Udhëtimi i Shërbëtorit për në Jeruzalem (Marku 9-10)

A. Shpërfytyrimi i Shërbëtorit (9:1-13)

Pasi kishte parashtruar përpara dishepujve shtegun e turpit, të vuajtje, e të vdekjes, që Ai do të ndërmerrte dhe pasi i kishte ftuar ata që ta ndiqnin Atë me jetë flijimi dhe vetëmohimi, tani Zoti jep anën tjetër të tablos. Megjithëse dishepullimi do t’u kushtojë atyre shtrenjtë në këtë jetë, ai do të shpërblehej pas pak me lavdi. 9:1-7 Zoti filloi duke thënë se disa prej dishepujve nuk do ta shijonin vdekjen para se të shihnin të vinte me fuqi mbretëria e Perëndisë. Ai e kishte fjalën për Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin. Në Malin e Shpërfytyrimit, ata panë mbretërinë e Perëndisëfuqi. Argumenti i pasazhit është se çfarë do që ne vuajmë tani për hir të Krishtit do të na ripaguhet me bollëk kur Ai të kthehet e kur shërbëtorët e Tij të shfaqen me Të në lavdi. Rrethanat që mbizotëruan mbi Mal. kumtojnë Mbretërimin Mijëvjeçar të Krishtit.
  1. Jezusi u shpërfytyrua; një shkëlqim verbues rrezatohej nga Personi i Tij. Edhe rrobat e Tij ishin të shndritshme, më të bardha se sa ç’mund t’i zbardhë ndonjë zbardhues.Gjatë Ardhjes së Tij të Parë, lavdia e Krishtit ishte e mbuluar. Ai erdhi në përulje, një Njeri i Dhembjeve dhe i njohur me pikëllimin. Por Ai do të kthehet në lavdi. Askush s’do ta ngatërrojë Atë atëherë. Ai do të jetë dukshëm Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve.
  2. Atje ishin Elia me Moisiun. Ata përfaqësojnë ose (a) shenjtorët e DhV, ose (b) ligjin (Moisiu) dhe profetët (Elia), ose (c) shenjtorët që kanë vdekur dhe ata që kanë qenë transferuar.
  3. Atje ishin Pjetri, Jakobi dhe Gjoni. Ata mund të përfaqësojnë shenjtorët e DhR në përgjithësi ose ata që do të jenë gjallë kur mbretëria të jetë themeluar.
  4. Jezusi ishte Personi qendror. Ideja e Pjetrit për të bërë tri çadra u qortua nga reja dhe një prej qiellit. Krishti duhet të ketë përparësinë mbi të gjitha gjërat. Ai do të jetë lavdia e vendit të Emanuelit.
  5. Reja mund të ketë qenë shekinah ose reja e lavdisë që qëndroi në Vendin Shumë të Shenjtë në tabernakull dhe në tempull në kohët e DhV. Ajo ishte shprehja e dukshme e pranisë së Perëndisë.
  6. Zëri ishte zëri i Perëndisë Atë, duke njohur Krishtin si Birin e Tij të dashur.
9:8 Kur reja u ngrit, ata nuk panë më asnjëri, përveç Jezusit. Ishte një figurë e vendit të pashembullt, të lavdishëm e të lartë që Ai do të ketë kur mbretëria të vijë në fuqi dhe të cilin Ai duhet të ketë në zemrat e ndjekësve të Tij në kohën e tanishme. 9:9-10 Kur po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi që të mos diskutonin për çfarë kishin parë, derisa Ai të ringjallej prej së vdekuri. Kjo pikë e fundit i bëri ata që të vrisnin mendjen. Ndoshta ata s’e kishin kapur akoma që Ai do të vritej e do të ringjallej sërish. Ata pyesnin veten se ç’donte të thoshte të ringjallesh prej së vdekurish. Si judenj, ata e dinin të vërtetën se të gjithë do të ringjalleshin. Po Jezusi po fliste për një ringjallje përzgjedhëse. Ai do të ringjallej nga mesi i të vdekurve. Jo të gjithë do të ringjalleshin kur do të ringjallej Ai. Kjo është një e vërtetë që gjendet vetëm në DhR. 9:11 Dishepujt kishin një problem tjetër. Ata sapo kishin patur një parapremierë të mbretërisë. Vallë nuk kishte parathënë Malakia se duhet të vijë Elia si pararendës i Mesias, duke filluar rivendosjen e të gjitha gjërave dhe duke përgatitur terrenin për themelimin e mbretërimit universal të Tij (Mal. 4:5)? Ku ishte Elia? A do të vinte më parë Ai, sikurse skribët thonin se ai do të bënte? 9:12-13 Jezusi, në të vërtetë, iu përgjigj: “Me të vërtetë është fakt që Elia ka për të ardhur më parë, por një pyetje më e rëndësishme dhe më aktuale është kjo: ‘A nuk parathonë Shkrimet e DhV për Birin e Njeriut se do të kalojë vuajtje të mëdha dhe do të trajtohet me përçmim?’ Për sa i përket Elias, Elia erdhi (në personin dhe shërbesën e Gjon Pagëzorit), por njerëzit e trajtuan atë pikërisht ashtu siç deshën ata, sikurse njerëzit trajtuan Elian. Vdekja e Gjon Pagëzorit ishte një shenjë e përparshme e asaj që ata do t’i bënin Birit të Njeriut. Ata e hodhën poshtë pararendësin; ata do të hedhin poshtë edhe Mbretin.”

B. Shërimi i një djali të pushtuar nga demoni (9:14-29)

9:14-16 Dishepujve nuk iu lejua që të qëndronin në majë të malit të lavdisë. Poshtë në luginë ishte njerëzimi rënkues dhe ngashëryes. Një botë nevojtare shtrihej te këmbët e tyre. Kur Jezusi dhe tre dishepujt arritën në rrëzë të malit, midis skribëve, turmës dhe dishepujve të tjerë po bëhej një diskutim i zjarrtë. Me t’u dukur Zoti, bashkëbisedimi u ndërpre dhe turma nxitoi tek Ai. “Për çfarë po diskutoni me dishepujt e mi?”, pyeti Ai. 9:17-18 Një baba i merakosur, në gjendje të eksituar, i tregoi Zotit për djalin e tij, të pushtuar nga një frymë memece. Demoni e hidhte djalin për tokë, e bënte atë që t’i kërcëllinte dhëmbët dhe të shkumëzonte nga goja. Këto spazma të dhunshme po bënin që djali të konsumohej. Babai i tij u kishte kërkuar ndihmë dishepujve, por ata s’kishin mundur dot. 9:19 Jezusi i qortoi dishepujt për mosbesimin e tyre. A nuk u kishte dhënë pushtet Ai për të dëbuar demonët? Deri kur do t’i duhej Atij që të ishte me ta para se ata të përdornin autoritetin që Ai u kishte dhënë? Deri kur do t’i duhej Atij të pajtohej me jetë të pafuqishme që thyhen? 9:20-23 Kur ata ia prunë djalin Zotit, demoni shkaktoi në një mënyrë të veçantë një krizë serioze. Zoti pyeti babanë e atij se sa kohë ka që ndodh kjo gjë. Ndodhte që në fëmijëri, shpjegoi ai. Këto spazma shpesh e kishin hedhur djalin në zjarr dhe në ujë. Disa herë kishte shpëtuar për një qime nga vdekja. Pastaj babai i kërkoi Zotit duke iu lutur të bënte diçka nëse mundte. Një thirrje shpirtcopëtuar, e sëmbuar nga vitet e dëshpërimit. Jezusi i tha atij se çështja nuk ishte tek aftësia e Tij për të shëruar, por tek aftësia e babait për të besuar. Besimi në Perëndinë e gjallë gjithmonë shpërblehet. S’ka rast që të jetë tepër i vështirë për Të. 9:24 Babai shprehu paradoksin e besimit dhe të mosbesimit të përjetuar nga njerëzit e Perëndisë në të gjitha epokat. “Unë besoj, o Zot; ndihmo mosbesimin tim.” Ne duam të besojmë e megjithatë shohim se jemi plot me dyshim. Ne e urrejmë këtë kontradiktë të brendshme të paarsyeshme e megjithatë duket sikur luftojmë kot kundër saj. 9:25-27 Kur Jezusi e urdhëroi frymën e ndyrë që të largohej nga djali, pati edhe një spazëm tjetër të tmerrshme dhe atëherë trupi i vogël u shtendos si të ishte i vdekur. Shpëtimtari e çoi atë dhe ia ktheu babait të tij. 9:28-29 Më vonë, kur Zoti ynë ishte vetëm me dishepujt e Vet, në shtëpi, ata e pyetën veçmas se pse nuk kishin qenë në gjendje të bënin atë gjë. Ai iu përgjigj se disa mrekulli kërkojnë lutje dhe agjërim. Cili prej nesh nuk është përballur ndonjë herë në shërbimin e krishterë me një ndjenjë mundjeje dhe dështimi? Ne kemi punuar pa u lodhur dhe me ndërgjegje e megjithatë nuk ka patur tregues se Fryma e Perëndisë është duke vepruar me fuqi. Edhe ne dëgjojmë fjalët e Shpëtimtarit tek na kujtojnë: “Ky lloj…” etj.

C. Jezusi parathotë përsëri vdekjen dhe ringjalljen e Tij (9:30-32)

9:30 Vizita e Zotit tonë në Çezare të Filipit kishte përfunduar. Tani Ai kaloi nëpër Galile, një udhëtim që do ta çonte Atë për në Jerusalem dhe te kryqi. Ai dëshironte të udhëtonte pa rënë në sy. Pjesa më e madhe e shërbesës së Tij kishte përfunduar. Tani Ai donte të kalonte kohë me dishepujt, duke i instruktuar dhe përgatitur ata për atë që i priste. 9:31-32 Ai ua tha atyre shkoqur se Ai do të arrestohej e do të vritej dhe se Ai do të ringjallej ditën e tretë. Në një farë mënyre, ata nuk e kapnin këtë dhe kishin frikë ta pyesnin. Edhe ne shpesh kemi frikë të pyesim e kështu humbasim një bekim.

D. Madhështia e Mbretërisë (9:33-37)

9:33-34 Kur arritën te shtëpia në Kapernaum, ku ata do që rrinin, Jezusi i pyeti ata se për çfarë kishin qenë duke debatuar gjatë rrugës. Atyre u vinte turp të pranonin se ata kishin qenë duke diskutuar se cili prej tyre ishte më i madhi. Ndoshta Shpërfytyrimi kishte rigjallëruar shpresat e tyre për një mbretëri të afërt dhe ata po përgatisnin veten e tyre për pozicione nderi në të. Të copëton zemrën kur kupton se pikërisht atëherë kur Jezusi kishte qenë duke u folur atyre për vdekjen e Tij të pashmangshme, ata kishin qenë duke vlerësuar vetveten si më të mirë se të tjerët. Zemra e njeriut është mashtruese dhe jashtëzakonisht e ligë mbi të gjitha gjërat, sikurse tha Jeremia. 9:35-37 Jezusi, duke e ditur se për çfarë kishin debatuar, u dha atyre një mësim mbi përulësinë. Ai tha se mënyra për të qenë i pari ishte zënia vullnetarisht e vendit më të ulët të shërbesës dhe të jetuarit për të tjerët e jo për veten. Një fëmijë i vogël u nxor përpara tyre dhe i rrokur në krahë nga Zoti Jezus. Ai theksoi se një mirësi e treguar në emrin e Tij ndaj më pak të çmuarve, më pak të njohurve, ishte një akt madhështor. Ishte sikur të ishte treguar mirësi ndaj Vetë Zotit. Po! Madje edhe ndaj Perëndisë Atë. “O i bekuar Zot Jezus! Mësimi Yt gërmon dhe parashtron këtë zemër mishore që kam. Thyej veten time dhe le të jetohet jeta Jote përmes meje.”

E. Shërbëtori ndalon sektarizmin (9:38-42)

Ky kapitull duket plot dështime. Pjetri foli pa takt te Mali i Shpërfytyrimit (v 5-6). Dishepujt nuk arritën të dëbonin demonin memec (v 18). Ata debatuan se kush ishte më i madhi (v 34). Në vargjet 38-40, ne i shohim ata duke shfaqur një frymë sektare. 9:38 Ishte Gjoni, i dashuri, ai që i raportoi Jezusit se ata kishin gjetur një njeri që i dëbonte demonët në emrin e Tij. Dishepujt i thanë atij që të mos e bënte më sepse ai nuk e njëjtësonte vetveten me ta. Njeriu nuk po mësonte doktrinë të rreme dhe nuk po jetonte në mëkat. Ai thjesht nuk ishte bërë bashkë me dishepujt.

Ata vizatuan një rreth që më linte jashtë; Rebel, heretik, për t’u përfillur aspak kundërshtuar përçmuar; Por dashuria dhe unë kishim mençurinë për të fituar; Ne vizatuam një rreth që i fuste merrte përfshinte brenda.

9:39 Jezusi tha: “Mos e ndaloni atë. Në qoftë se ai ka aq besim tek unë sa ta përdorë emrin tim për të dëbuar demonët, ai është në anën time dhe është duke vepruar kundër Satanit. Ai nuk ka gjasë të kthehet shpejt nga ana tjetër e të flasë keq për mua apo të jetë armiku im.” 9:40 Vargu 40 duket sikur është në kundërshtim me Mateun 12:30 ku Jezusi tha: “Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shkapërderdh.” Por këtu nuk ka konflikt të vërtetë. Te Mateu, çështja ishte nëse Jezusi ishte Biri i Perëndisë apo i fuqizuar nga demoni. Mbi një çështje kaq themelore, kushdo që nuk është me Të është duke vepruar kundër Tij. Këtu te Marku, çështja nuk ishte Personi apo vepra e Krishtit, por ajo e kolergëve në shërbimin e Zotit. Këtu duhet të ketë tolerancë dhe dashuri. Kushdo që nuk është kundër Tij në shërbim duhet të jetë kundër Satanit e si rrjedhojë nga ana e Krishtit. 9:41 Edhe mirësia më e vogël e bërë në emrin e Krishtit do të shpërblehet. Një gotë ujë që i jepet një dishepulli sepse ai i përket Krishtit nuk do kalojë pa u vënë re. Të dëbosh një demon në emrin e Tij është më tepër diçka e bujshme. Të japësh një gotë me ujë është gjë e zakonshme, por të dyja janë të çmueshme për Të kur bëhen për lavdinë e Tij. “Sepse jeni të Krishtit” është kordoni që duhet t’i lidhë besimtarët së bashku. Këto fjalë, nëse mbahen parasysh, do të na lirojnë ne nga fryma ndarëse, grindjet e vogla dhe xhelozia në shërbimin e krishterë. 9:42 Shërbëtori i Zotit duhet të shqyrtojë vazhdimisht se çfarë efekti do të kenë fjalët dhe veprimet e tij mbi të tjerët. Ekziston mundësia që ta pengosh një bashkëbesimtar, duke i shkaktuar një dëmtim frymëror për tërë jetën. Do të ishte më mirë të mbytesh me një gur mulliri në qafë se sa të jesh shkak që një i vogël të shkasë nga shtegu i shenjtërisë dhe i së vërtetës.

F. Vetëdisiplinimi i pamëshirshëm (9:43-50)

9:43 Vargjet mbetëse të kapitullit theksojnë nevojshmërinë e disiplinës dhe të mohimit. Ata që marrin shtegun e dishepullimit të vërtetë duhet që vazhdimisht të luftojnë me dëshirat dhe qejfet natyrore. T’i ushqesh ato do të thotë shkatërrim. Kontrolli mbi to siguron fitoren frymërore. Zoti foli për dorën, këmbën dhe syrin, duke shpjeguar se do të ishte më mirë të humbasësh njërën nga këto se sa të ngecesh prej tyre në Gehena. Ia vlen të bësh çdo flijim për t’ia arritur qëllimit. Dora mund të sugjerojë veprat tona, këmba ecjen tonë, ndërsa syri gjërat që ne dëshirojmë. Këto janë pika të fuqishme e të rrezikshme. Po të mos trajtohen me rreptësi, ato mund të të çojnë në shkatërrim të përjetshëm. A mëson ky pasazh se besimtarët e vërtetë mund të humbasin përfundimisht dhe mund ta kalojnë përjetësinë në ferr? Duke e marrë veças mund të të japë këtë ide, por duke e marrë në përputhje me mësimin e DhR, ne duhet të arrijmë në përfundimin se kushdo që shkon në ferr nuk ka qenë aspak një i krishterë i vërtetë ndonjëherë. Një person mund të rrëfejë se ka lindur sërish dhe mund të duket se po vazhdon mirë për ca kohë, por në qoftë se ai person ia plotëson dëshirat mishit në mënyrë të vazhdueshme, është e qartë që ai s’ka qenë kurrë i shpëtuar. 9:44-48 Zoti flet herë pas here për ferrin si një vend ku krimbi i tyre nuk vdes dhe zjarri nuk fiket. Është jashtëzakonisht solemne [16]. Po ta besonim me të vërtetë atë, ne nuk do të jetonim për gjërat, por për shpirtrat e pavdekshëm. “Më jep një pasion për shpirtrat, o Zot!” Fatmirësisht, nga ana morale nuk është kurrë e nevojshme të presim një dorë, një këmbë apo të nxjerrim një sy. Jezusi nuk sugjeroi që ne duhej të praktikonim ekstreme të tilla. Me pak fjalë Ai tha se do të ishte më mirë të sakrifikonim përdorimin e këtyre organeve se sa të zvarriteshim në Gehena nga abuzimi i tyre. 9:49 Vargjet 49 dhe 50 janë veçanërisht të vështirë, prandaj ne do t’i shqyrtojmë ato pikë për pikë. “Sepse gjithkush duhet të kripet me zjarr.” Tre problemet kryesore janë: (1) Për cilin zjarr bëhet fjalë? (2) Çfarë do të thotë të kripet? (3) Gjithkush janë të shpëtuarit, të pashpëtuarit apo të dyja palët? Zjarr mund të ketë kuptimin Gehena (sikurse në v 44, 46, 48) ose gjykim i çdo lloji, duke përfshirë gjykimin hyjnor të veprave të një besimtari dhe vetëgjykimin. Fjala kripë simbolizon atë që ruan, pastron dhe ndreq. Në vendet lindore, ajo është edhe një shenjë besnikërie, miqësie ose besimi ndaj një premtimi. Nëse gjithkush do të thotë të pashpëtuarit, atëherë mendimi është se ata do të ruhen në flakët e ferrit, që do të thotë se ata do të vuajnë ndëshkimin e përjetshëm. Nëse gjithkush bën fjalë për besimtarët, pasazhi mëson se ata duhet: (1) të pastrohen përmes flakëve të ndëshkimit të Perëndisë në këtë jetë; ose (2) ta ruajnë veten e tyre nga korruptimi duke praktikuar vetëdisiplinën dhe vetëmohimin; ose (3) të provohen në Gjyqin e Krishtit. “Dhe çdo fli duhet të kripet me kripë.” Kjo pikë [17] është cituar nga Lev. 2:13 (shih gjithashtu Num. 18:19 dhe 2 i Kronikave 13:5). Kripa, një emblemë e besëlidhjes midis Perëndisë dhe popullit të Tij, ishte menduar t’i kujtonte popullit se besëlidhja ishte një marrëveshje solemne për t’u ruajtur e pashkelur. Duke ia paraqitur trupat tanë Perëndisë si një fli e gjallë (Rom. 12:1-2), ne duhet ta ndreqim flinë me kripë duke e bërë atë një zotim të pakthyeshëm. 9:50 “Kripa është e mirë.” Të krishterët janë kripa e tokës (Mt. 5:13). Perëndia pret që ata të ushtrojnë një ndikim të shëndoshë e pastrues. Për sa kohë që përmbushin dishepullimin e tyre, ata janë një bekim për të gjithë. “Por nëse kripa bëhet e amësht, me se do t’i jepni shijen?” Kripa pa shije është e pavlerë. Një i krishterë që nuk është duke zbatuar detyrat e tij si një dishepull i vërtetë është i pafrytshëm dhe i paefektshëm. Nuk mjafton të kesh bërë një fillim të mirë në jetën e krishterë. Po të mos ketë vetëgjykim të vazhdueshëm dhe rrënjësor, fëmija i Perëndisë nuk është duke arritur qëllimin për të cilin Perëndia e shpëtoi. “Kini kripë në vetvete.” Ji një fuqi për Perëndinë në botë. Ushtro një ndikim të dobishëm për lavdinë e Krishtit. Mos tolero asgjë në jetën tënde që mund të zvogëlojë efektshmërinë tënde për Të. “Dhe jetoni në paqe njëri me tjetrin.” Kjo duket se u referohet vargjeve 33 dhe 34 ku dishepujt kishin debatuar se cili prej tyre ishte më i madhi. Krenaria duhet flakur tutje dhe duhet zëvendësuar nga shërbesa e përulur për të gjithë. Si përmbledhje, vargjet 49 dhe 50 duket sikur e përshkruajnë jetën e besimtarit si një fli për Perëndinë. Ajo ndreqet me zjarr, që do të thotë se përzihet me vetëgjykim dhe vetëmohim. Ajo ndreqet me kripë, që do të thotë se ofrohet me një garanci devotshmërie të pandryshueshme. Në qoftë se besimtari zmbrapset në zotimet e tij ose nuk arrin t’i trajtojë prerazi dëshirat e mishit, atëherë jeta e tij do të jetë e pashijshme, e padenjë dhe e pakuptimtë. Prandaj ai duhet të çrrënjosë nga jeta e tij çdo gjë që do të binte ndesh me misionin e tij të caktuar hyjnisht dhe duhet të mbajë marrëdhënie paqësore me besimtarët e tjerë.

G. Martesa dhe divorci (10:1-12)

10:1 Nga Galilea Zoti ynë udhëtoi në jug drejt Peresë, krahinës në anën lindore të Jordanit. Shërbesa e tij pereane vazhdon deri te Mt. 10:45. 10:2 Farisenjtë e gjetën shpejt. Ata po ndërhynin për vrasjen, si një kope ujqërish. Në një orvajtje për ta zënë në grackë, ata i kërkuan Atij nëse divorci ishte diçka e ligjshme apo jo. Ai u bëri referim atyre te Pentateuku [5 librat e parë në Bibël]. “Çfarë ju ka urdhëruar Moisiu?” 10:3-9 Ata e shmangën pyetjen e Tij duke pohuar atë që Moisiu ka lejuar. Ai lejoi që një burrë ta ndante gruan e tij, parashikoi që ai t’i jepte asaj një letër të shkruar të shkurorëzimit, por ky nuk ishte ideali i Perëndisë. Ishte lejuar vetëm për shkak të ngurtësisë së zemrave të njerëzve. Plani hyjnor i bashkonte burrë e grua për deri sa të ishin gjallë. Kjo të kthen te krijimi i sekseve nga Perëndia. Një burrë i braktis prindërit e tij dhe bashkohet në martesë në mënyrë të tillë saqë ai dhe gruaja e tij janë një mish. Kështu, të bashkuar nga Perëndia, ata nuk duhet të ndahen nga dekreti njerëzor. 10:10 Në dukje kjo ishte e vështirë të pranohej edhe nga dishepujt e Tij. Në atë të kohë, gratë nuk kishin një vend nderi apo sigurie. Shpesh ato trajtoheshin me pak më shumë se sa përçmim. Një burrë mund ta ndante gruan e tij nëse ai ishte i irrituar me të. Ajo s’kishte se kujt t’i drejtohej. Në shumë raste, ajo trajtohej si një copë pronë. 10:11-12 Kur dishepujt e pyetën Zotin më tej, Ai u tha me ton plot nënkuptim se rimartesa pas divorcit ishte shkelje kurore, qofshin burri apo gruaja ata që bënin divorcin. I marrë më vete, ky varg do të tregonte se divorci ndalohet në çdo rrethanë, por te Mateu 19:9, Ai bëri një përjashtim. Në rastin kur njëri partner ka qenë fajtor për imoralitet, tjetri lejohet të bëjë divorc dhe me sa duket është i lirë të rimartohet. Ka mundësi gjithashtu që 1 e Korintasve 7:15 ta lejojë divorcin kur partneri jobesimtar braktis gruan e krishterë. Sigurisht, ekzistojnë vështirësi në lidhje me të gjithë subjektin e divorcit e të rimartesës. Njerëzit krijojnë lëmshe martesore aq të koklavitura saqë duhet urtësia e një Salomoni për t’i zgjidhur. Mënyra më e mirë për t’i shmangur këto lëmshe është shmangia e divorcit. Divorci shkakton turbullim dhe vë një pikëpyetëse mbi jetët e atyre që janë të përfshirë. Kur persona të divorcuar kërkojnë përbashkësi në një kishë lokale, pleqtë duhet ta rishikojnë çështjen në druajtjen e Perëndisë. Çdo rast është i ndryshëm dhe duhet shqyrtuar individualisht. Ky paragraf demonstron interesim, shqetësim, dhe merak jo vetëm për shenjtërinë e martesës, por edhe për të drejtat e grave. Krishterimi u jep grave një pozicion nderi që nuk gjendet ndër fetë e tjera.

H. Bekimi i fëmijëve të vegjël (10:13-16)

10:13 Tani ne shikojmë përkujdesjen e Zotit Jezus për fëmijët e vegjël. Prindërit, që i prunë fëmijët e tyre për t’u bekuar nga Bariu Mësues, u përzunë nga dishepujt. 10:14-16 Zoti, shumë i indinjuar, shpjegoi se mbretëria e Perëndisë u përket fëmijëve të vegjël si dhe atyre që kanë besim dhe përulësi fëminore. Të rriturit duhet të bëhen si fëmijët e vegjël në mënyrë që të hyjnë në mbretëri. George MacDonald e kishte zakon të thoshte se ai nuk besonte në Krishterimin e një njeriu nëse djem dhe vajza nuk gjendeshin kurrë duke luajtur rreth derës së tij. Sigurisht që këto vargje duhet ta prekin shërbëtorin e Zotit me rëndësinë e mbërritjes tek të vegjl me Fjalën e Perëndisë. Mendjet e fëmijëve janë më të ndikueshme dhe thithin më shumë. W. Graham Scroggie ka thënë: “Ji më i miri që je dhe jep më të mirën që ke për fëmijët.”

I. Djaloshi i pasur sundimtar (10:17-31)

10:17 Një i ri e ndërpreu Zotin me një pyetje të sinqertë në dukje. Duke iu drejtuar Jezusit si “Mësues i mirë,” ai pyeti se çfarë i duhej të bënte për të trashëguar jetën e përjetshme. 10:18 Jezusi u kap tek fjalët “Mësues i mirë.” Ai nuk e refuzoi titullin, por e përdori për të vënë në provë besimin e personit. Vetëm Perëndia është i mirë. A ishte i gatshëm pasaniku për ta rrëfyer Zotin Jezus si Perëndi? Në dukje jo. 10:19-20 Pastaj Shpëtimtari përdori ligjin për të krijuar njohjen e mëkatit. Njeriu kishte ende iluzionin se ai mund ta trashëgonte mbretërinë mbi parimin e të bërit. Atëherë e la atë t’i bindej ligjit, i cili i thoshte atij se çfarë të bënte. Zoti ynë citoi pesë urdhërimet që kanë të bëjnë kryesisht me marrëdhëniet tona me shoqërinë. Këto pesë urdhërime në të vërtetë thonë: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.” Njeriu deklaroi se i kishte zbatuar ato që nga fëmijëria e tij. 10:21-22 Po a e donte ai me të vërtetë të afërmin e tij si vetveten? Nëse po, le ta vërtetonte ai këtë duke shitur të gjithë pronën e tij dhe duke ua dhënë paranë të varfërve. Oh, këtu ndryshon çështja. Ai u largua me keqardhje, sepse kishte shumë pasuri. Zoti Jezus nuk donte të thoshte se ky njeri mund të ishte shpëtuar duke i shitur pasuritë e tij dhe duke bërë bamirësi me të ardhurat. Ka vetëm një udhë shpëtimi dhe ajo është besimi në Zotin. Por që të shpëtohet, një njeri duhet të pranojë se ai është një mëkatar, që dështon në zbatimin e kërkesave të shenjta të Perëndisë. Zoti e ktheu atë te Dhjetë Urdhërimet për të prodhuar bindjen për mëkat. Mosgatishmëria e të pasurit për të ndarë pasurinë e tij tregoi se ai nuk e donte të afërmin e tij si vetveten. Ai duhej të kishte thënë: “Zot, nëse është kjo ajo që kërkohet, atëherë unë jam një mëkatar. Unë nuk mund ta shpëtoj veten time me përpjekjet e mia, prandaj unë të kërkoj Ty që të më shpëtosh me anë të hirit Tënd.” Por ai e donte pasurinë e tij aq shumë. Ai nuk ishte i gatshëm të hiqte dorë prej saj. Ai nuk pranoi të thyhej. Kur Jezusi i tha këtij njeriu që të shiste gjithçka, Ai nuk po e jepte këtë si udha e shpëtimit. Ai po i demonstronte njeriut se ai kishte thyer ligjin e Perëndisë dhe prandaj kishte nevojë që të shpëtohej. Nëse ai do t’i ishte përgjigjur udhëzimit të Shpëtimtarit, atij do t’i ishte dhënë udha e shpëtimit. Por ekziston një problem në këtë mes. Ne që jemi besimtarë, a duhet ta duam të afërmin tonë si vetveten? A na thotë Jezusi ne: “Shiti të gjitha ato që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell, pastaj eja, merre kryqin tënd dhe më ndiq?” Secili duhet të përgjigjet për vete, por përpara se ta bëjë këtë, ai duhet të marrë parasysh faktet e pashmangshme në vijim:
  1. Mijëra njerëz vdesin çdo ditë nga uria.
  2. Më se gjysma e botës nuk e ka dëgjuar kurrë lajmin e mirë.
  3. Të mirat tona materiale mund të përdoren tani për të lehtësuar nevojën fizike dhe frymërore të njeriut.
  4. Shembulli i Krishtit na mëson se ne duhet të bëhemi të varfër që të tjerët të bëhen të pasur (2 e Korintasve 8:9).
  5. Shkurtësia e jetës dhe afërsia e ardhjes së Zotit na mësojnë që t’i vëmë paratë tona tani në veprim për Të. Mbasi që Ai të vijë do të jetë tepër vonë.
10:23-25 Ndërsa Ai pa pasanikun të zhdukej në mes të turmës, Jezusi vuri në dukje vështirësinë e njerëzve të pasur për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë. Dishepujt mbetën të çuditur nga kjo vërejtje; ata i lidhnin pasuritë me bekimin e Perëndisë. Kështu Jezusi përsëriti: “O bij, sa e vështirë është që të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që mbështeten te pasuria [18].” Në fakt, Ai vazhdoi: “Është më e lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e një gjilpëre se sa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë.” 10:26-27 Kjo i bëri dishepujt të pyesnin se kush vallë mund të shpëtohet. Si judenj duke jetuar nën ligj, ata me të drejtë i shihnin pasuritë si një tregues i bekimit të Perëndisë. Nën kodin Moisian, Perëndia u premtonte begati atyre që i bindeshin Atij. Dishepujt arsyetonin se nëse një person i pasur nuk mund të hynte në mbretëri, atëherë askush tjetër nuk do të mundte. Jezusi u përgjigj se ajo që nga ana njerëzore është e pamundur, nga ana hyjnore është e mundur. Çfarë do të nxjerrim ne si përfundim nga mësimi i këtij pasazhi? Pikë së pari, është veçanërisht e vështirë për njerëzit e pasur që të shpëtohen (v 23) meqenëse këta njerëz priren të duan pasurinë e tyre më shumë se sa Perëndinë. Më fort ata do të linin Perëndinë se sa paratë e tyre. Ata mbështeten te pasuritë e jo te Zoti. Për sa kohë që të ekzistojnë këto kushte, ata s’mund të shpëtohen. Ishte e vërtetë në DhV që pasuritë ishin një shenjë e favorit të Perëndisë. Kjo tani ka ndryshuar. Në vend të shenjës si bekime të Perëndisë, pasuritë janë një provë e devotshmërisë së njeriut. Një deve mund të kalojë nga vrima e gjilpërës më me lehtësi se sa një i pasur mund të kalojë përmes derës së mbretërisë. Duke folur nga ana njerëzore, një i pasur thjesht nuk mund të shpëtohet. Dikush mund të kundërshtojë këtu se, nga ana njerëzore, askush nuk mund të shpëtohet. Kjo është e vërtetë. Por kjo është akoma më e vërtetë në rastin e një të pasuri. Ai përballon pengesa për të cilat i varfëri nuk është i vetëdijshëm. Perëndia i mamonës [paras] duhet shkulur nga froni i zemrës së tij dhe ai duhet të qëndrojë përpara Perëndisë si një varfanJakobit Për ta shkaktuar këtë ndryshim është e pamundur nga ana njerëzore. Vetëm Perëndia mund ta bëjë. Të krishterët që grumbullojnë thesare mbi tokë, në përgjithësi paguajnë për mosbindjen e tyre në jetët e fëmijëve të tyre. Shumë pak fëmijë nga familje të tilla ecin mirë me Zotin. 10:28-30 Pjetri e kapi domethënien e mësimit të Shpëtimtarit. Ai kuptoi se Jezusi po thoshte: “Braktis gjithçka dhe më ndiq.” Jezusi e konfirmoi këtë duke u premtuar shpërblim të tanishëm dhe të ardhshëm atyre që braktisin gjithçka për hir të Tij dhe të ungjillit.
  1. Shpërblimi i tanishëm është 10.000 për qind fitim, jo në para, por në:
a. shtëpi – vatra familjare të njerëzve të tjerë ku atij i jepet strehim si një shërbëtor i Zotit. b. vëllezër, motra, nëna, fëmijë – miq të krishterë, përbashkësia me të cilët pasuron gjithë jetën. c. ara – vende të botës që ai i ka marrë për Mbretin. d. përndjekje – këto janë një pjesë e shpërblimit të tanishëm. Është për t’u ngazëllyer kur dikush gjendet i denjë të vuajë për hir të Krishtit.
  1. Shpërblimi i ardhshëm është jeta e përjetshme. Kjo s’do të thotë se ne e fitojmë jetën e përjetshme duke braktisur gjithçka. Jeta e përjetshme është një dhuratë. Këtu ideja është se ata që braktisin gjithçka shpërblehen me një aftësi më të madhe për ta shijuar jetën e përjetshme në qiell. Të gjithë besimtarët do ta kenë atë jetë, por jo të gjithë do ta shijojnë atë në të njëjtën masë.
10:31 Pastaj Zoti ynë shtoi një fjalë paralajmëruese: “Shumë të parë do të jenë të fundit dhe shumë të fundit do të jenë të parët.” Nuk është e mjaftueshme ta fillosh mirë shtegun e dishepullimit. Rëndësi ka se si e përfundojmë. Ironside ka thënë: Jo kushdo që premtoi se do të ishte një ndjekës besnik dhe i devotshëm do të vazhdonte në shtegun e vetëmohimit për hir të Emrit të Krishtit. Disa që dukeshin të prapambetur, devotshmëria e të cilëve ishte e diskutueshme, do të dalin të vërtetë dhe modestë në orën e sprovës [19].

J. Parathënia e tretë e mundimeve të Shërbëtorit (10:32-34)

10:32 Tani kishte ardhur koha për t’u ngjitur në Jerusalem. Për Zotin Jezus kjo donte të thoshte pikëllim dhe vuajtje e Gjetsemanit, turp dhe agoni e kryqit. Cilat ishin emocionet e Tij në atë kohë? A nuk mund t’i lexojmë ne ato në fjalët: “Jezusi i paraprinte?” Ekzistonte vendosmëria për të bërë vullnetin e Perëndisë, duke ditur plotësisht se cili do të ishte çmimi. Ekzistonte vetmia; Ai ishte larg, përpara dishepujve, duke ecur i vetëm. Ekzistonte edhe gëzimi, një gëzim i thellë, i fiksuar i të qenurit në vullnetin e Atit, një perspektivë e gëzueshme e lavdisë që vjen, gëzimi i shpengimit të një nuseje për Vetveten. Për gëzimin që ishte vënë përpara Tij, Ai përballoi kryqin, duke përçmuar turpin. Ndërsa i ngulim sytë mbi Të, duke ecur me hapa të mëdhenj në pararojë, edhe ne jemi të tronditur. Udhëheqësi ynë i patrembur, Autori dhe Përfunduesi i besimit tonë, Mësuesi ynë i lavdishëm, Princi hyjnor. Erdman shkruan:
Le të ndalemi për t’i ngulur sytë mbi atë fytyrë dhe formë, mbi Birin e Perëndisë, duke shkuar me hapa të palëkundur drejt Kryqit! A nuk na zgjon ne për një heroizëm të ri, ndërsa shkojmë pas; a nuk zgjon dashuri të re ndërsa ne shikojmë se sa e vullnetshme ishte vdekja e Tij për ne; megjithatë, a nuk çuditemi ne me kuptimin dhe misterin e asaj vdekjeje [20]?
Ata që i shkuan pas kishin ndrojtje. Ata e dinin se udhëheqësit fetarë në Jerusalem dëshironin vdekjen e Tij. 10:33-34 Për të tretën herë, Jezusi u dha dishepujve të Tij një përshkrim të hollësishëm të ngjarjeve të ardhshme. Kjo skemë profetike tregon se Ai ishte më tepër se sa thjesht një njeri:
  1. “Ja, ne po ngjitemi në Jerusalem”(11:1-13:37).
  2. “Biri i Njeriut do t’u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve”(14:1, 2, 43–53).
  3. “Ata do ta dënojnë me vdekje”(14:55-65).
  4. “Do ta dorëzojnë në duart e paganëve”(15:1).
  5. “Do ta tallin, do ta fshikullojnë, do ta pështyjnë dhe do ta vrasin” (15:2-38).
  6. “Ai, ditën e tretë, do të ringjallet”(16:1-11).

K. Të jesh i madh do të thotë të shërbesh (10:35-45)

10:35-37 Duke ndjekur këtë parathënie therëse të afrimit të Tij te kryqëzimi, Jakobi dhe Gjoni…iu afruan me një kërkesë që njëkohësisht ishte fisnike dhe e pavend. Ishte fisnike sepse ata deshën të ishin afër Krishtit, por ishte një kohë e keqe për të kërkosh gjëra të mëdha për vetveten. Ata shfaqën besim se Jezusi do ta themelonte mbretërinë e Tij, por ata duhej të kishin menduar për mundimet e Tij të pashmangshme. 10:38-39 Jezusi i pyeti nëse ata mund të pinin kupën e Tij, duke iu referuar vuajtjeve të Tij, si dhe të ndanin pagëzimin e Tij, duke e patur fjalën për vdekjen e Tij. Ata deklaruan se mundeshin dhe Ai u tha se kishin të drejtë. Ata do të vuanin për shkak të besnikërisë së tyre ndaj Tij dhe Jakobi të paktën do të martirizohej (Veprat e Apostujve 12:2). 10:40 Atëherë Ai shpjegoi se pozicionet e nderit në mbretëri nuk jepeshin arbitrarisht. Ato do të fitoheshin. Është mirë të kujtojmë në këtë rast se pranimi në mbretëri është me anë të hirit e përmes besimit, ndërsa pozicioni në mbretëri do të përcaktohet nga besnikëria ndaj Krishtit. 10:41-44 Të dhjetë dishepujt e tjerë ishin tepër të indinjuar që Jakobi dhe Gjoni po përpiqeshin t’ua kalonin atyre, por indinjimi i tyre tradhtonte faktin që ata kishin të njëjtën frymë. Kjo i dha mundësinë Zotit Jezus për të dhënë një mësim revolucionar të mahnitshëm mbi madhështinë. Midis të pakthyerve, njerëz të mëdhenj janë ata që sundojnë me pushtet arbitrar, që janë prepotentë dhe autoritarë, ndërsa në mbretërinë e Krishtit madhështia karakterizohet nga shërbimi. Kushdo…që do të dojë të jetë i pari duhet të bëhet një skllav për cilindo. 10:45 Shembulli Suprem është Vetë Biri i Njeriut. Ai nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e Tij si çmim për shpengimin e shumë vetave. Mendo për këtë! Ai erdhi përmes lindjes së Tij të mrekullueshme. Ai shërbeu gjatë gjithë jetës së Tij. Në vdekjen e Tij zëvendësuese, Ai dha jetën e Vet. Siç u përmend më parë, vargu 45 është vargu kyç i të gjithë Ungjillit. Ai është një teologji në miniaturë, një skicë e Jetës më të madhe që bota ka njohur ndonjëherë.

L. Shërimi i Bartimeut të verbër (10:46-52)

10:46 Tani skena zhvendoset nga Perea në Jude. Zoti dhe dishepujt e Tij kishin kaluar Jordanin dhe kishin ardhur në Jeriko. Atje Ai takoi Bartimeun e verbër, një njeri me një nevojë të ngutshme, me një njohje të nevojës dhe me një vendosmëri që ajo t’i plotësohet. 10:47 Bartimeu e njohu dhe iu drejtua Zotit duke e thirrur Bir i Davidit. Ishte ironike që ndërsa kombi i Izraelit ishte i verbër ndaj pranisë së Mesias, një judeas i verbër kishte sy vërtet frymëror! 10:48-52 Lutjet e tij ngulmuese për mëshirë nuk kaluan pa marrë përgjigje. Lutja e tij, e përcaktuar qartë për shikim solli një përgjigje të qartë. Mirënjohja e tij u shpreh në dishepullim besnik, duke e ndjekur Jezusin në udhëtimin e Tij të fundit për në Jerusalem. Duhet ta ketë gëzuar zemrën e Zotit gjetja e një besimi të tillë në Jeriko ndërsa po shkonte drejt kryqit. Qe diçka e mirë që Bartimeu e pa Zotin atë ditë, sepse Shpëtimtari nuk kaloi kurrë më asaj rruge.


Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. (9:44-48) Zoti ynë citon tre herë (v 44, 46 dhe 48) Isaia 66:24 për të paralajmëruar në lidhje me rreziqet e ferrit. Ne besojmë se ky paralelizëm i theksuar i formës (i gjendur te TR dhe te teksti maxhoritar) është zbutur nga teksti kritik (NU), i cili e lë dy herë jashtë tekstin. ↵ Kthehu mbrapa
  2. (9:49) Teksti NU e lë jashtë këtë pikë. ↵ Kthehu mbrapa
  3. (10:23-25) NU lë jashtë “ata që mbështeten te pasuria,” por ky është theksi kryesor i këtij pasazhi. ↵ Kthehu mbrapa
  4. (10:31) Harry A. Ironside, Expository Notes on the Gospel of Mark, fq 157. ↵ Kthehu mbrapa
  5. Erdman, Mark, fq 147. ↵ Kthehu mbrapa