Hiri i paepur i Mesias ndesh kundërvënien në rritje (Mateu 14:1 – 16:12)

A. Gjon pagëzorit i pritet koka (14:1-12)

14:1-2 Lajme mbi shërbesën e Jezusit rrodhën te Herodi, tetrarku. Ky bir famëkeq i Herodit të Madh ishte i njohur gjithashtu me emrin Herod Antipa. Ky ishte ai që kishte urdhëruar ekzekutimin e Gjon pagëzorit. Kur dëgjoi për mrekullitë e Krishtit, ndërgjegjja e tij filloi ta therte. Kujtimi i profetit, të cilit i kishte prerë kokën, i dilte vazhdimisht përpara. «Është Gjon pagëzori!»- u tha ai shërbëtorëve të tij. «Ai u ngjall së vdekuri, prandaj këto mrekulli po ndodhin.» 14:3 Në vargjet 3-12, ne kemi çfarë në letërsi njihet si kthim prapa. Mateu e ndërpret tregimin për të rishikuar rrethanat e vdekjes së Gjonit. 14:4-5 Herodi e kishte braktisur gruan e tij dhe kishte qenë duke jetuar në një marrëdhënie kurorëshkelëse dhe incesti me Herodiadën, gruan e Filipit, vëllait të vet. Duke qenë profet i Perëndisë, Gjoni s’mund ta linte të kalonte këtë pa qortim. I zemëruar dhe pa frikë, ai drejtoi gishtin drejt Herodit dhe e dënoi atë publikisht për imoralitetin e tij. Mbreti ishte acaruar aq shumë sa ta vriste, por politikisht nuk ishte çasti i volitshëm. Populli e kishte shpallur Gjonin si profet dhe do të kishte reaguar, ndoshta dhunshëm, kundër ekzekutimit të tij. Kështu tirani e kënaqi përkohësisht inatin e tij duke e burgosur pagëzorin. «Të paperëndishmit e pëlqejnë fenë në të njëjtën mënyrë se si ata i pëlqejnë luanët, të vdekur ose pas hekurave; ata i druhen fesë kur ajo zgjidhet dhe fillon të sfidojë ndërgjegjet e tyre» [1]. 14:6-11 Kur ishte ditëlindja e Herodit, e bija e Herodiadës i pëlqeu kaq shumë mbretit me kërcimin e saj saqë ai, në rrëmbim e sipër, i ofroi asaj çfarë të donte. E nxitur nga nëna e saj e shthurur, me paturpësi ajo kërkoi, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit! Tashmë zemërimi i mbretit kundër Gjonit ishte fashitur disi. Ndoshta ai edhe e kishte admiruar profetin për guximin dhe ndershmërinë e tij. Megjithëse i vinte keq, ai mendoi se duhej ta përmbushte premtimin që kishte bërë. U dha urdhri. Gjonit iu pre koka dhe kërkesa e tmerrshme e vajzës kërcimtare ishte plotësuar. 14:12 Dishepujt e Gjonit i bënë trupit të mësuesit të tyre një varrim plot respekt. Pastaj shkuan dhe ia treguan ngjarjen Jezusit. Ata s’mund të kishin shkuar te ndonjë person më i përshtatshëm për të shkarkuar pikëllimin dhe indinjatën e tyre. Gjithashtu s’do të kishin mundur të na linin një shembull më të mirë. Kur ka përndjekje, shtypje, vuajtje dhe pikëllim, edhe ne duhet të shkojmë e t’ia themi Jezusit. Për sa i përket Herodit, krimi i tij u krye, por kujtimi nuk iu shqit. Me të dëgjuar për veprimtaritë e Jezusit, i tërë episodi iu rishfaq.

B. Të ushqyerit e pesë mijë vetëve (14:13-21)

14:13-14 Kur Jezusi dëgjoi se Herodi ishte i shqetësuar nga zërat që flisnin për mrekullitë e Tij, Ai u tërhoq me një barkë në një zonë të veçuar pranë Detit të Galilesë. Ne mund të jemi të sigurt se Ai nuk shkoi atje nga frika. Ai e dinte se asgjë s’mund t’i ndodhte pa ardhur ende koha e Tij. Ne nuk e dimë arsyen kryesore të lëvizjes së Tij, por të paktën një arsye ishte se dishepujt e Tij sapo ishin kthyer nga misioni i tyre i predikimit (Mr. 6:30; Luka 9:10) dhe kishin nevojë për një kohë pushimi dhe qetësie. Megjithatë, turmat u grumbulluan nga qytetet dhe e ndiqnin në këmbë. Ndërsa doli në breg, ata po e prisnin. Duke mos u irrituar aspak nga kjo ndërhyrje, Zoti ynë i dhembshur iu vu punës menjëherë dhe shëroi ata që ishin të sëmurë. 14:15 Kur ra mbrëmja, domethënë pas orës 15 pasdite, dishepujt e tij e ndjenë se po i zinte një hall. Aq shumë njerëz dhe asgjë për ta për të ngrënë! Ata i kërkuan Jezusit që t’i dërgonte njerëzit nëpër fshatra për të gjetur ushqim. Sa pak e kuptuan ata zemrën e Krishtit! Aq pak e dalluan fuqinë e Tij! 14:16-18 Zoti i siguroi ata se nuk ekzistonte nevoja. Pse duhet të largohen njerëzit prej Atij që hap dorën e Tij dhe plotëson dëshirën e çdo gjëje të gjallë? Pastaj Ai i zuri dishepujt në befasi duke u thënë: «U jepni ju të hanë.» Ata ishin shtangur. «U jepni të hanë? Ne s’kemi asgjë, veçse pesë bukë dhe dy peshq.» Ata kishin harruar se kishin Jezusin gjithashtu. Me durim, Shpëtimtari u tha: «M’i sillni këtu.» Kjo ishte pjesa e tyre. 14:19-21 Ne mund ta përfytyrojmë Zotin duke i drejtuar turmat të ulen mbi bar. Duke marrë pesë bukët dhe dy peshqit, Ai falënderoi, i ndau bukët dhe ua dha ato dishepujve për t’i shpërndarë. Kishte mjaft për të gjithë. Pasi u ngopën të gjithë, dishepujt grumbulluan në dymbëdhjetë kosha atë që kishte mbetur. Kishte më shumë nga ç’kishte tepruar kur Jezusi mbaroi sesa kur Ai kishte filluar. Në një mënyrë aq ironike kishte nga një kosh për çdo dishepull mosbesues. Një turmë prej ndoshta 10.000 deri në 15.000 vetash ishte ushqyer (5.000 burra plus gra dhe fëmijë). Mrekullia është një mësim frymëror për dishepujt e çdo brezi. Turma e uritur është gjithmonë e pranishme. Gjithmonë ka një bandë të vogël dishepujsh me mjete për të të ardhur keq në dukje. Gjithmonë ka një Shpëtimtar të dhembshur. Kur dishepujt janë të gatshëm për t’i dhënë Atij tërë atë pak që kanë, Ai e shumon atë për të ushqyer mijëra. Ndryshimi i rëndësishëm është që të pesë mijë burrat, që u ushqyen pranë Galilesë, e shuan urinë e tyre vetëm për një kohë të shkurtër, ndërsa ata që sot ushqehen me Krishtin e gjallë janë të ngopur përjetë (shih Gjoni 6:35).

C. Jezusi ecën mbi det (14:22-33)

Mrekullia e mëparshme i siguroi dishepujt se ata po shkonin pas Personit që mund të parashikonte me bollëk për nevojat e tyre. Tani ata mësojnë se ky Person mundet t’i mbrojë e t’i japë forcë gjithashtu. 14:22-23 Ndërsa po e linte turmën të largohej, Jezusi u tha dishepujve të hipnin në barkë dhe të ktheheshin në bregun tjetër të liqenit. Pastaj Ai u ngjit në një shpat kodre për t’u lutur. Kur u ngrys, pra pas perëndimit, Ai gjendej aty, i vetëm fare. Në sistemin judaik kishte dy «mbrëmje.» Shih Eksodi 12:6 në anën e faqes së Revised Standard Version. Njëra, duke iu referuar v 15, fillonte në mesin e pasdites, ndërsa tjetra, referuar këtu, në perëndim. 14:24-27 Ndërkaq, barka ndodhej larg nga vendi, duke luftuar me një erë të kundërt. Ndërsa valët godisnin barkën, Jezusi pa gjendjen e vështirë të dishepujve. Në rojën e katërt të natës, (midis orës 3 dhe 6 të mëngjesit, Ai shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det. Duke menduar se ishte një fantazmë, dishepujt u mbërthyen nga paniku, por menjëherë ata dëgjuan zërin sigurues të Mësuesit dhe të Mikut të tyre. «Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!» Sa e vërtetë kjo për vetë përvojën tonë! Ne jemi shpesh të tundur nga era, të shushatur e në dëshpërim. Shpëtimtari duket aq larg, por gjatë gjithë kohës Ai është duke u lutur për ne. Kur nata duket më e errëta, Ai është aq pranë. Ne shpesh e keqkuptojmë Atë edhe atëherë dhe shtypim butonin e panikut. Pastaj ne dëgjojmë zërin e Tij ngushëllues dhe kujtojmë se valët që na bënë ne të frikësohemi janë nën këmbët e Tij. 14:28 Kur Pjetri dëgjoi të mirëpriturin e aq të dashurin zë, ndjenjat dhe entuziazmi i tij gurgulluan. «Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra.» Me tepër se sa të zmadhojmë atë «nëse» të Pjetrit si një shenjë e besimit të vogël, ne duhet të shohim kërkesën e tij të guximshme si një shenjë e besimit të madh. Pjetri e ndjeu se urdhërimet e Jezusit janë aftësimi që Ai bën. Ai jep forcë për gjithçka që urdhëron. 14:29-33 Sapo Jezusi tha: «Eja!»… Pjetri u hodh nga barka dhe filloi të ecte drejt Tij. Për aq kohë sa i mbajti sytë te Jezusi, ai ishte i aftë të bënte të pamundurën, por me t’u marrë me erën e fortë, ai filloi të fundoset. Furishëm ai bërtiti: «O Zot, shpëtomë!» Zoti e kapi atë për dore, qortoi me butësi besimin e tij të pakët dhe e çoi atë në barkë. Sapo Jezusi hipi në barkë, era pushoi. Një takim adhurimi zuri fill në barkë, ndërsa dishepujt i thonë Jezusit: «Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!» Jeta e krishterë, sikurse ecja mbi ujë, nga ana njerëzore është e pamundur. Ajo mund të jetohet vetëm me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Për sa t’i kemi sytë te Jezusi dhe tek asnjë objekt tjetër (Heb. 12:2), ne mund të përjetojmë një jetë të mbinatyrshme. Në të kundërt, me t’u zënë me vetveten apo me rrethanat tona, ne fillojmë të fundosemi. Atëherë ne duhet t’i thërrasim fort Krishtit për ripërtëritje dhe mbështetje hyjnore.

D. Jezusi shëron në Gjenezaret (14:34-36)

Barka u fut në dok në Gjenezaret, në bregun veriperëndimor të detit të Galilesë. Sapo dalluan Jezusin, njerëzit kërkuan gjithandej në zonë të gjenin të gjithë të sëmurët dhe i sollën ata tek Ai që të sëmurët të mund t’i preknin të paktën cepin e rrobës së tij; dhe të gjithë ata që e bënë këtë u shëruan plotësisht. Kështu, doktorët në atë zonë bënë pushim. Të paktën për një farë kohe nuk kishte të sëmurë. Krahina përjetoi shëndet dhe shërim nëpërmjet një vizite të Mjekut të Madh.

E. Ndotja është nga brenda (15:1-20)

Është treguar shpesh se Mateu nuk ndjek një rend kronologjik gjatë kapitujve të parë, por që nga fillimi i kapitullit 14 e deri në fund, kryesisht ngjarjet janë dhënë në vazhdën në të cilën ndodhën. Në kapitullin 15 del në pah një rend dispensacional gjithashtu. Në radhë të parë, debatet dhe grindjet e vazhdueshme të farisenjve dhe të skribëve (v 1-20) i paraprijnë refuzimit të Mesias nga Izraeli. Së dyti, besimi i gruas kananease (v 21-28) paraqet Ungjillin duke shkuar te johebrenjtë në epokën e tanishme. Së fundi, shërimi i turmave të mëdha (v 29-31) dhe të ushqyerit e 4000 vetëve (v 32-39) na drejtojnë drejt epokës së ardhshme mijëvjeçare me shëndetin dhe begatinë e saj mbarëbotërore. 15:1-2 Skribët dhe farisenjtë ishin të papërkulshëm në përpjekjet e tyre për ta zënë Shpëtimtarin në kurth. Një delegacion i tyre erdhi prej Jeruzalemit, duke i akuzuar dishepujt e tij për papastërtinë e ngrënies me duart e palara, duke shkelur kështu traditën e pleqve. Që ta vlerësojmë këtë episod, ne duhet të kuptojmë referimet që i bëhen të pastrës dhe të papastrës si dhe duhet të dimë se çfarë kuptonin farisenjtë me larje. I tërë konceptimi i të pastrës dhe i të papastrës e ka fillimin te DhV. Papastërtia për të cilën akuzoheshin dishepujt ishte krejtësisht një çështje ceremoniale. Në qoftë se një person prekte një trup të vdekur, për shembull, ose në qoftë se ai hante gjëra të caktuara, ai ndotej nga ana ceremoniale dhe ritualisht nuk ishte i përshtatshëm për të adhuruar Perëndinë. Përpara se të mund t’i afrohej Perëndisë, ligji i Perëndisë i kërkonte atij të kalonte përmes një riti pastrimi. Por pleqtë i kishin shtuar tradita riteve të pastrimit. Për shembull, ata ngulnin këmbë se përpara se të hajë, një jude duhet t’i kalojë duart e tij përmes një procesi të stërholluar pastrimi, duke larë jo vetëm duart, por edhe krahët deri te bërrylat. Në qoftë se kishte qenë në pazar, ai duhej të bënte një banjë ceremoniale. Kështu, farisenjtë i kritikuan dishepujt për moszbatim të ndërlikimeve të larjeve të përshkruara nga tradita judaike. 15:3-6 Zoti Jezus u kujtoi kritikëve të Tij se ata shkelën urdhërimin e Perëndisë, jo thjesht traditën e etërve. Ligji i urdhëronte njerëzit t’i nderonin prindërit e tyre, duke përfshirë mbështetjen e tyre financiare nëse nevojitet. Por skribët dhe farisenjtë (dhe shumë të tjerë) nuk deshën të shpenzonin para për të mbajtur prindërit e tyre në moshë. Kështu ata sajuan një traditë me anë të së cilës të shmangnin përgjegjësinë e tyre. Kur u kërkohej ndihmë nga i ati ose e ëma, gjithçka që ata kishin për të bërë ishte recitimi i fjalëve të tilla si këto: «E gjithë paraja që unë kam e që mund të përdoret për t’ju mbajtur i është kushtuar Perëndisë, prandaj unë s’mundem t’jua jap ju.» Dhe pasi e kishin recituar këtë formulë, ata ishin të lirë nga përgjegjësia financiare ndaj prindërve të tyre. Duke ndjekur këtë traditë dinake, ata kishin anuluar kështu Fjalën e Perëndisë, e cila i urdhëronte ata të kujdeseshin për prindërit e tyre. 15:7-9 Përmes shtrembërimit mashtrues të fjalëve, ata përmbushën profecinë te Isaia 29:13. Ata rrëfenin se e nderonin Perëndinë me buzët e tyre, por zemra e tyre ishte larg Tij. Adhurimi i tyre ishte i pavlerë, sepse ata po u jepnin përparësi më të madhe traditave të njerëzve sesa Fjalës së Perëndisë. 15:10-11 Duke iu kthyer turmës, Jezusi bëri një shpallje me vlerë të jashtëzakonshme. Ai deklaroi se njeriun nuk e ndot çfarë i hyn në gojë, por më tepër ajo që del nga goja e tij. Ne mund ta vlerësojmë me vështirësi karakterin revolucionar të kësaj shpalljeje. Nën kodin levitik, çfarë hynte në gojën e një njeriu e ndotte atë. Judenjve u ndalohej të hanin mishin e çfarëdo kafshe që nuk e përtypte ushqimin e që i kishte thundrat të ndara. Atyre nuk u lejohej të hanin peshk po të kishte luspa dhe fletë. Udhëzime të hollësishme ishin dhënë nga Perëndia në lidhje me ushqimet që ishin të pastra apo të papastra. Tani Ligj-dhënësi përgatiti terrenin për shfuqizimin e të gjithë sistemit të ndotjes ceremoniale. Ai tha se ushqimi që dishepujt e Tij hëngrën me duar të palara nuk i ndoti ata, por hipokrizia e skribëve dhe e farisenjve ishte vërtet ndotëse. 15:12-14 Kur dishepujt e Tij i sollën fjalë se farisenjtë ishin skandalizuar nga ky denoncim, Jezusi u përgjigj duke i krahasuar ata me bimë që nuk ishin mbjellë hyjnisht. Ata ishin egjër me tepër sesa grurë. Ata dhe mësimi i tyre do të shkuleshin përfundimisht, që do të thotë se do të shkatërroheshin. Atëherë ai shtoi: «Hiqni dorë prej tyre; ata janë të verbër, prijës të verbërish.» Ndërsa shpallnin se ishin autoritete në çështje frymërore, ata ishin të verbër ndaj realiteteve frymërore sikurse ishin edhe njerëzit që ata po drejtonin. Ishte e pashmangshme që si drejtuesit ashtu dhe ndjekësit të mos binin në gropë. 15:15 Dishepujt ishin padyshim të tronditur nga kjo përmbysje e plotë e gjithçkaje që u ishte mësuar në lidhje me ushqimet e pastra dhe të papastra. Ishte si një shëmbëlltyrë për ta, domethënë si një tregim i errët dhe i fshehur. Pjetri e shprehu me fjalë turbullimin e tyre kur ai kërkoi një shpjegim. 15:16-17 Në fillim Zoti shprehu çudi që ata ishin aq të ngadaltë në të kuptuar. Pastaj Ai shpjegoi se ndotja e vërtetë është morale, jo fizike. Ushqimet e ngrënshme nuk janë të pastra apo të papastra në thelb. Në të vërtetë, asgjë materiale s’është e keqe në vetvete. Keqpërdorimi i një gjëje është gjë e gabuar. Ushqimi që njeriu ha hyn në gojë, kalon në bark për t’u bluar dhe pastaj mbetja e paasimiluar jashtëqitet. Qenia e tij morale nuk është ndikuar, por vetëm trupi i tij. Sot ne e dimë se «çdo krijesë e Perëndisë është e mirë dhe asgjë s’është për t’u hedhur, nëse merret me falënderim, sepse është shenjtëruar nga Fjala e Perëndisë dhe nga lutja» (1 Tim. 4:3-4). Sigurisht që pjesa nuk është duke folur për bimë helmuese, por për ushqime të caktuara nga Perëndia që njeriu t’i konsumojë. Të gjitha janë të mira e duhen ngrënë me falënderim. Në qoftë se një person është alergjik ndaj disa ushqimeve apo s’mundet të tolerojë ca të tjerë, ai s’duhet t’i hajë ato, por në përgjithësi ne mund të hamë me sigurinë se Perëndia e përdor ushqimin për të na ushqyer fizikisht. 15:18 Në qoftë se ushqimi nuk ndot, atëherë çfarë ndot? Jezusi u përgjigj: «… gjërat që dalin nga goja, dalin nga zemra; dhe ato ndotin njeriun.» Këtu zemra nuk është organi që pompon gjakun, por burimi i prishur i motiveve dhe i dëshirave njerëzore. Kjo pjesë e natyrës morale të njeriut e shfaq vetveten nëpërmjet mendimeve të papastra, pastaj nëpërmjet fjalëve të çoroditura e në fund nëpërmjet veprimeve të mbrapshta. 15:19-20 Disa prej gjërave që e ndotin një njeri janë mendimet e mbrapshta, vrasjet, shkeljet e kurorës, kurvëria, vjedhjet, dëshmitë e rreme dhe blasfemitë (kjo fjalë në greqisht përfshin edhe përgojimin e të tjerëve). Farisenjtë dhe skribët ishin tejet të kujdesshëm në lidhje me zbatimin e dukshëm dhe të përpiktë të ceremonive që kishin të bënin me larjen e duarve, por jetët e tyre të brendshme ishin të njollosura. Ata studionin vogëlsirat e kapërcenin çështjet që kishin rëndësi të vërtetë. Ata mundën të kritikonin moszbatimin nga ana e dishepujve të traditave të pafrymëzuara, por megjithatë ata komplotuan vrasjen e Birit të Perëndisë dhe ishin fajtorë për të gjithë katalogun e mëkatit të renditur në vargun 19.

F. Një johebre bekohet për besimin e saj (15:21-28)

15:21-22 Jezusi u tërhoq drejt rrethinave të Tiros dhe të Sidonit, në bregun e Mesdheut. Me sa dimë, kjo ishte e vetmja herë që gjatë shërbesës së Tij publike Ai kishte dalë jashtë tokës judease. Këtu në Feniki, një grua kananease i kërkoi Atij që të shëronte vajzën e saj, e cila ishte e pushtuar nga një demon. Është e rëndësishme të kuptojmë se kjo grua nuk ishte një judease, por një johebre. Ajo e kishte prejardhjen nga kananejtë, një racë imorale të cilën Perëndia e kishte shënuar për shuarje. Prej mosbindjes së Izraelit, disa i kishin shpëtuar pushtimit të Kanaanit nën drejtimin e Jozueut dhe kjo grua ishte një pasardhëse e të mbijetuarve. Duke qenë një johebre, ajo nuk gëzonte privilegjet e popullit tokësor të zgjedhur të Perëndisë. Ajo ishte një e huaj, nuk kishte shpresë. Si pozicion, ajo nuk kishte ndonjë pretendim mbi Perëndinë apo Mesian. Duke i folur Jezusit, ajo i drejtua Atij si Zot, Bir i Davidit, një titull që judenjtë e përdornin duke folur për Mesian. Megjithëse Jezusi ishte Biri i Davidit, një johebre nuk kishte të drejtë t’i afrohej Atij mbi atë themel. Ja se pse Ai nuk iu përgjigj asaj fillimisht. 15:23 Dishepujt e Tij iu afruan dhe iu lutën duke i thënë që ta largonte. Për ta ajo ishte një njeri i bezdisshëm. Për Të ajo ishte një shembull i mirëpritur besimi dhe një enë ku hiri i Tij do të shndriste. Por më parë Ai duhet të provojë e të edukojë besimin e saj! 15:24-25 Ai i kujtoi asaj se misioni i Tij ishte te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit, jo te johebrenjtë dhe sigurisht as te kananeasit. Ajo nuk u trondit nga ky refuzim në dukje. Duke hedhur titullin Bir i Davidit, ajo e adhuroi Atë, duke i thënë: «O Zot, ndihmomë!» Në qoftë se ajo s’mund të shkonte tek Ai si një judease te Mesia i saj, ajo do të shkonte si një krijesë te Krijuesi i saj. 15:26 Për të hetuar më tej realitetin e besimit të saj, Jezusi i tha se nuk ishte gjë e mirë për Të që, ndërsa ushqente fëmijët judenj, të kthehej për t’u dhënë bukë qenve johebrenj. Në qoftë se kjo na tingëllon e ashpër, ne duhet të kujtojmë se, sikurse bisturia e kirurgut, një gjë e tillë nuk bëhej me qëllimin për të vrarë, por për të shëruar. Ajo ishte një johebre. Judenjtë i shihnin johebrenjtë si qen rrëmues që endeshin rrugëve për copa buke. Megjithatë, këtu Jezusi përdori fjalën këlyshët e vegjël të qenve. Çështja ishte: «A do ta pranonte ajo padenjësinë e saj për të marrë minimumin e mëshirës së Tij?» 15:27 Përgjigjja e saj ishte e shkëlqyer. Ajo u pajtua krejtësisht me përshkrimin e bërë prej Tij. Duke zënë vendin e një johebreje të padenjë, ajo e hodhi veten e saj në mëshirën, në dashurinë dhe në hirin e Tij. Në të vërtetë ajo tha: «Ti ke të drejtë. Unë s’jam veçse një nga këlyshët e qenve që rrinë nën tryezë, por unë shikoj se, nganjëherë, thërrimet bien nga tryeza në dysheme. A s’do të më lejosh Ti që të marr disa thërrime? Unë nuk jam e denjë të ma shërosh bijën time, por unë të përgjërohem Ty që ta bësh këtë gjë për njërën prej krijesave të Tua që nuk e meritojnë.» 15:28 Jezusi e lëvdoi atë për besimin e saj të madh. Ndërsa bijtë mosbesues nuk kishin uri për bukë, këtu ishte një e vetë-rrëfyer «bubi» që bërtiste për të. Besimi ishte shpërblyer; e bija ishte shëruar aty për aty. Fakti që Zoti ynë e shëroi këtë bijë johebre në largësi të sugjeron shërbesën e tanishme të Tij në të djathtë të Perëndisë, duke u dhuruar johebrenjve shërim frymëror gjatë kësaj epoke kur populli i Tij i lashtë është vënë mënjanë si komb.

G. Jezusi shëron turma të mëdha (15:29-31)

Te Marku 7:31, ne mësojmë se Zoti la Tiron, udhëtoi veriut në Sidon e pastaj drejt lindjes matanë Jordanit, në jug nëpër krahinën e Dekapolit. Atje, pranë Detit të Galilesë, Ai shëroi të çalë, të verbër, memecë, sakatë dhe shumë të tjerë. Turma e shtangur përlëvdoi Perëndinë e Izraelit. Ka shumë mundësi që vendi të ketë qenë një rrethinë johebre. Njerëzit, duke i lidhur Jezusin dhe dishepujt e Tij me Izraelin, me të drejtë arritën në përfundimin se Perëndia i Izraelit po vepronte midis tyre.

H. Të ushqyerit e katër mijë vetave (15:32-39)

15:32 Lexues të pakujdesshëm (ose kritik), duke e ngatërruar këtë ndodhi me të ushqyerit e 5.000 vetave, e kanë akuzuar Biblën për kopje, kundërthënie dhe llogaritje të gabuar. Fakti është se këto dy ndodhi janë aq të dallueshme dhe më tepër ato plotësojnë sesa kundërshtojnë njëra-tjetrën. Pas tre ditësh me Zotin, turmës i kishte mbaruar ushqimi. Ai nuk do t’i linte ata të largoheshin të uritur. Ata mund të rrëzoheshin gjatë rrugës. 15:33-34 Përsëri dishepujt e Tij u mërzitën në lidhje me detyrën e pamundur të të ushqyerit të një turme të tillë. Këtë herë ata kishin vetëm shtatë bukë dhe pak peshq të vegjël. 15:35-36 Sikurse në rastin e 5.000 vetëve, Jezusi i uli njerëzit, falënderoi, i theu bukët dhe peshqit dhe ua dha dishepujve të Tij për t’i shpërndarë. Ai pret që dishepujt e Tij të bëjnë atë që mund të bëjnë; pastaj Ai ndërhyn dhe bën atë që ata s’mund të bëjnë. 15:37-39 Pasi njerëzit u ngopën, kishte edhe shtatë kosha plot me ushqim të mbetur. Numri i atyre që u ushqyen ishte katër mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët. Në kapitullin që vjen, ne do të shohim se statistikat në lidhje me dy mrekullitë e të ushqyerit janë domethënëse (Mt. 16:8-12). Çdo hollësi e tregimit biblik është e mbushur me kuptim. Pasi e la turmën të ikë, Zoti ynë shkoi me barkëMagdala, në bregun perëndimor të Detit të Galilesë.

I. Majaja e farisenjve dhe e saducenjve (16:1-12)

16:1 Farisenjtë dhe saducenjtë, antagonistë tradicionalë në çështje teologjike, përbënin dy skajet doktrinore, por armiqësia e tyre i la rrugë bashkëpunimit ndërsa u bashkuan në një qëllim të përbashkët për ta kapur në gabim Shpëtimtarin. Për ta provuar, ata i kërkuan Atij që të tregonte një shenjë nga qielli. Në një farë mënyre jo të qartë për ne, ata po përpiqeshin ta joshnin në një pozitë kompromisi. Duke i kërkuar një shenjë nga qielli, ndoshta ata po nënkuptonin një burim të kundërt për mrekullitë e mëparshme të Tij ose ndoshta ata deshën disa shenja të mbinatyrshme në qiell. Të gjitha mrekullitë e Jezusit ishin kryer në tokë. A mund të bënte Ai edhe mrekulli qiellore po ashtu? 16:2-3 Ai iu përgjigj duke vazhduar mbi temën e qiellit. Kur shikonin se, në mbrëmje, qielli ishte i kuq, ata parashikonin mot të mirë për ditën e nesërme. Gjithashtu ata e dinin se një qiell i kuq dhe i vranët në mëngjes do të thoshte shtrëngatë për atë ditë [2]. Ata ishin ekspertë në interpretimin e dukurive qiellore, por nuk mund të interpretonin shenjat e kohës. Çfarë ishin këto shenja? Profeti që njoftoi ardhjen e Mesias ishte shfaqur në personin e Gjon pagëzorit. Mrekullitë e profetizuara për Mesian, gjëra që askush tjetër s’i kishte bërë ndonjëherë, ishin kryer në praninë e tyre. Një shenjë tjetër e kohës ishte refuzimi i qartë i Mesias nga judenjtë si dhe shkuarja e Ungjillit te johebrenjtë, gjithçka në përmbushje të profecisë. Megjithatë, pavarësisht nga këto tregues të pakundërshtueshëm, ata nuk ia kishin idenë historisë që po bëhej apo profecisë që po përmbushej. 16:4 Duke kërkuar për një shenjë kur Ai vetë qëndronte midis tyre, farisenjtë dhe saducenjtë e treguan vetveten se frymërisht ishin një brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës. Atyre nuk do t’i jepej asnjë shenjë, përveç shenjës së profetit Jona. Siç shpjegohet te shënimi mbi Mt. 12:39, kjo do të ishte ringjallja e Krishtit në ditën e tretë. Një brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës do ta kryqëzonte Mesian e vet, por Perëndia do ta ringjallte Atë prej së vdekurish. Kjo do të ishte një shenjë dënimi për të gjithë ata që refuzojnë t’i përulen Atij si Sundues me të drejta të plota. Paragrafi mbyllet me fjalët kërcënuese: «Dhe i la ata dhe shkoi.» Nënkuptimi frymëror i fjalëve duhet të jetë i qartë për të gjithë. 16:5-6 Kur dishepujt e Tij u bashkuan me Zotin në bregun lindor të liqenit, ata kishin harruar të merrnin ushqim me vete. Për këtë arsye, kur Jezusi i priti ata me paralajmërimin që të kenë kujdes dhe të ruhen nga majaja e farisenjve dhe e saducenjve, ata menduan se Ai po thoshte: «Mos shkoni tek ata udhëheqës judenj për ndihmë ushqimore.» Shqetësimi i tyre për ushqimin bëri që ata të shikonin për një shpjegim të natyrshëm e të fjalëpërfjalshëm aty ku synohej një mësim frymëror. 16:7-10 Ata po brengoseshin akoma për mungesën e ushqimit, pa marrë parasysh faktin se Ai që kishte ushqyer 5.000 dhe 4.000 veta ishte me ta. Kështu Ai u rikujtoi atyre dy furnizimet e mrekullueshme me ushqim. Mësimi që doli kishte të bënte me aritmetikën hyjnore dhe mprehtësinë hyjnore, sepse sa më pak që Jezusi kishte për të punuar me ushqim, aq më shumë Ai ushqente e aq më shumë ushqim tepronte. Kur kishte vetëm pesë bukë dhe dy peshq, Ai ushqeu 5.000+ dhe kishin mbetur 12 kosha me ushqim. Me më shumë bukë dhe peshk, Ai ushqeu vetëm 4.000+ dhe kishin tepruar vetëm 7 kosha plot. Në qoftë se mjetet tona të kufizuara i vëmë në dispozicion të Tij, Ai mund t’i shumëfishojë ato në përpjesëtim të zhdrejtë me sasinë e tyre. «Pak është shumë në qoftë se Perëndia është në të.» Një fjalë tjetër është përdorur këtu për kosha [3] nga ç’është përdorur kur u ushqyen 5.000 veta. Shtatë koshat, në këtë ndodhi, janë konsideruar të kenë qenë më të mëdhenj sesa 12 koshat e rastit të mëparshëm. Por mësimi mbetet: Përse të shqetësohemi për sa i përket urisë dhe mungesës kur ne jemi të lidhur me Dikë që ka pushtet dhe burime të pasosura? 16:11-12 Duke folur për majanë e farisenjve dhe të saducenjve, Zoti nuk e ka patur fjalën për bukën, por për doktrinën dhe sjelljen e keqe. Te Luka 12:1, majaja e farisenjve është përkufizuar si hipokrizi. Ata deklaronin se i përmbaheshin Fjalës së Perëndisë deri në hollësirat më të vogla, por megjithatë bindja e tyre ishte e jashtme dhe e përciptë. Përbrenda ata ishin të këqij e të kalbur. Majaja e saducenjve ishte racionalizmi. Ata, mendimtarët e lirë të atyre ditëve, sikurse liberalët e sotëm, kishin ndërtuar një sistem dyshimesh dhe mohimesh. Ata mohonin ekzistencën e engjëjve dhe të frymërave, ringjalljen e trupit, pavdekshmërinë e shpirtit dhe dënimin e përjetshëm. Kjo maja skepticizmi, nëse tolerohet, do të përhapet dhe do të depërtojë sikurse majaja në brumë. [1] Burim i panjohur.[[1]] [2] Sigurisht që këto tregues të motit janë të vlefshëm për Izraelin, jo për Amerikën e Veriut apo për Britaninë e Madhe.[[2]] [3] 12 kophinoi të 5.000 vetëve mund të kenë zënë më pak sesa 7 spurides të 4.000.[[3]]

Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. ↵ Kthehu mbrapa
  2. ↵ Kthehu mbrapa
  3. ↵ Kthehu mbrapa