Fjalimi i Mbretit në Malin e Ullinjve (Mateu 24-25)

FJALIMI I MBRETIT NË MALIN E ULLINJVE (MATEU 24-25) Kapitujt 24 dhe 25 formojnë atë që njihet si Fjalimi në Malin e Ullinjve, i quajtur kështu sepse kjo shpallje e rëndësishme u bë në Malin e Ullinjve. Fjalimi është tërësisht profetik. Ai të çon përpara te Periudha e Mundimit dhe tek Ardhja e Dytë e Zotit. Kryesisht, megjithatë jo vetëm, ai ka të bëjë me kombin e Izraelit. Vendngjarja e tij është sigurisht Palestina. Për shembull: «Atëherë ata që janë në Jude, le të ikin ndër male» (Mt. 24:16). Korniza e tij dallohet qartë se është judease. Për shembull: «Lutuni që ikja juaj të mos ndodhë… Shabatin» (Mt. 24:20). Referimi në lidhje me të zgjedhurit (Mt. 24:22) duhet kuptuar se flet për të zgjedhurit judenj të Perëndisë, jo për Kishën. Kisha nuk gjendet as në profecitë dhe as në shëmbëlltyrat e fjalimit, siç do të përpiqemi ta tregojmë.

A. Jezusi parashikon shkatërrimin e tempullit (24:1-2)

Fjalimi ka si parathënie pohimin domethënës që Jezusi doli nga tempulli dhe po largohej. Kjo lëvizje është veçanërisht domethënëse përpara faktit të fjalëve që Ai sapo shprehu: «…shtëpia juaj po ju lihet e shkretë» (Mt. 23:38). Kjo na kujton përshkrimin nga Ezekieli të lavdisë që largohet nga tempulli (Ezekieli 9:3; 10:4; 11:23). Dishepujt deshën që Zoti të admironte bukurinë arkitektonike të tempullit. Ata ishin të zënë me të përkohshmen në vend të së përjetshmes, të interesuar me hijet më tepër se sa me thelbin. Jezusi paralajmëroi se ndërtesa do të shkatërrohej deri në atë pikë sa nuk do të mbetej asnjë gur mbi gur. Titusi [gjeneral romak] u përpoq pa sukses që ta shpëtonte tempullin, por ushtarët e tij i vunë zjarrin, duke përmbushur kështu profecinë e Krishtit. Kur zjarri shkriu zbukurimet prej ari, metali i shkrirë ra midis gurëve. Për ta marrë, ushtarëve iu desh që t’i hiqnin gurët një nga një pikërisht ashtu siç kishte parathënë Zoti ynë. Ky gjykim u ekzekutua në vitin 70 mK, kur romakët, nën sundimin e Titusit, plaçkitën Jeruzalemin.

B. Gjysma e parë e Mundimit (24:3-14)

24:3 Pasi Jezusi kishte kaluar nga Mali i Ullinjve, dishepujt e Vet iu afruan mënjanë dhe i bënë tri pyetje:
  1. Kur do të ndodhnin këto gjëra; domethënë, kur do të shkatërrohej tempulli?
  2. Cila do të ishte shenja e ardhjes së Tij; domethënë, cila ngjarje e mbinatyrshme do të paraprinte kthimin e Tij mbi tokë për të vendosur mbretërinë e Tij?
  3. Cila do të ishte shenja e mbarimit të botës; domethënë, që do të njoftonte fundin e epokës ngjitur përpara mbretërimit të lavdishëm të Tij? (Pyetja e dytë dhe e tretë janë njëlloj në thelb).
Duhet të kujtojmë se mendimi i këtyre dishepujve judenj sillej rreth epokës së lavdishme të Mesias mbi dhe. Ata nuk ishin duke menduar rreth ardhjes së Krishtit për Kishën. Ata dinin pak, nëse dinin ndonjë gjë, në lidhje me këtë fazë të ardhjes së Tij. Shpresa e tyre ishte ardhja e Tij në fuqi dhe në lavdi për të shkatërruar armiqtë e Tij dhe për të sunduar botën. Gjithashtu ne duhet të jemi të qartë që ata nuk po flisnin për fundin e botës (si te KJV apo te Bibla, Diodati i Ri), por për fundin e epokës (greqisht aiõn). Pyetja e tyre e parë nuk merr përgjigje të drejtpërdrejtë. Më tepër Shpëtimtari duket sikur bashkon rrethimin e Jeruzalemit në vitin 70 mK (shih Luka 21:20-24) me një rrethim të ngjashëm që do të ndodhë në ditët e fundit. Në studimin e profecisë, ne shpesh e shohim Zotin të lëvizë pothuajse në mënyrë të paperceptueshme nga një përmbushje e hershme dhe e pjesshme te një përmbushje e mëvonshme e përfundimtare. Pyetja e dytë dhe e tretë marrin përgjigje në vargjet 4-44 të kapitullit 24. Këto vargje përshkruajnë Periudhën shtatëvjeçare të Mundimit, që do t’i paraprijë Ardhjes së lavdishme të Krishtit në tokë. Të parët tre vjet e gjysmë janë përshkruar te vargjet 4-14. Të fundit tre vjet e gjysmë, që njihen si Mundimi i Madh dhe si Koha e Ankthit për Jakobin (Jer. 30:7), do të jenë një kohë vuajtjeje e paparë ndonjëherë për banorët e tokës. Shumë nga kushtet karakterizuese të gjysmës së parë të Mundimit kanë ekzistuar në një farë mase gjatë gjithë historisë njerëzore, por ato do të shfaqen në një trajtë tepër të intensifikuar gjatë periudhës në diskutim. Atyre në Kishë u janë premtuar mundime (Gjoni 16:33), por kjo është krejt ndryshe nga Mundimi, që do të derdhet mbi një botë që ka refuzuar Birin e Perëndisë. Ne besojmë se Kisha do të hiqet nga bota (1 Thes. 4:13-18) para se të fillojë dita e zemërimit të Perëndisë (1 Thes. 1:10; 5:9 dhe 2 Thes. 2:1-12; Zbulesa 3:10). 24:4-5 Gjatë gjysmës së parë të Mundimit, shumë mësues të rremë do të shfaqen që do t’ia dalin t’i mashtrojnë turmat. Lindja e tanishme e shumë kulteve të rreme mund të jetë një prelud i kësaj gjëje, por nuk është një përmbushje. Këta udhëheqës të rremë fetarë do të jenë judenj që shtihen sikur janë Krishti. 24:6-7 Do të ketë luftëra dhe…ushtima luftërash;…Do të ngrihet, pra, popull kundër populli dhe mbretëri kundër mbretërie. Do të ishte e lehtë të mendonim se ne jemi duke e parë këtë të përmbushet sot, por çfarë ne shikojmë është e butë në krahasim me çfarë do të jetë. Në të vërtetë ngjarja e afërt në programin kohor të Perëndisë është Rrëmbimi i Kishës (Gjoni 14:1-6 dhe 1 e Korintasve 15:51-57). Nuk ka për t’u përmbushur profeci përpara kësaj. Mbasi të hiqet Kisha, ora profetike e Perëndisë do të fillojë punë dhe këto kushte do të shfaqen shpejt vetë. Do të ketë zi buke, murtajë dhe tërmete në pjesë të ndryshme të tokës. Që sot udhëheqësit botërorë janë të alarmuar nga spektri i urisë që i detyrohet shtimit të papërmbajtshëm të popullatës. Por kjo do të theksohet më shumë nga mungesat e shkaktuara luftërat. Tërmetet janë duke tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen. Jo vetëm ata që bien tani, por edhe ata që priten. Edhe një herë: këto janë tregues dhe jo përmbushja e vërtetë e fjalëve të Shpëtimtarit tonë. 24:8 Vargu 8 e njëjtëson këtë periudhë me fillimin e dhembjeve të lindjes, me ardhjen e të therurave të lindjes që do të zbulojnë një rend të ri nën sundimin e Mesias-Mbret të Izraelit. 24:9-10 Besimtarë besnik do të përjetojnë prova të mëdha gjatë Mundimit. Kombet do të drejtojnë një fushatë urrejtjeje të hidhur kundër të gjithë atyre që janë besnik ndaj Tij. Jo vetëm që ata do të nxirren përpara gjykatave fetare dhe civile (Mr. 13:9), por shumë do të martirizohen për shkak të refuzimit nga ana e tyre për të mohuar Krishtin. Ndërsa sprova të tilla kanë qenë të pranishme gjatë të gjitha periudhave të dëshmisë së krishterë, kjo duket sikur bën fjalë në mënyrë të veçantë për 144.000 besimtarët judenj që do të kenë një shërbesë të posaçme gjatë kësaj periudhe. Shumë do ta braktisin besimin më mirë se sa të vuajnë e të vdesin. Anëtarë të familjes do të denoncojnë kundër të afërmve të tyre dhe do t’i dorëzojnë ata në duart e përndjekësve çnjerëzorë. 24:11 Do të shfaqen shumë profetë të rremë dhe do të mashtrojnë një mori njerëzish. Këta nuk duhen ngatërruar me mësuesit e rremë të vargut pesë. Profetë të rremë janë ata që shtiren se janë zëdhënës të Perëndisë. Ata mund të zbulohen në dy mënyra: profecitë e tyre nuk ndodhin gjithnjë dhe mësimet e tyre i çojnë njerëzit gjithmonë larg nga Perëndia i vërtetë. Përmendja e profetëve të rremë e përforcon pohimin tonë që Mundimi ka kryesisht karakter judaik. Profetët e rremë janë të lidhur me kombin e Izraelit; në Kishë rreziku vjen nga mësuesit e rremë (2 Pjetrit 2:1). 24:12 Me tërbimin e ligësisë, ndjenjat njerëzore do të shterojnë gjithnjë e më shumë. Veprimet pa dashuri do të jenë diçka e zakonshme. 24:13 «Por ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet.» Sigurisht që kjo nuk do të thotë se, në atë kohë, shpirtrat e njerëzve do të shpëtohen nëpërmjet ngulmimit nga ana e tyre. Në Bibël, shpëtimi paraqitet gjithmonë si një dhuratë e hirit të Perëndisë, që merret me anë të besimit në vdekjen zëvendësuese dhe në ringjalljen e Krishtit. As nuk mund të ketë kuptimin se të gjithë ata që ngulmojnë do t’i shpëtojnë cenimit fizik. Ne kemi mësuar tashmë se shumë besimtarë do të martirizohen (v 9). Është një pohim i përgjithshëm që ata të cilët qëndrojnë të patundur, duke i bërë ballë përndjekjes pa braktisur besimin, do të çlirohen në Ardhjen e Dytë të Krishtit. Askush s’duhet të mendojë se besimbraktisja do të jetë një mënyrë për t’u shpëtuar apo për t’u siguruar. Vetëm kush ka besim të vërtetë do të shpëtohet. Megjithëse besimi që ka të bëjë me shpëtimin mund të ketë shkarje, cilësi e tij gjithmonë është qëndrueshmëria. 24:14 Gjatë kësaj periudhe, Ungjilli i mbretërisë do të shpallet në mbarë botën, si një dëshmi për gjithë kombet. Siç shpjegohet në shënimet mbi Mt. 4:23, ky Ungjill i mbretërisë është lajmi i mirë që Krishti po vjen për të vendosur mbretërinë e Tij mbi tokë dhe se ata që, gjatë Mundimit, e pranojnë Atë me anë të besimit, do të gëzojnë bekimet e Mbretërimit Mijëvjeçar të Tij. Shpesh vargu 14 është keqpërdorur për të treguar se Krishti nuk mund të kthehet në çdo çast për Kishën e Tij, sepse ka aq shumë fise që nuk e kanë dëgjuar ende Ungjillin. Vështirësia eliminohet kur kuptojmë se kjo bën fjalë për ardhjen e Krishtit me shenjtorët e Tij dhe jo për shenjtorët e Tij. Gjithashtu kjo i referohet Ungjillit të mbretërisë, jo ungjillit të hirit të Perëndisë (shih shënimet tek 4:23). Ka një paralelizëm të habitshëm midis ngjarjeve të renditura në vargjet 3-14 dhe atyre te Zbulesa 6:1-11. Kalorësi mbi kalin e bardhë – krisht i rremë; kalorësi i kalit të kuq – luftë; kalorësi i kalit të zi – zi buke; kalorësi i kalit të zbehtë – murtajë ose vdekje. Shpirtrat nën altar janë dëshmorë. Ngjarjet e përshkruara te Zbulesa 6:12-17 janë të lidhura me ato te Mateu 24:19-31.

C. Mundimi i Madh (24:15-28)

24:15 Në këtë pikë ne kemi arritur në mesin e Mundimit. Këtë e dimë duke krahasuar vargun 15 me Danieli 9:27. Danieli paratha se në mesin e javës së shtatëdhjetë, që do të thotë në fund të tre vjetëve e gjysmë, një figurë idhujtare do të ngrihej në vendin e shenjtë, pra në tempullin në Jeruzalem. Të gjithë njerëzit do të urdhërohen që ta adhurojnë këtë idhull të neveritshëm. Mosbindja do të dënohet me vdekje (Zbulesa 13:15). «Kur të shihni, pra, neverinë e shkretimit, që është parathënë nga profeti Daniel, që ka zënë vend në vendin e shenjtë» (kush lexon le ta kuptojë)…. Për ata që e njohin Fjalën e Perëndisë, ngritja e idhullit do të jetë sinjali se Mundimi i Madh ka filluar. Vini re që Zoti, nga ai që e lexon profecinë, do që ai ta kuptojë atë. 24:16 Ata që janë në Jude duhet të ikin ndër male. Në afërsi të Jeruzalemit, refuzimi i tyre për t’u përkulur përpara figurës do të zbulohej menjëherë. 24:17-19 Do të jetë e nevojshme të nxitohet në maksimum. Në qoftë se një njeri është duke ndenjur mbi tarracën e shtëpisë, ai duhet t’i lërë të gjitha të mirat që ka. Koha e harxhuar për të mbledhur plaçka mund të jetë çështje jete apo vdekjeje. Njeriu që punon ndër ara nuk duhet të kthehet për mantelin e tij, kudo që ta ketë lënë atë. Gratë shtatzëna dhe nënat që do t’u japin gji fëmijëve do të jenë në një gjendje të pavolitshme të veçantë. Do të jetë e vështirë për to që të ikin me shpejtësi. 24:20 Besimtarët duhet të luten që kriza të mos ndodhë në dimër me rreziqet e shtuara të udhëtimit gjatë tij dhe që të mos ndodhë Shabatin, kur largësia që ata mund të përshkojnë do të jetë e kufizuar nga ligji (Eksodi 16:29). Një udhëtim i ditës së Shabatit do të jetë i pamjaftueshëm për t’i bërë ata që të dalin jashtë zonës së rrezikut. 24:21 «Sepse atëherë do të ketë një mundim aq të madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot dhe as nuk do të ketë më kurrë!» Ky përshkrim e veçon këtë periudhë nga të gjitha inkuizicionet, masakrat, spastrimet, kërditë dhe gjenocidet e historisë. Kjo profeci s’do të mund të ishte përmbushur nga ndonjë përndjekje e mëparshme, sepse pohohet qartë që ajo do të mbarojë me Ardhjen e Dytë të Krishtit. 24:22 Mundimi do të jetë aq i madh saqë, po të mos shkurtoheshin ato ditë, askush s’do të mbijetonte. Kjo nuk mund të thotë se Mundimi i Madh, aq shpesh i përcaktuar se do të zgjasë tre vjet e gjysmë, do të shkurtohet. Ndoshta kjo do të thotë se Perëndia do t’i shkurtojë në mënyrë të mbinatyrshme orët me ditët, gjatë të cilave bëhet lufta dhe kërdia më e madhe. Për shkak të të zgjedhurve (ata që e kanë pranuar Jezusin), Zoti do të japë lehtësimin e të errurit më herët. 24:23-26 Vargjet 23 dhe 24 përmbajnë rishtazi paralajmërime kundër atyre që janë mësues të rremë dhe profetë të rremë. Në një atmosferë krize do të qarkullojnë zëra se Mesia është në ndonjë vend të fshehtë. Zëra të tillë mund të përdoren për t’i zënë ata që me sinqeritet dhe përzemërsi kërkojnë të gjejnë Krishtin. Kështu Zoti i paralajmëron të gjithë dishepujt që të mos u besojnë zërave që flasin për një Ardhje lokale e të fshehtë. Edhe pse ata kryejnë mrekulli, s’është e thënë që të jenë prej Perëndisë. Mrekullitë mund të jenë satanike si origjinë. Njeriut të Mëkatit do t’i jepet fuqi satanike për të kryer mrekulli (2 Thes. 2:9-10). 24:27 Ardhja e Krishtit nuk do të mund të ngatërrohet me tjetër gjë. Ajo do të jetë e papritur, publike, universale dhe e lavdishme. Sikurse vetëtima, ajo do të jetë e menjëhershme dhe e dukshme qartë për të gjithë. 24:28 Dhe asnjë shthurje morale s’do t’i shpëtojë tërbimit dhe gjykimit të saj. «Sepse ku të ketë kërma, aty do të mblidhen shqiponjat.» Kërma simbolizon judaizmin dhe krishterimin besimbraktisës si dhe të gjithë sistemin botëror që është bashkuar kundër Perëndisë dhe Krishtit të Tij. Shqiponjat ose hutat tregojnë gjykimet e Perëndisë, që do të shkarkohen në lidhje me dukjen e Mesias.

D. Ardhja e Dytë (24:29-31)

24:29 Në përfundim të Mundimit të Madh do të ketë çrregullime të llahtarshme në qiej. Dielli do të erret dhe meqenëse drita e hënës është vetëm një pasqyrim i dritës së diellit, edhe hëna nuk do të lëshojë dritën e vet. Yjet do të lëshohen nga qielli dhe planetët do të dalin nga orbitat e tyre. Dihet që një trazirë e tillë kaq e madhe do të ndikojë motin, baticën, zbaticën si dhe stinët mbi tokë. Një ide e zbehtë se si do të jetë është dhënë në përshkrimin që Velikovsky i bën asaj që do të kishte ndodhur në qoftë se një trup qiellor do të vinte afër tokës dhe do ta bënte atë që të anohej në aksin e saj:
Në atë çast, një tërmet do ta bënte planetin të dridhej. Ajri dhe uji do të vazhdonin të lëviznin për inerci; planeti do të goditej nga tufanet dhe detet do të vërshonin mbi kontinente, duke sjellë me vete zhavorr, rërë dhe kafshë deti e duke i hedhur ato mbi tokë. Nxehtësia do të rritej, shkëmbinjtë do të shkriheshin, vullkanet do të shpërthenin, llava do të rridhte nga çarjet në truallin e thyer dhe do të mbulonte zona të mëdha. Malet do të brofnin nga rrafshinat, do të lëviznin e do të ngjiteshin rrëzë maleve të tjerë, duke shkaktuar shkarje dhe të çara. Liqenet do të vinin pjerrët e do të zbrazeshin, lumenjtë do të ndërronin shtretërit e tyre; zona të tëra të rruzullit, bashkë me të gjithë banorët e tyre, do të rrëshqisnin nën det. Pyjet do të digjeshin, dhe uraganet e detet e egërsuar do t’i shkulnin ato nga toka ku ishin rritur e do t’i grumbullonin, me degë e me rrënjë, në pirgje jashtëzakonisht të mëdha. Detet do të ktheheshin në shkretëtira me derdhjen e ujit të tyre [1].
24:30 «Dhe atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të Njeriut.» Ne s’na është thënë se ç’do të jetë kjo shenjë. Ardhja e Tij e Parë ishte shoqëruar nga një shenjë në qiell: ylli. Ndoshta një yll i mbinatyrshëm gjithashtu do të lajmërojë Ardhjen e Tij të Dytë. Disa besojnë se shenja është Vetë Biri i Njeriut. Çfarëdo kuptimi të ketë, ajo do të jetë e qartë për të gjithë kur të shfaqet. Të gjitha kombet e dheut do të mbajnë zi, pa dyshim për shkak të refuzimit që i kanë bërë Atij, por kryesisht do të mbajnë zi fiset e vendit [2], të dymbëdhjetë fiset e Izraelit. «…dhe ata do të vështrojnë drejt Meje, drejt Atij që kanë therur; do të pikëllohen për Të, ashtu si pikëllohesh për një bir të vetëm, dhe do të hidhërohen shumë për Të, ashtu si hidhërohesh fort për një të parëlindur» (Zakaria 12:10). Atëherë ata «do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe.» Çfarë çasti i mrekullueshëm! Ai që ishte pështyrë dhe kryqëzuar do të përligjet si Zot i jetës dhe i lavdisë. I buti dhe i përuluri Jezus do të shfaqet si Vetë Jehovah. Qengji flijimor do të zbresë si Luani fitimtar. Marangozi i përçmuar i Nazaretit do të vijë si Mbret i mbretërve dhe si Zot i zotërve. Karrocat e Tij do të jenë retë e qiellit. Ai do të vijë në pushtet dhe shkëlqim mbretëror. Çasti për të cilin krijesa ka rënkuar për mijëra vjet! 24:31 Kur të zbresë, Ai do t’i dërgojë engjëjt e Vet në mbarë dheun që t’i mbledhin të zgjedhurit e Tij, Izraelin besues, në vendin e Palestinës. Ata do të mblidhen nga mbarë dheu për të përshëndetur Mesian e tyre dhe për të gëzuar mbretërimin e lavdishëm të Tij.

E. Shëmbëlltyra e fikut (24:32-35)

24:32 «Tani mësoni nga fiku këtë shëmbëlltyrë.» Zoti ynë nxjerr përsëri një mësim frymëror nga natyra. Kur degët e fikut njomësohen dhe gjelbërojnë, ta dini se vera është afër. Ne kemi parë se druri i fikut simbolizon kombin e Izraelit (Mt. 21:18-22). Për qindra vjet Izraeli ka qenë në gjumë, pa një qeveri të tijën, pa truall, pa tempull, pa priftëri, pra pa shenjë jetë kombëtare. Njerëzit kanë qenë shpërhapur në mbarë botën. Pastaj, në 1948, Izraeli u bë një komb me truallin, qeverinë, monedhën, pullat e tij, etj.. Nga ana frymërore, kombi është ende shterpë dhe i ftohtë, nuk ka fryt për Perëndinë, por për sa i përket anës kombëtare, ne mund të themi se degët e tij janë njomësuar dhe gjelbëruar. 24:33 «Kështu edhe ju, kur t’i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera.» Shfaqja e Izraelit si një komb do të thotë se jo vetëm që fillimi i Mundimit është pranë, por që edhe Vetë Zoti është pranë, madje te dera. Në qoftë se ardhja e Krishtit për të mbretëruar është kaq pranë, sa më i shpejtë është Rrëmbimi i Kishës? Nëse që tani ne shohim hije të ngjarjeve që duhet t’i paraprijnë shfaqjes së Tij në lavdi, sa më pranë i jemi fazës së parë të Ardhjes (Parousia) së Tij (1 Thes. 4:13-18), d.m.th. Rrëmbimit të Kishës? 24:34 Pasi i është referuar fikut, Jezusi shtoi: «Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, pa u realizuar të gjitha këto«Ky brez» s’e ka fjalën për njerëzit që jetonin atëherë kur Krishti ishte në tokë. Ata kanë kaluar të gjithë e megjithatë ngjarjet e kapitullit 24 nuk kanë ndodhur. Ku e kishte fjalën atëherë Zoti ynë kur tha: «Ky brez?» Ka dy shpjegime bindëse. F.W. Grant dhe të tjerë besojnë se ideja është kjo: «Vetë brezi që sheh fillimin e këtyre gjërave do të shohë fundin» [3]. Të njëjtët njerëz që shohin lindjen e Izraelit si komb (ose që shohin fillimin e Mundimit), do ta shohin Zotin Jezus të vijë në retë e qiellit për të mbretëruar. Shpjegimi tjetër është që «brez» duhet kuptuar si racë. Ky është një përkthim i ligjshëm i fjalës greke, që flet për njerëz të të njëjtit trung, lloj ose familje (Mt. 12:45; 23:35-36). Kështu Jezusi ishte duke parathënë se raca judease do të mbijetonte për t’i parë të gjitha këto gjëra të përmbushura. Mbijetesa e vazhdueshme e tyre, me gjithë përndjekjen e egër, është një mrekulli e historisë. Por unë mendoj se ka edhe një mendim shtesë. Në kohën e Jezusit, «ky brez» ishte një racë që vendosmërisht nuk pranoi ta njihte Atë si Mesi. Unë mendoj se Ai po parathoshte se Izraeli, si komb, do të vazhdonte në gjendjen e tij duke e refuzuar Krishtin deri në Ardhjen e Tij të Dytë. Atëherë i gjithë rebelimi do të shtypej dhe vetëm ata që me vullnetin e tyre i nënshtrohen sundimit të Tij do të ruhen për të hyrë në Mijëvjeçar. 24:35 Për të theksuar karakterin e sigurt të parathënieve të Tij, Jezusi shtoi se qielli dhe toka do të kalonin, por fjalët e Tij nuk do të kalonin. Duke folur për kalimin e qiellit, Ai e kishte fjalën për qiejt atmosferik dhe yjorë, pra për kupën qiellore blu e jo për qiellin që është vendndodhja e Perëndisë (2 e Korintasve 12:2-4). Shkatërrimi i qiejve (qiellit) dhe i tokës është përshkruar tek 2 Pjetrit 3:10-13 dhe është përmendur sërish te Zbulesa 20:11.

F. Dita dhe ora e paditur (24:36-44)

24:36 Për sa i përket ditës dhe orës së Ardhjes së Tij të Dytë, «askush s’e di, as engjëjt e qiejve [4], por vetëm Ati im.» Ky duhet të jetë një paralajmërim në lidhje me tundimin për të vendosur data apo për t’i besuar atyre që e bëjnë një gjë të tillë. Ne nuk jemi të befasuar që engjëjt nuk dinë. Ata janë qenie të kufizuara me një masë dijeje. Ndërsa ata që jetojnë para kthimit të Krishtit nuk do ta dinë ditën apo orën e kthimit, duket se ata që e njohin profecinë mund të jenë në gjendje të dinë vitin. Për shembull, ata do të dinë se ajo do të ndodhë afërsisht tre vjet e gjysmë mbasi figura-idhull të ngrihet në tempull (Dan. 9:27; shih edhe Dan. 7:25; 12:7, 11; Zbulesa 11:2-3; 12:14; 13:5). 24:37-39 Megjithatë, shumica e njerëzve do të jenë moskokëçarës në ato ditë, tamam si në ditët e Noeut. Sado që ditët para përmbytjes ishin tmerrësisht të mbrapshta, kjo nuk është veçoria mbi të cilën vihet theksi në këtë rast. Njerëzit hanin, pinin, martoheshin dhe martonin. Me fjalë të tjera, ata vazhdonin në rutinën e jetës sikur do të jetonin përgjithmonë. Megjithëse të paralajmëruar se po vinte një përmbytje, ata jetonin sikur të ishin të mbrojtur nga përmbytja. Kur ajo ia behu, ata ishin të papërgatitur, jashtë të vetmit vend ku kishte siguri. Kjo është pikërisht mënyra se si do të ndodhë kur Krishti të kthehet. Vetëm ata që janë në Krishtin, në arkën e sigurisë, do të shpëtohen. 24:40-41 Dy do të jenë në arë; një do të merret me vete në gjykim, kurse tjetri do të lihet që të hyjë në Mijëvjeçar. Dy gra do të bluajnë në mulli. Ato do të ndahen për një çast. Njëra do të merret me vete nga përmbytja e gjykimit, ndërsa tjetra do të lihet që të shijojë bekimet e mbretërimit të Krishtit. Shpesh vargjet 40 dhe 41 janë përdorur si një paralajmërim ndaj të pashpëtuarve, duke iu referuar Rrëmbimit, fazës së parë të ardhjes së Krishtit kur Ai i merr të gjithë besimtarët në qiell, kurse të gjithë jobesimtarët i lë pas për gjykim. Ndërsa një gjë e tillë mund të jetë një zbatim i vlefshëm i pjesës, konteksti e bën të qartë se interpretimi ka të bëjë me ardhjen e Krishtit për të mbretëruar. 24:42-44 Përpara pasigurisë në lidhje me ditën dhe orën, njerëzit duhet të rrinë zgjuar. Nëse dikush e di që shtëpia e tij është duke u shembur, ai do të jetë në gatishmëri, megjithëse ai nuk e di se kur me saktësi. Biri i Njeriut do të vijë kur shumë pak do ta presin. Për këtë arsye, populli i Tij duhet të jetë duke pritur me padurim.

G. Shëmbëlltyra e shërbëtorëve të mençur dhe të këqij (24:45-51)

24:45-47 Në seksionin mbyllës të këtij kapitulli, Zoti Jezus tregon se një shërbëtor e tregon karakterin e vërtetë të tij nga mënyra se si sillet përpara kthimit të Zotërisë të Tij. Të gjithë shërbëtorët duhet t’ua japin ushqimin në kohën e duhur njerëzve të shtëpisë. Por jo të gjithë ata që deklarojnë se janë shërbëtorë të Krishtit janë të vërtetë. Shërbëtor…i mençur është ai që gjendet duke u kujdesur për popullin e Perëndisë. Një i tillë do të nderohet me një përgjegjësi të madhe në mbretëri. Zotëria do t’ia besojë administrimin e gjithë pasurisë së vet. 24:48-51 Ai që është shërbëtor i mbrapshtë përbën një besimtar që është sa për emër i tillë, sjellja e të cilit nuk është ndikuar nga ardhmëria e kthimit të shpejtë të Zotërisë së tij. Ai fillon t’i rrahë shokët e vet dhe të hajë e të pijë me pijanecët. Një sjellje e tillë tregon se ai nuk është gati për mbretërinë. Kur të vijë Mbreti, Ai do ta dënojë atë dhe do t’i rezervojë fatin e hipokritëve, ku njerëzit qajnë dhe kërcëllijnë dhëmbët. Kjo shëmbëlltyrë bën fjalë për kthimin e dukshëm të Krishtit në tokë si Mesi-Mbret, por parimi i aplikohet njëlloj edhe Rrëmbimit. Shumë veta që deklarojnë se janë të krishterë nuk janë duke pritur Kthimin e Krishtit dhe kjo tregohet me anë të armiqësisë së tyre ndaj popullit të Perëndisë dhe vëllazërimit me të paperëndishmit,. Ai do të jetë gjykim e jo bekim për ta.

H. Shëmbëlltyra e dhjetë virgjëreshave (25:1-13)

25:1-5 Fjala e parë «Atëherë,» duke iu referuar kapitullit 24, e vendos qartë këtë shëmbëlltyrë në kohën paraardhëse dhe gjatë kthimit të Mbretit në tokë. Jezusi e krahason mbretërinë e qiejve në atë kohë me dhjetë virgjëresha, të cilat i morën llampat e tyre dhe i dolën para dhëndrit. Tani pesë nga ato ishin të mençura dhe e kishin vajin për enët e tyre. Të tjerat nuk kishin fare. Ndërsa prisnin, të gjitha ranë në gjumë. Pesë virgjëreshat e mençura përfaqësojnë dishepujt e vërtetë të Krishtit në periudhën e Mundimit. Llampat flasin për deklarim, ndërsa vajin zakonisht e njohim se është një figurë e Frymës së Shenjtë. Virgjëreshat budallaçka përfaqësojnë ata që deklarojnë se kanë shpresën mesianike, por që nuk kanë qenë kthyer kurrë [nuk kanë qenë të shpëtuar kurrë], pra nuk kanë Frymën e Shenjtë. Dhëndri është Krishti, Mbreti. Vonesa e Tij simbolizon periudhën midis dy Ardhjeve të Tij. Fakti që të dhjetë virgjëreshat sa ishin i zuri gjumi tregon se nga ana e jashtme nuk kishte fort dallim midis tyre. 25:6 Në mesnatë kumboi lajmi se dhëndri po vinte. Në kapitullin e mëparshëm ne mësuam se mbërritja e Tij do të paralajmërohej nga disa shenja të tmerrshme. 25:7-9 Virgjëreshat u zgjuan dhe përgatitën llampat e tyre. Të gjitha deshën të dukeshin gati. Budallaçkat, duke qenë pa vaj, u kërkuan ca të tjerave, por iu tha që të shkonin e ta blinin. Mospranimi i të mençurave duket si egoizëm, por në sferën frymërore, askush s’mundet t’ia shpërndajë Frymën një tjetri. Sigurisht, Fryma e Shenjtë s’mund të blihet, por Bibla përdor figurën letrare të blerjes së shpëtimit pa para dhe pa çmim. 25:10-12 Kur ato kishin shkuar, erdhi dhëndri. Varianti [përkthimi] Siriak dhe Vulgata thonë se ai erdhi me nusen e tij. Kjo përshtatet në mënyrë të përsosur me panoramën profetike. Zoti Jezus do të kthehet nga dasma me nusen e Tij, Kishën (1 Thes. 3:13). Dasma bëhet në qiell (Efesianeve 5:27), mbas Rrëmbimit. Mbetja besnike e shenjtorëve të Mundimit do të hyjë me Të në festën e martesës. Festa e martesës është një përkufizim me vend i gëzimit dhe i bekimit të mbretërisë tokësore të Krishtit. Virgjëreshat e mençura hynë bashkë me të në dasmë (ose në festën e dasmës, JND) dhe dera u mbyll. Ishte shumë vonë për këdo tjetër që të hynte në mbretëri. Kur erdhën edhe virgjëreshat e tjera duke kërkuar që të pranoheshin, dhëndri refuzoi t’i njihte, një provë e qartë kjo se ato nuk kishin lindur kurrë sërish. 25:13 Mësimin, tha Jezusi, ishte që të rrini zgjuar, sepse dita dhe ora e ardhjes së Tij nuk dihen. Besimtarët duhet të jetojnë sikurse Zoti të mund të vinte në çdo çast. A janë llampat tona të përgatitura e të mbushura me vaj?

I. Shëmbëlltyra e talentave (25:14-30)

25:14-18 Edhe kjo shëmbëlltyrë mëson se kur të kthehet Zoti do të ketë shërbëtorë të vërtetë e të rremë. Historia vërtitet rreth një njeriu që, para se të nisej për një udhëtim të gjatë, i mblodhi shërbëtorët e tij dhe i dha shuma të ndryshme parash secilit sipas zotësisë së tij. Njëri mori pesë talenta, tjetri mori dy, ndërsa i fundit një. Ata duhej ta përdornin këtë para për t’i sjellë të ardhura zotërisë. Personi me pesë talenta fitoi pesë të tjerë. Personi me dy i dyfishoi edhe ai të tijtë, ndërsa njeriu që mori një, shkoi, hapi një vrimë dhe e groposi atë. Nuk është e vështirë të shohësh që Krishti është zotëria, ndërsa udhëtimi i gjatë është periudha ndërmjet ardhjeve. Tre shërbëtorët janë izraelitë që jetojnë gjatë Mundimit, përgjegjës për paraqitjen e interesave të Zotit, në mungesë të Tij. Atyre u janë dhënë përgjegjësi sipas aftësive individuale. 25:19-23 Tani mbas një kohe të gjatë, zotëria u kthye… dhe i bëri llogaritë me ta. Kjo përshkruan Ardhjen e Dytë. Dy të parët morën pikërisht të njëjtin lavdërim: «Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd.» Prova e shërbimit të tyre nuk ishte se sa shumë kishin fituar, por sa fort ishin përpjekur. Secili e përdori plotësisht aftësinë e tij dhe fitoi një qind për qind. Këta përfaqësojnë besimtarë të vërtetë, që për shpërblim kanë shijimin e bekimeve të mbretërisë mesianike. 25:24-25 Shërbëtori i tretë s’kishte asgjë veç ofendimeve dhe justifikimeve për zotërinë e tij. Ai e akuzoi atë se ishte treguar i ashpër dhe i paarsyeshëm, duke korrur atje ku ai nuk kishte mbjellë dhe duke vjelur ku nuk kishte shpërndarë. Ai e justifikoi veten e tij mbi atë që, i paralizuar nga frika, ai e groposi talentin e tij. Pa dyshim që ky shërbëtor ishte një jobesimtar. Asnjë shërbëtor i vërtetë s’do të ushqente mendime të tilla për zotërinë e tij. 25:26-27 I zoti e qortoi atë duke i thënë se ishte i mbrapshtë dhe përtac. Meqenëse kishte mendime të tilla për zotërinë e tij, atëherë pse nuk ia kishte besuar denarin e tij bankierëve që të merrte interesin? Si në parantezë, në vargun 26, zotëria nuk është i një mendjeje me akuzat kundër tij. Më tepër ai po thotë: «Në qoftë se ti mendon se unë qenkam një zotëri i tillë, aq më e arsyeshme do të ishte futja në punë e talentit. Fjalët e tua të dënojnë, nuk të shfajësojnë.» 25:28-29 Në qoftë se ky njeri do të kishte fituar një talent me talentin e tij, ai do të kishte marrë të njëjtin lavdërim sikurse të tjerët. Në vend të kësaj, gjithçka që kishte për të treguar nga jeta e tij ishte një vrimë në tokë! Atij ia hoqën talentin dhe ia dhanë njeriut me dhjetë talenta. Kjo pason një ligj të përcaktuar në sferën frymërore: «Atij që ka do t’i jepet edhe më e do të ketë me bollëk të madh, por atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.» Atyre që kanë dëshirë që të përdoren për lavdinë e Perëndisë u janë dhënë mjetet. Sa më shumë që bëjnë, aq më tepër aftësohen që të bëjnë për Të. Anasjelltas, ne humbasim atë që nuk përdorim. Atrofia është shpërblimi i përtacisë. Përmendja e bankierëve në vargun 27 të sugjeron që, nëse nuk mund t’i përdorim pasuritë tona për Zotin, ne duhet t’ua kalojmë ato atyre që munden. Në këtë rast bankierët mund të jenë misionarë, shoqëri biblike, shtëpi botuese të krishtera, programe radiofonike ungjillore, etj.. Në një botë si kjo e jona, nuk ka asnjë justifikim për ta lënë paranë të rrijë kot. Pierson jep porosi të dobishme:
Shpirtra të druajtur, të papërshtatur për shërbim të guximshëm e të pavarur në emër të mbretërisë, mund ta lidhin paaftësinë e tyre me aftësinë dhe mendjemprehtësinë e të tjerëve që do t’i bëjnë dhuntitë dhe pasuritë e tyre të përdorshme për Zotërinë dhe Kishën e Tij…. Administruesi ka para ose mund të ketë dhunti të tjera që mund të vihen në përdorim, por atij i mungon besimi dhe mprehtësia, mençuria dhe energjia praktike. «Këmbyesit» e Zotit mund t’i tregojnë atij se si të nxjerrin fitim për Zotërinë…. Pjesërisht Kisha ekziston në mënyrë që forca e një anëtari të mund të ndihmojë dobësinë e një tjetri dhe që, nga bashkëpunimi i të gjithëve, fuqia e më të voglit dhe e më të dobëtit të mund të rrite [5].
25:30 Këtë shërbëtor të pavlefshëm e dëbuan, e përjashtuan nga mbretëria. Ai ndau fatin e ankthshëm të të ligjve. Nuk ishte mosinvestimi i talentit që e dënoi atë, por mungesa, nga ana e tij, e veprave të mira tregoi se atij i mungonte besimi që ka të bëjë me shpëtimin.

J. Mbreti gjykon kombet (25:31-46)

25:31 Ky seksion përshkruan Gjykimin e Kombeve, gjë që duhet dalluar nga Gjyqi i Krishtit dhe nga Gjykimi prej Fronit të Madh të Bardhë. Gjyqi i Krishtit, një kohë kalimi në shqyrtim dhe shpërblimi vetëm për besimtarët, ndodh pas Rrëmbimit (Rom. 14:10; 1 e Korintasve 3:11-15; 2 e Korintasve 5:9-10). Gjykimi prej Fronit të Madh të Bardhë ndodh në përjetësi, mbas Mijëvjeçarit. Të vdekurit e liq do të gjykohen dhe do të dorëzohen në Liqenin e Zjarrit (Zbulesa 20:11-15). Gjykimi i Kombeve ose i johebrenjve (fjala greke ka edhe këtë kuptim) ndodh mbi tokë, mbasi Krishti vjen për të mbretëruar, sikurse pohon qartë vargu 31: «Kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e Tij, bashkë me të gjithë engjëjt e shenjtë.» Nëse jemi në rregull duke e identifikuar atë me Joelin 3, vendndodhja është Lugina e Jozueuafatit, jashtë Jeruzalemit (Joeli 3:2). Kombet do të gjykohen sipas trajtimit që u kanë bërë vëllezërve judenj të Krishtit gjatë Mundimit (Joeli 3:1-2, 12-14; Mt. 25:31-46). 25:32 Është e rëndësishme të vëmë re se përmenden tri kategori: delet, cjeptë dhe vëllezërit e Krishtit. Dy kategoritë e para, mbi të cilat Krishti ulet në gjykim, janë johebrenjtë që kanë jetuar gjatë Mundimit. Kategoria e tretë janë vëllezër judenj besnik ndaj Krishtit që kanë refuzuar ta mohojnë Emrin e Tij gjatë Mundimit me gjithë përndjekjen e tërbuar. 25:33-40 Mbreti i vë delet… në të djathtën e Tij, ndërsa cjeptë në të majtën. Pastaj Ai i fton delet të hyjnë në mbretërinë e Tij të lavdishme, që u bë gati për to që nga krijimi i botës. Arsyeja që jepet është se ato e ushqyen Atë kur kishte patur uri, i dhanë për të pirë kur kishte patur etje, e mirëpritën kur ishte një i huaj, e veshën kur ishte i veshur keq, e vizituan kur ishte i sëmurë dhe shkuan tek Ai në burg. Delet e drejta tregojnë se nuk dinë të kenë treguar ndonjëherë një mirësi të tillë ndaj Mbretit. Ai nuk kishte qenë as mbi tokë gjatë brezit të tyre. Ai shpjegon se duke iu gjendur ndonjërit prej këtyre vëllezërve të Tij më të vegjël, ato [delet] iu gjendën Atij. Çfarëdo që të jetë bërë për njërin prej dishepujve të Tij shpërblehet sikur t’i jetë bërë Vetë Atij. 25:41-45 Cjepve të padrejtë u thuhet që të largohen prej Tij në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij, sepse ata nuk u kujdesën për Të gjatë Kohës së tmerrshme të Ankthit të Jakobit. Kur ata përpiqen ta përligjin vetveten, duke thënë se nuk e kishin parë kurrë Atë, Ai u kujton atyre se mospërfillja që kanë treguar ndaj ndjekësve të Tij përbënte mospërfillje ndaj Vetë Atij. 25:46 Kështu cjeptë shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse delet në jetën e përjetshme. Por kjo ngre dy probleme. Në radhë të parë, pjesa duket sikur mëson se kombet shpëtohen ose humben në masë [d.m.th. të gjithë njerëzit e një kombi shpëtohen apo të gjithë humben]. Së dyti, tregimi të krijon përshtypjen se delet shpëtohen prej veprave të mira, kurse cjeptë dënohen ngaqë s’kanë bërë mirë. Lidhur me vështirësinë e parë duhet kujtuar se Perëndia i trajton kombet si të tillë. Historia e DhV është e mbushur me raste kur kombe të caktuara dënohen për shkak të mëkatit të tyre (Isa. 10:12-19; 47:5-15; Ezekieli 25:6-7; Amo. 1:3, 6, 9, 11, 13; 2:1, 4, 6; Abdia 1:10; Zakaria 14:1-5). Nuk është e paarsyeshme të besohet se kombet do të vazhdojnë të provojnë ndëshkim hyjnor. Kjo s’do të thotë se çdo individ i veçantë në komb do të përfshihet në atë rezultat, por që parimet e drejtësisë hyjnore do të aplikohen si mbi një kriter kombëtar ashtu edhe mbi atë individual. Fjala ethne, e përkthyer «kombet» në këtë pjesë, mund të përkthehet gjithashtu edhe «johebrenjtë.» Disa besojnë se pjesa përshkruan gjykimin e individëve johebrenj. Qofshin kombe apo individë, problem është se si mund të grumbullohet përpara Zotit në Palestinë një turmë kaq e madhe. Ndoshta më mirë është të mendojmë për përfaqësues të kombeve ose për klasa individuale të mbledhura për gjykim. Për sa i përket problemit të dytë, pjesa nuk mund të përdoret për të mësuar shpëtimin nëpërmjet veprave. Dëshmia e njëtrajtshme e Biblës është se shpëtimi është nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet veprave (Efesianeve 2:8-9). Por Bibla vë po aq theksin kur mëson se besimi i vërtetë prodhon vepra të mira. Nëse nuk ka vepra të mira, ky është një tregues që personi s’ka qenë shpëtuar ndonjëherë. Kështu ne duhet të kuptojmë se johebrenjtë nuk janë të shpëtuar nëpërmjet ndihmës së dhënë ndaj mbetjes judease, por që kjo mirësi pasqyron dashurinë e tyre për Zotin. Duhen përmendur tri pika të tjera. Së pari, është thënë se mbretëria ka qenë përgatitur për të drejtët qysh prej themelimit të botës (v 34), ndërsa ferri ishte përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij (v 41). Dëshira e Perëndisë është që njerëzit të bekohen. Në fillesë ferri nuk ishte menduar për racën njerëzore, por në qoftë se njerëzit refuzojnë me dashje jetën, ata domosdo zgjedhin vdekjen. Pika e dytë është se Zoti Jezus foli për zjarr (v 41) të përjetshëm (e njëjta fjalë sikurse «i përhershëm), ndëshkim të përjetshëm (v 46) dhe jetë të përjetshme (v 46). Po Ai që mësoi për jetën e përjetshme mësoi edhe për ndëshkimin e përjetshëm. Meqenëse e njëjta fjalë për «i përjetshëm» është përdorur për të përshkruar secilin, atëherë është e papajtueshme të pranosh njërën pa tjetrin. Në qoftë se fjala e përkthyer «i përjetshëm» nuk do të thotë «i përhershëm,» nuk ka fjalë në gjuhën greke që të përçojë kuptimin. Por ne e dimë se ajo do të thotë «i përhershëm,» sepse është përdorur për të përshkruar përjetshmërinë e Perëndisë (1 Tim. 1:17). Tek e fundit, Gjykimi i johebrenjve na kujton fuqishëm se Krishti dhe populli i Tij janë një; çfarë prek ata, prek Atë. Ne kemi mundësi të mëdha për t’i treguar Atij mirësi, duke u treguar mirësi atyre që e duan Atë. [1] I. Velikovsky, Earth in Upheaval, fq 136[[1]] [2] E njëjta fjalë greke (ge, krahaso me «geo») do të thotë «tokë» edhe «dhe.»[[2]] [3] F.W. Grant, “Matthew,” Numerical Bible, The Gospels, fq 230[[3]] [4] NU shton «as Biri»[[4]] [5] Our Lord’s Teachings About Money, fq. 3-4[[5]]