka ende fryt. Në të vërtetë nuk do të ketë fryt derisa Mesia të kthehet tek një popull që është gati për ta pranuar. 13:29 Formimi dhe rritja e kombit të Izraelit na thonë ne se Mbreti{{21}} është afër, te dera. Në qoftë se ardhja e Tij për të mbretëruar është kaq afër, sa më pranë është ardhja e Tij për Kishën! 13:30 Shpesh vargu 30 është kuptuar se donte të thoshte që të gjitha gjërat e profetizuara në këtë kapitull do të ndodhnin ndërsa njerëzit e kohës së Krishtit do të ishin ende gjallë. Kjo s’mund të ketë këtë kuptim sepse shumë nga ngjarjet, sidomos vargjet 24-27, thjesht nuk ndodhën në atë kohë. Disa të tjerë mendojnë se kuptimi i saj është se brezi që është në jetë kur fiku nxjerr gjethet e tij, domethënë kur u formua kombi i Izraelit më 1948, do të jetë brezi që do të shikojë Ardhjen e Dytë. Ne parapëlqejmë një këndvështrim tjetër. Ky brez mund të ketë kuptimin “kjo racë.” Ne besojmë se kuptimi është: “kjo racë judaike e karakterizuar nga mosbesimi dhe refuzimi i Mesias.” Dëshmia e historisë është se “ky brez” nuk ka kaluar. Kombi, si tërësi, jo vetëm që ka mbijetuar si një popull i veçantë, por ka vazhduar në antipatinë e tij të rrënjosur ndaj Zotit Jezus. Jezusi paratha se kombi dhe karakteristika e tij kombëtare do të vazhdonin deri në Ardhjen e Dytë të Tij. 13:31 Zoti ynë theksoi sigurinë absolute të secilës prej parathënieve të Tij. Qielli atmosferik dhe qielli yjor do të kalojnë. Vetë toka do të tretet, por çdo fjalë që Ai tha do të realizohet.G. Dita dhe ora e panjohur (13:32-37)
13:32 Jezusi tha: “Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.” Dihet mjaft mirë se ky varg është përdorur nga armiqtë e ungjillit për të vërtetuar se Jezusi s’ishte tjetër veçse një njeri me një njohje të kufizuar sikurse ne. Gjithashtu ai është përdorur nga besimtarë të sinqertë, por të shkujdesur për të demonstruar se Jezusi e zbrazi Veteveten nga atributet hyjnore kur Ai erdhi në botë si njeri. Asnjëri nga këto interpretime nuk është i vërtetë. Jezusi ishte dhe është edhe Perëndi edhe Njeri. Ai i kishte të gjitha atributet hyjnore dhe të gjitha karakteristikat e përsosura njerëzore. Është e vërtetë që hyjnia e Tij ishte mbuluar në një trup të mishtë, por megjithatë ajo ishte aty. Nuk ka patur kurrë një çast kur Ai të mos ketë qenë plotësisht Perëndi. Atëherë si mund të thuhet për Të që Ai nuk e di kohën e Ardhjes së Dytë të Tij? Ne besojmë se çelësi gjendet te Gjoni 15:15: “…shërbëtori nuk e di ç’bën i zoti….” Si një Shërbëtor i përsosur, Zotit Jezus nuk i ishte dhënë të dinte kohën e Ardhjes së Tij. Sigurisht që si Perëndi Ai e dinte atë, por si Shërbëtor, Atij nuk i ishte dhënë që ta dinte atë për t’ua zbuluar të tjerëve. James H. Brookes e shpjegon këtë në këtë mënyrë:Nuk është një mohim i gjithëdijes hyjnore të Zotit tonë, por thjesht një pohim se në ekonominë e shpengimit njerëzor nuk ishte për Të që Ai të dinte “kohët dhe momentet e përshtatshme, që ka përcaktuar Ati me autoritetin e Vet” (Veprat e Apostujve 1:7). Jezusi e dinte se Ai do të vinte prapë dhe shpesh foli për ardhjen e dytë të Tij, por nuk i takonte përgjegjësisë të Tij si Bir që të përcaktojë datën e kthimit të Tij. Kështu që Ai mund ta nxirrte atë para ndjekësve të Tij si objekt pritjeje dhe dëshire të vazhdueshme{{22}}.13:33-37 Kapitulli mbyllet me një thirrje për të qëndruar syhapur dhe në lutje duke patur parasysh Kthimin e Zotit. Fakti që ne nuk e dimë kohën e caktuar duhet të na mbajë vigjilentë. Një situatë e ngjashme është e zakonshme në jetën e përditshme. Një burrë largohet nga shtëpia për një udhëtim të gjatë. Ai u lë udhëzime shërbëtorëve të tij dhe i thotë rojtarit gjithashtu që të ketë mendjen kur ai të kthehet. Jezusi e krahasoi Vetveten me njeriun udhëtues. Ai mund të kthehet në çdo orë të natës. Njerëzit e Tij, duke shërbyer si roje nate, nuk duhet të gjenden në gjumë. Kështu Ai la këtë fjalë për të gjithë popullin e Tij: “Rrini zgjuar!”
[previous][next]
[[21]](13:29) Përemri (rasa emërore) në greqisht këtu është thjesht mbarimi i foljes “është” (estin), e cila në kontekst mund të ishte “Ai” (Krishti) ose “ai” (vera – ngjarjet e parathëna). Kuptimet rezultuese janë të ngjashme.[[21]]
[[22]] James H. Brookes, I Am Coming, fq. 40.[[22]]