1 tetor

[no_toc]

1 tetor

«Sepse ç’është jeta? Është avull që duket për pak, dhe pastaj humbet» (Jakobit 4:14).

Zëri i vazhdueshëm i Frymës së Shenjtë e kujton njeriun vdekatar shpesh në Shkrimin e Shenjtë për shkurtësinë e jetës. Nëpërmjet përdorimit të përsëritur të krahasimeve, Fryma e Zotit ngulit në ne faktin që ditët tona janë të pakta dhe që kalojnë shpejt.

Për shembull, Ai e krahason jetën me masurin e një endësi (Jobi 7:6), ajo pajisje që shkon poshtë e lart në vegjë pothuaj më shpejt, sesa syri mund ta ndjekë.

Jobi e krahason jetën me erën (Jobi 7:7), këtu njërën minutë dhe tutje minutën tjetër për të mos u kthyer më. Psalmisti përsërit këtë mendim, duke folur për «erën që kalon dhe nuk kthehet më» (Psa. 78:39).

Në mënyrë të panevojshme Bildadi e kujton Jobin që «ditët tona mbi tokë janë si një hije» (Jobi 8:9), një pikturë që përsëritet në Psalmin 102:11: «Ditët e mia janë si hija që zgjatet». Hija është kalimtare – ajo zgjat vetëm për një kohë të shkurtër.

Jobi e krahason jetën e tij me një gjethe (Jobi 13:25), të brishtë, delikate dhe që fishket; dhe me kashtën e thatë që e merr era tutje. Isaia i bën thirrje mëshirës së Zotit duke e kujtuar Atë që «ne po fishkemi të gjithë si një gjethe» (Isa. 64:6).

Davidi i përshkruan ditët e tij aq sa është e gjatë një pëllëmbë (Psa. 39:5), aq të pakta sa gjerësia e dorës së tij. Duke e parë jetën si një udhëtim, ajo do të jetë rreth 10 centimetra e gjatë.

Moisiu, njeri i Perëndisë, e përshkruan jetën si fjetje (Psa. 90:5), ku koha na kalon pa qenë të vetëdijshëm për të.

Në po atë vend, Moisiu flet për njerëzit dhe jetët e tyre si bari: «Janë si bar që gjelbëron në mëngjes. Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet» (Psa. 90:5, 6). Shekuj më vonë Davidi përdori të njëjtën figurë për të përshkruar përkohshmërinë tonë: «Ditët e njeriut janë si bari; ai lulëzon si lulja e fushës; në qoftë se era i kalon sipër, ai nuk është më dhe vendi i tij nuk njihet më» (Psa. 103:15, 16). Siç ka thënë Spërxhëni, bari «mbillet, rritet, lulëzon, kositet, ikën». Dhe kjo është jeta me pak fjalë.

Në fund Jakobi shton dëshminë e tij që jeta është aq jetëshkurtër si avulli (Jakobit 4:14). Ai duket për një çast të shkurtër, pastaj zhduket.

Ky grumbull krahasimesh ka për qëllim të kryejë dy gjëra. E para, kjo duhet të motivojë të pakthyerit në besim për të konsideruar shkurtësinë e kohës dhe rëndësinë e të qenit gati për t’u takuar me Perëndinë. E dyta kjo duhet të bëjë që besimtarët të numërojnë ditët e tyre për të patur një zemër të urtë (Psa. 90:12). Kjo do të rezultojë në jetë përkushtimi dhe dedikimi ndaj Krishtit, në jetë që jetohen për përjetësinë.

[previous][next]